Taulant Balla, në mbledhjen e 19-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri–BE, iu përgjigj akuzave të deputetëve të opozitës duke theksuar se ka pasur hapa të përbashkëta midis qeverisë dhe opozitës për reformën zgjedhore.
Balla tha se puna për reformën duhet të nisë menjëherë në muajin shtator, sapo të rifillojë legjislatura. Ai kërkoi që të arrihet konsensus dhe theksoi dy çështje kryesore:
Zgjedhja e përfaqësuesve shqiptarë në Parlamentin Evropian, e cila duhet të përcaktohet në Kodin Zgjedhor.
Depolitizimi i komisioneve zgjedhore, sidomos në nivelin e dytë dhe të tretë, çështje që sipas tij gjen mbështetje të gjerë.
Ministri përmendi gjithashtu si arritje të përbashkët me opozitën miratimin e votës për shqiptarët jashtë vendit, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm në përfshirjen e diasporës në proceset zgjedhore.
Sa i përket pretendimeve për parregullsi në zgjedhje, Balla u shpreh se procesi aktual i rinumërimit të votave në Tiranë është një shembull pozitiv.
“Rinumërimi po bëhet në mënyrë të besueshme dhe të pranueshme për të dyja palët,” deklaroi ai.