Shumë njerëz mendojnë se depresioni është thjesht një trishtim i thellë. Por në të vërtetë, depresioni është një sëmundje mendore serioze dhe shumë më e ndërlikuar se thjesht ndjenja e trishtimit.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, më shumë se 300 milionë njerëz në botë vuajnë nga depresioni, dhe numri është rritur pas pandemisë.
Si dallohet depresioni nga trishtimi i zakonshëm?
Kur dikush është i trishtuar, kjo zakonisht zgjat pak kohë dhe lidhet me një arsye të caktuar. Ndërsa depresioni zgjat më shumë, prek mënyrën si personi mendon, ndjen dhe vepron, dhe ndikon negativisht në jetën e përditshme.
Shenjat më të zakonshme të depresionit janë:
Mungesa e shpresës: ndjenja se gjërat nuk do përmirësohen.
Humbja e interesit: aktivitetet që dikur të bënin të lumtur tani nuk të japin kënaqësi.
Lodhje e vazhdueshme: ndihesh pa energji edhe kur nuk ke bërë asgjë.
Ndryshime në oreks: ose nuk ke fare oreks, ose ha më shumë se zakonisht.
Vështirësi në përqendrim dhe gjumë.
Luhatje humori: një moment i lumtur, momentin tjetër në lot pa ndonjë arsye të qartë.
Mungesë dëshire seksuale.
Ndjenja faji ose pavlerësie.
Depresioni te burrat dhe gratë
Depresioni mund të shfaqet ndryshe te burrat dhe gratë. Shpesh burrat ndihen më nervozë, bëhen agresivë, ose përdorin alkool e substanca për të “fshehur” vuajtjen. Edhe pse kanë nevojë për ndihmë, shumë prej tyre nuk kërkojnë ndihmë profesionale.
Kur të kërkosh ndihmë?
Nëse ti ose dikush që njeh ka këto shenja për më shumë se dy javë, është shumë e rëndësishme të kontaktoni një mjek ose psikolog. Sa më shpejt të trajtohet depresioni, aq më mirë është për shëndetin dhe jetën e personit.
Si mund të ndihmojmë dikë me depresion?
Mos e gjykoni.
Dëgjojeni me kujdes.
Nxiteni të kërkojë ndihmë profesionale.
Kaloni kohë me të, qoftë edhe për një shëtitje ose një bisedë të thjeshtë.
Mos harroni: depresioni është një sëmundje që trajtohet. Me ndihmën e duhur, shumë njerëz arrijnë të ndihen më mirë dhe të rikthejnë gëzimin në jetën e tyre.