Viola Shkulaku
Shpeshherë ndodh që ta kapim veten duke bërë blerje të panevojshme, për të cilat më vonë mund të pendohemi. Ky fenomen njihet ndryshe si blerje impulsive, që më pas na çon në stres financiar dhe mund të bëhet shkak edhe për lindjen e konflikteve në familje.
Mirëpo ka disa njerëz, që e bëjnë këtë në mënyrë të vazhdueshme, derisa pësojnë një lloj çrregullimi psikologjik, i cili quhet, “Çrregullimi i Blerjes Kompulsive”.
Ky çrregullim karakterizohet nga episode të ndryshme, në të cilat personi, qoftë grua apo burrë përjeton një impuls të papërmbajtshëm për të bërë blerje edhe të panevojshme ose të tepruara.
Por janë të shumta shkaqet të cilat të çojnë drejt këtij çrregullimi dhe disa prej tyre po i renditim më poshtë:
Blejmë për nevojë, siguri dhe përkatësi
Psikologia Elsida Sinaj thotë se, ne i blejmë gjërat për të cilat nuk kemi nevojë, pasi njeriu ka shumë dëshira dhe nevoja për të përmbushur dhe kjo krijon një lloj motivimi.
Sipas saj, kur njeriu plotëson nevojat bazë si; ushqimi, uji dhe strehimi, atëherë kërkon të ngjitet më lart, në atë që psikologu amerikan, Abraham Maslow e quan “Piramida e Nevojave”.
Pedagogia e Universitetit Europian të Tiranës thotë se, njeriu kërkon jo vetëm nevojat bazike, por edhe siguri e më pas, përkatësi dhe dashuri.
“Në momentin që nevojat bazike fiziologjike plotësohen, njeriu do të kërkojë të plotësojë nevojat e tij të sigurisë. Pasi plotësohet dhe kjo nevojë e sigurisë, njeriu do të kërkojë të ngjitet më lart në piramidë, për të përmbushur nevojën për përkatësi dhe dashuri”, shprehet psikologia.
Ndjejmë kënaqësi
Një tjetër arsye, e cila i bën njerëzit të shpenzojnë, është fakti që i bëjnë të ndihen mire ose iu sjell kënaqësi. Megjithatë, sipas psikologes Sinaj, kjo kënaqësi zakonisht është jetëshkurtër.
“Kjo mund të çojë në një dëshirë për të blerë më shumë artikuj për të plotësuar zotërimin e ri, duke krijuar një cikël konsumi. Sa më shumë zotërime që fitojmë, aq më shumë ndiejmë nevojën për të fituar më shumë për të bërë gjithçka të përshtatet së bashku dhe për të krijuar një imazh koheziv për veten tonë. Kjo mund të çojë në blerjen e gjërave, që nuk na duhen dhe madje mund të çojë në ndjenja pakënaqësie ndërsa vazhdojmë të fitojmë më shumë zotërime për t'u përpjekur të mbushim një boshllëk”, thotë ajo.
Si ndikojnë reklamat në mediat sociale
Media dhe rrjetet sociale luajnë një rol të rëndësishëm, për të ndikuar që ne të blejmë produkte. Sipas pedagoges së UET, kjo ndonjëherë ndodh edhe në mënyrë të pavetëdijshme.
Të qënurit në kontakt të vazhdueshëm me median, në forma të ndryshme na rrit dëshirën për të blerë produkte të ndryshme, që jo domosdoshmërisht i kemi të nevojshme.
“Reklamat përdorin një gjuhë shumë bindëse, dhe mesazhet që përcjellim na rrisin dëshirën për ta realizuar sa më parë sjelljen (blerjen). Përmes përdorimit të mediave sociale kemi dhe një lloj rritjeje të presionit social, i cili gjithashtu ndikon tek ne në rritjen e nevojës për të bërë blerje të panevojshme. Ne mund të mendojmë se duhet të jemi në përputhje me pritshmëritë e miqve ose të familjes, dhe për të qenë të pranuar duhet të bëjmë blerje. Ne gjithashtu mund të ndiejmë presion për të blerë gjëra, që nuk na duhen për t'u bërë përshtypje të tjerëve ose për të na shikuar pozitivisht”, thotë psikologia.
Çfarë duhet patur parasysh
Sipas psikologes, Elsida Sinaj është e rëndësishme të theksohet se, ndërsa pasuritë mund të jenë një burim kënaqësie dhe mund të rrisin vetëvlerësimin, kur ia lidhim vetë-identitetin tonë, ato mund të bëhen burim stresi dhe pakënaqësie.
“Është e rëndësishme të kemi një ekuilibër dhe të mos lejojmë që zotërimet të përcaktojnë se kush jemi“, përfundon ajo. /Liberale.al