Viliem Kurtulaj
Nuk e di nëse pohimi i Foucault-së se çdo diskurs prodhon të vërteta, dhe rrjedhimisht prodhon pushtet, është i vërtetë, por besoj se diskurset, në përgjithësi, prodhojnë pushtet. Dikush mund të thotë se pushteti prodhohet kryesisht nga forca dhe jo nga diskurset. Në fakt, koncepti i pushtetit është trajtuar nga shumë autorë në fusha të ndryshme të shkencave shoqërore dhe secili prej tyre i ka dhënë këtij termi veçori specifike. Mirëpo, pushteti, në këtë artikull, ka karakter Foucault-ian, që do të thotë se nënkupton që disa njerëz mund të përcaktojnë në mënyrë pak a shumë të plotë sjelljen e njerëzve të tjerë – pak a shumë, por kurrë krejtësisht dhe as nëpërmjet forcës. Njeriu i rrahur e i lidhur me pranga i nënshtrohet forcës që ushtrohet mbi të, por jo pushtetit.
Pushteti këtu nuk konceptohet si diçka ekskluzive që i përket tërësisht dikujt dhe aspak dikujt tjetër. Pushteti nuk mund të trajtohet si një objekt që mund të jepet, shkëmbehet ose rikuperohet, por si një veprim/aksion që mund të ushtrohet. Pushteti nuk është kurrë i qendërzuar vetëm në një vend ose vetëm në zotërimin e vetëm një individi. Trupa, gjeste, diskurse dhe dëshira të caktuara janë disa nga efektet kryesore të pushtetit që mund të identifikojnë dhe formojnë individë. Një person është njëkohësisht efekt i pushtetit dhe element i artikulimit të pushtetit. Pra pushteti përbën individin, por në të njëjtën kohë janë individët ata që i japin formë pushtetit. Individi është një mjet i pushtetit si ushtrues, transportues dhe si rezultat.
Bazuar në qasjet e shumë studiuesve dhe filozofëve, si Foucault, Biesta, etj., mund të thuhet se institucionet arsimore janë një lloj institucioni komunikimi ku ushtrohet pushtet gjithashtu. Për më tepër, sipas Foucault, ajo që i dallon institucionet arsimore nga burgjet, spitalet dhe ushtritë është se institucionet arsimore e vënë theksin më shumë te komunikimi sesa te kapaciteti apo pushteti. Pra, nuk ka dyshim se komunikimi është një element shumë i rëndësishëm në shkolla. Pushteti i ushtruar gjatë komunikimit në auditor është i gjithanshëm dhe mund të vijë nga të gjithë pjesëmarrësit, natyrisht në përmasa të ndryshme. Jashtëzakonisht shumë rrallë mund të ndodhë që ushtrimi i pushtetit të jetë i njëanshëm. Në institucionet arsimore, ata që supozohet të ushtrojnë pushtet (mësimdhënësit) janë të ekspozuar ndaj marrëdhënieve të pushtetit, ndoshta po aq sa ata mbi të cilët supozohet se ushtrohet pushtet (nxënësit/studentët). Jo rrallë herë mësuesit punojnë nën një presion të padukshme nga ata mbi të cilët supozohet se ushtrohet pushteti. Është fakt i pamohueshëm se edhe nxënësit/studentët ushtrojnë trysni mbi mësuesit/lektorët përmes komunikimit, sjelljes apo gjesteve. Mësuesit gjithashtu mund të ndiejnë trysni nga nxënësit edhe nëse këta të fundit nuk shprehen me fjalë, për shembull nëpërmjet vështrimeve apo mimikave të tyre, ashtu siç, shpesh, nxënësit e ndiejnë trysninë e mësuesve edhe kur mësuesit nuk flasin apo nuk kanë nevojë të flasin./Liberale.al/