Sociale

25 VITE MË PARË/ Kërcënimi serb, Fatos Nano: Nuk do vdesim pa e ndaluar luftën

Shkruar nga Liberale

Marrë nga gazeta "Koha Jonë" e datës 25 prill 1998, Përgatiti për Liberale.al, Laert Miraku

Kryeministri Nano: "Nuk do vdesim pa e ndaluar luftën”

Kërcënimi serb

Godo: "Konflikti në Kosovë shumë shpejt mund të prekë Shqipërinë e Maqedoninë, mandej do përfshijë gjithë Ballkanin"

Fatos Nano, kryeministër

-Cili do të jetë roli i qeverisë shqiptare, në rast të përkeqësimit të pritshëm të gjendjes në Kosovë?

-Në asnjë rast nuk do jemi të vetmuar. Madje jo vetëm të vetëmbrojtur, por të mbrojtur mirë nga politika e partneritetit dhe hapave realisht integrues në komunitetin euroatlantik, pra edhe në strukturat e sigurisë dhe të mbrojtjes europiane.

-Jemi të kërcënuar nga lufta?

-Nuk do të vdesim pa e ndaluar.

Sabri Godo, kryetar i Komisionit të Jashtëm Parlamentar

-Cili është parashikimi juaj për gjendjen në Kosovë?

-Mendoj se gjendja do të përkeqësohet. Unë nuk arrij të shoh asgjë të mirë në gjithë ç'ndodh, pasi situata po precipiton drejt luftës. Veprimet e fundit që ka bërë Serbia dëshmojnë për këtë. Reprezaljet e saj janë shumë domethënëse. Ne e kemi parathënë këtë rrezik, jo vetëm si parti republikanë, por edhe si Komision i Jashtëm Parlamentar, me dy rezoluta parlamentare. Dua të ritheksoj se po nuk i kushtuam, tani, gjithë vëmendjen e kërkuar situatës, nesër do të jetë shumë vonë.

-Në rast lufte, cili ka për të qenë reagimi shqiptar?

-Shqipëria do të veprojë si çdo vend tjetër, do vetmbrohet.

-Vetëm kaq?

-Ne nuk jemi për sulmin ndaj vendeve të tjera, por as do rrimë e vështrojmë, ndërsa do të masakrohen vëllezërit tanë. Andaj do të bëjmë ç'është e mundur që të ndalohet dora e persekutorëve. Nuk më duket se do ketë mundësi që konflikti në Kosovë të ngelet i izoluar si në Bosnjë, pasi ai menjëherë do prekë Shqipërinë e Maqedoninë, mandej do përfshijë shumë shpejt gjithë Ballkanin. Bota e ka parasysh këtë fakt, por vepron sikur të mos e dijë, duke mos marrë asnjë masë paraprake, parandaluese. Është për t'u përshëndetur qëndrimi i SHBA, por ai nuk më duket se po përkrahet nga gjithë vendet e tjera të Grupit të Kontaktit. Në këto lëvizje gjithë ngadalësi të tyre, unë nuk shoh asgjë të mirë, që të më lerë të shpresoj.

Vladimir Prela, drejtor i kabinetit dhe këshilltar politik i kryeministrit

-A e vlerësoni rëndësinë e situatës aktuale në Kosovë dhe ç'masa janë duke u marrë?

Situatën aktuale në Kosovë e konsiderojmë tepër të rëndë. Janë marrë të gjitha masat për të përballuar çdo lloj zhvillimi përkeqësues të kësaj situate. Gjithashtu, së bashku me Komisaritin e Lartë të Refugjatëve, zyrën që kanë këtu, po bëjmë gjithë ç'është e mundur për të qenë të gatshëm të ndihmojmë flukset e refugjatëve kosovarë, të cilët tashmë janë prezentë. Duhet shtuar se edhe në aspektin diplomatik, po bëjmë të gjitha përpjekjet, që të jemi ne, zëri më i ashpër në qarqet diplomatike ndërkombëtare. Presim dhe kemi kërkuar me këmbëngulje, që mbledhja e Grupit të Kontaktit të ketë masa të rrepta në drejtim të embargos dhe detyrimit ndaj Jugosllavisë të tërhiqet nga kjo rrugë.

-Në rast të përfshirjes së pashmangshme nga lufta, cili do jetë qëndrimi shqiptar?

-Ne urojmë dhe po përpiqemi që të mos ketë luftë. Por për çdo mundësi përfshirjeje, ne do të bëjmë detyrën që i takon çdo shteti.

Sali Berisha (pjesë nga fjalimi në Salzburg)

Konflikti Kosovë tashmë ka filluar. Bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë përpjekje për të mbrojtur një popull të paarmatosur në kohën që Millosheviçit duhet t'i tregojë më shumë shkopin se karotën. Duke bërë gabime të ngjashme me ato të Bosnjës bashkësia ndërkombëtare tregon se është prekur nga "virusi i Bosnjës" dhe prandaj unë dyshoj lidhur me mundësitë për parandalimin e konfliktit. RUDINA XHUNGA

Liberale Newsroom

A duhet të mbajë Berisha, si kryetari i opozitës, përgjegjësinë kryesore për humbjen në zgjedhjet parlamentare të 15 majit 2025?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH