Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka folur mbi planin që kanë demokratët e Rithemelimit, pas protestës së mbajtur më 7 korrik.
Albana Vokshi u shpreh se është gati për të rrëzuar nga pushteti Edi Ramën.
Sipas saj, nuk do të ketë kthim pas dhe se do të vijohet me protesta. Sipas saj, dalja masive e qytetarëve në protestën e 7 korrikut, dëshmon se ata e besojnë këtë forcë politike.
“Kemi kaluar një proces jo pak të vështirë, riorganizmin e PD. Fakti i mirëorganizimit të protestës ishte testi i parë që u kalua me sukses edhe sepse elektorati na besuan. Pra jemi një forcë që qytetarët i besuan. Jemi një front për shpëtimin e Shqipërisë, ata besuan tek kjo forcë politike. A jemi ne gati? Po jemi! Ishim në shesh, do jemi në shesh, vetëm protesta, është rrugë me një kalim, nuk ka kthim pas. Do të shfrytëzojmë çdo hapësirë për të bërë opozitë reale”, thotë ALbana Vokshi.
Ajo ka shpjeguar se hapat e radhës do të përcaktohen nga fronti për shpëtimin e Shqipërisë, pasi sipas saj tashmë protestat duhet të shtrihen në mbarë vendin.
“Të gjitha jemi të vetëdijshëm që nuk mjaftojnë vetëm strukturat e PD për të reaguar, duhet reagim qytetar. Kjo protestë ishte kombëtare dhe doli përtej strukturave të PD. Kishte qytetarë të lirë që nuk kishin frikë të protestonin edhe pas shantazheve e presionit të administratës së Ramës”, tha Albana Vokshi.
Sipas saj, “është krijuar tashmë një front për shpëtimin e Shqipërisë me pjesëmarrjen e shumë aktorëve të shoqërisë civile, palëve të interesit, shoqatave të profesionistëve të lirë që janë ndër qytetarët që rëndohen më shumë me politikat e qeverisë së Ramës e taksimit”.
Ajo shton se “ka parti të tjera gjithashtu, është krijuar pra një front që shumë shpejt do të bisedojë për hapat e radhës, lëvizje të mos bindjes civile, kalendar protestash, sepse protesta do të duhet të shpërndahet në të gjithë Shqipërinë, në çdo rrugë e lagje”.
Sipas Albana Vokshit, “ky front përtej drejtuesve të PD do të përcaktojë kalendarin. Nuk ka kthim pas. Deri në shkundjen e qeverisë për të respektuar të drejtat e liritë e qytetarëve por nëse nuk reagon…”
“E keni parë që ka reaguar këto ditë, për katër ditë kanë ndryshuar 4 herë çmimet e naftës. Një ditë para protestës, nxori dy ministre për të njoftuar rritjen e pagës. Megjithëse qesharake… Protesta është gjithmonë e suksesshme nëse jemi bashkë dhe nuk shfrytëzohet për kapital politik por për të mbrojtur e respektuar liritë e të drejtat e qytetarëve” tha Vokshi e ftuar në “Kjo Javë” vetëm dy ditë pas protestës së organizuar nga ish-kryeministri Sali Berisha.