Sociale

25 VITE MË PARË/ "Ngjela" do hetojë Berishën, në listë 24 politikanë të pozitës dhe opozitës

Shkruar nga Liberale
25 VITE MË PARË/ "Ngjela" do hetojë Berishën,

Marrë nga gazeta "Koha Jonë" e datës 23 prill 1998, Përgatiti për Liberale.al, Laert Miraku

Komisioni Parlamentar i hetimit të trazirave të vitit të kaluar: Do pyeten Fino dhe Imami

"Ngjela" do hetojë Berishën

Në listë 24 politikanë të pozitës dhe opozitës. Ndërmjet tyre 10 gjeneralë

TIRANË Komisioni parlamentar i ngarkuar për hetimin e ngjarjeve të vitit të kaluar, tashmë ka hyrë në fazën e dytë të hetimit, të "vitit të mbrapshtë". Emra ministrash si Bashkim Fino, Arben Imami, emra kryetarësh partish dhe deputetë, si Sali Berisha, Shaban Memia, Leonard Demi, Genc Pollo, Ritvan Peshkëpia, do të jenë të parët dëshmitarë, apo persona nën hetim të këtij komisioni. Dje, deputeti socialist Spartak Braho, deklaroi për ATSH, se "Fino, Imami, Peshkëpia, janë thirrur si dëshmitarë për një ngjarje, por nuk mund ta them për cilën". Ndërkohë, burime të "KJ" pranë këtij komisioni, bëjnë të ditur se ngjarja ka të bëjë me kohën, kur Bashkim Fino është propozuar si Kryeministër i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar dhe siç përflitet, është mbajtur peng disa orë nga persona ku kanë qenë prezent edhe liberaldemokratët. Ky do të jetë deponimi i parë i bërë nga zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar, në kohën që këta të fundit, mbajnë poste të rëndësishme në qeverinë "Nano 4".

Por nuk kanë mbetur jashtë kuadrit të hetimit edhe opozitarët e djeshëm, sot deputetë në parlament. Kryetari i Komisionit Spartak Ngjela, tha dje për ATSH se një prej personave që do të thërritet në pyetje për hetime është edhe Sali Berisha. "Kryetari i Partisë Demokratike, është thirrur nga Komisioni i Hetimeve, për trazirat e vitit të kaluar, si person nën hetim për urdhrat që ka dhënë, në kohën kur ishte president", tha avokati. Ngjela ka akuzuar për të gjitha ngjarjet, si persona të opozitës, ashtu edhe nga ata të ish opozitës. Sipas avokatit Ngjela, janë planifikuar në listë rreth 24 vetë, të cilët, sipas procedurave të komisionit, duhet të dëshmojnë gjithë sa dinë për ngjarjet e vitit të kaluar.

Ndërsa një tjetër anëtar i këtij komisioni, Spartak Braho, deklaroi për ATSH, se ndër personat e thirrur për hetim, janë vetëm deputetët demokratë, Berisha, Shaban Memia dhe Leonard Demi. Ndërsa nënkryetari aktual i partisë, Genc Pollo është thirrur si dëshmitar për këto ngjarje.

Braho shtoi se persona të tjerë nën hetim janë rreth 10 ish gjeneralë, duke filluar nga ish Ministri i Mbrojtjes, Safet Zhulali, ish Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Adem Çobani, ish zv Ministri i Brendshëm Agim Shehu, ish Kryetari SHIK-ut, Bashkim Gazidede, etj. "Personat që janë thirrur dhe nuk paraqiten vullnetarisht, përveç deputetëve, do të detyrohen forcërisht nga policia, që të vijnë në Komision", tha Braho. Materialet më pas do t'i kalojnë Prokurorisë, dhe do të jetë ky organ që do të marrë masa nëse deputetët nuk paraqiten në Komision.

Anëtari tjetër i Komisionit, Sokol Hazizi, sqaron se nëse Komisioni ka grumbulluar materiale për gjithë periudhën JanarQershor, Prokuroria do të merret me ngjarjet një nga një. "Brenda dy javësh relacioni që do paraqitet në parlament do ketë përfunduar. Deri tani është bërë gati 80% e tij. Pjesa e mbetur, është pyetësori për personat e thirrur nga Komisioni", tha Hazizi. Sipas tij pika më kulmore e hetimeve do të jetë ngjarja e 28 shkurtit gjatë vitit të kaluar në Vlorë ku mbetën të vrarë 4 qytetarë, ndërmjet tyre edhe Artur Rustemi dhe "kur SHIK-u goditi mbi popullsinë".

Liberale Newsroom

A ishin zgjedhjet e 11 majit 2025 një farsë elektorale, siç pretendon opozita?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH