Aktualitet

Universitetet, pse duhet të renditen

Shkruar nga Liberale

Kolana UET Press – 15 vjet

Titulli: Universiteti  & kërkimi

Autor: Prof. Dr. Përparim Fuga

Prof. Dr. Përparim Fuga

Ndërsa pjesa tjetër e botës pushon dhe argëtohet në verë, maturantët duhet të përballen me pasiguritë që shoqërojnë pyetjen: “ku do të arsimohem?” Cila degë është më e preferuar në treg? Cili universitet ka reputacionin më të mirë? Nuk mjaftojnë më zërat apo reklamat mediatike në prag sezoni akademik për të zgjedhur universitetin ku do të kalosh tre vitet e ardhshëm të jetës tënde me pritshmëritë e mëdha për karrierë të suksesshme. Një vendim i rëndësishëm për trajektoret e së ardhmes ka nevojë të ketë përpara edhe informacionin e duhur. Informacion i cili sigurohet përmes renditjeve që kompani të besueshme në të gjithë botën u bëjnë institucioneve të arsimit të lartë mbi nivelin, cilësinë e programeve të shkollimit apo edhe infrastrukturën dhe facilitetet e ofruara. Në bazë të saj studentët dhe prindërit orientohen në përzgjedhjen e universitetit, të cilit më pas do t’i drejtohen për të ndjekur studimet në profilin e dëshiruar.

Cilat janë renditjet më të njohura të universiteteve në botë?

Njihen disa renditje, por më të njohurat janë ajo që zhvillohet nga Times Higher Education, nga Universiteti i Shangait, nga gazeta Financial Times, kompania gjermane CHE (Centre for Higher Education), etj. Kompania gjermane CHE është edhe kompania që realizoi renditjen e universiteteve në Shqipëri gjatë vitit 2010 – 2011.

Mbi ç’kritere kryhen këto renditje?

Renditja e universiteteve bazohet në metodologji të studiuara me kujdes, që analizojnë saktë të dhënat statistikore nga shumë universitete të botës, si edhe të sondazheve me pedagogë, studentë apo publikun. Nuk është një proces i lehtë, pasi jo vetëm që duhen mbledhur e analizuar një volum i madh të dhënash, por edhe kur këto disponohen, është e vështirë të krahasohen mes tyre, pasi vetë universitetet diferencojnë mes tyre nga lloji i dijeve që transmetojnë, vendit ku e ushtrojnë aktivitetin e tyre, subjektivitetit të informacionit të fituar nga sondazhet me studentë apo publikun, etj.

Kështu, për hartimin e metodologjisë së përdorur nga Times, janë angazhuar mbi 50 ekspertë dhe është punuar mbi 10 muaj. Vlerësimi ka përfshirë me mijëra universitete dhe është finalizuar me një listë të 200 universiteteve elitare në shkallë botërore.

Në metodologjinë e përdorur nga Times janë përfshirë mbi 13 indikatorë, duke filluar nga ata që vlerësojnë kërkimin shkencor e zbulimet fondamentale, deri tek përfshirja e studentëve në aktivitete social–kulturore, etj. Edhe në metodologjinë e përdorur nga Universiteti i Shangait përdoren thuajse po këta indikatorë, por ata përdorin edhe tregues të tjerë si numri i çmimeve “Nobel” të fituar nga të diplomuarit në universitetet që i nënshtrohen vlerësimit, etj.

Indikatorët në të cilët bazohen thuajse të gjitha renditjet përfshijnë përgjithësisht 5 fusha kryesore të veprimtarisë akademike: a) mësimdhënia, b) arritjet në fushën e kërkimit shkencor, c) publikimet e personelit akademik të artikujve me faktor impakti dhe indeks të lartë të citimit, d) përfitimi financiar nga “shitja” e produktit (patentave) shkencor dhe së fundmi e) shkalla e ndërkombëtarizimit të universitetit, e vlerësuar kjo përmes përfshirjes së personelit akademik të huaj në proceset akademike, të pranisë së studentëve të huaj në universitetin që vlerësohet si dhe të shkëmbimit të studentëve nga ky universitet në universitete të tjera jashtë vendit.

Nga rezultatet e fundit cilët universitete janë renditur si më të mirët ?

Nëse i referohemi renditjes më të fundit nga Times, duket qartë dominimi i kreut të renditjes nga universitetet amerikane, që zënë 75 vende ndër 200 universitetet e renditura në krye; më pas renditen universitetet angleze që zënë 33 vende ndër 200 të vlerësuar, më tej Holanda dhe Gjermania me nga 12 universitete brenda kësaj liste prej 200 universitetesh, e me radhë Kanadaja me 9, Australia e Zvicra me 7, Franca e Suedia me 5, Japonia me 4 , Danimarka, Belgjika dhe Kina me 3 e Norvegjia e Izraeli me 2 universitete brenda 200 universiteteve të kreut. Të dhënat tregojnë qartë se ka një dominim të universiteteve anglosaksone, dhe ky dominim shfaqet edhe nga renditje të kryera nga institucione të tjera të specializuara.

Sipas renditjes së raportuar nga Times, në krye të universiteteve elitare qëndron instituti Teknologjik i Kalifornisë, i pasuar nga rivali i përhershëm i tij, Universiteti i Harvardit. Pas universiteteve amerikane, një grup dinjitoz zënë ato angleze që kryesohen nga Universiteti i Oksfordit, i renditur i katërti në listën e 200 universiteteve më të mira, ndërsa rivali i përhershëm i tij, Universiteti i Kembrixhit është renditur i gjashti. Theksoj se ndër 10 universitetet që kryesojnë listën e sipërpërmendur, 7 prej tyre janë amerikanë dhe 3 anglezë. Dua të vë në dukje disa konstatime që shfaqen qartë në renditjen e prezantuar nga Times, por edhe nga renditje të tjera.

Duket që dominojnë bindshëm universitetet anglo-saksone, po ato të Lindjes si janë të renditur në listat botërore?

Duke përjashtuar Universitetin e Pekinit, i renditur në vendin e 50, asnjë universitet nga shtetet postkomuniste nuk është mes listës së 200 institucioneve të larta arsimore elitare. Madje në këtë listë nuk renditet asnjë universitet nga Rusia, e njohur dikur për shkolla të larta cilësore. Arsyet mund të jenë të shumta, duke filluar nga “erozioni” i trurit, mungesa e të dhënave statistikore të mjaftueshme, e deri te financimet e pakta për kërkim shkencor e zhvillim teknologjik në këto vende që kanë qënë në tranzicion social dhe ekonomik. Gjithashtu, asnjë universitet nga Italia, Spanja, Greqia, Amerika Latine apo Afrika si dhe nga vendet e Ballkanit nuk gjendet mes listës së 200 universiteteve elitare. Madje edhe universitetet franceze, gjermane e italiane kanë lënë boshllëk të madh me mospraninë e tyre, në raport me popullsinë e këtyre vendeve dhe të studentëve që ndjekin studimet në këta universitete.

Vitin e kaluar në vendin tonë u krye një proces pilot rankimi i universiteteve. Ku u bazua më konkretisht ai?

Procesi i rankimit ishte një përvoje pozitive dhe Universiteti Europian i Tiranës e pranoi menjëherë sfidën dhe iu nënshtrua me transparencë maksimale vlerësimit nga një kompani e specializuar, si kompania gjermane CHE.

Dua të sqaroj se procesi i renditjes nga ana e kompanisë gjermane nuk synonte të klasifikonte universitetet, duke i renditur ata nga i pari tek i fundit. Është ky keqkuptim, me apo pa dashje, që përmes medias krijon konfuzion pasi secili universitet apo institucion i arsimit të lartë pretendon se “është renditur i pari” në klasifikimin e realizuar. Renditja e realizuar nga kompania gjermane ishte e para e kryer në vendin tonë, ajo synonte të vlerësonte vetëm programet e studimit, madje edhe mes tyre vetëm ato në fushën e shkencave sociale, të ekonomisë, të drejtësisë, të infermierisë, etj, ndërsa në proces nuk parashikohej vlerësimi i programeve nga fusha e shkencave natyrore, teknike, etj.

Si u klasifikuan programet e studimit për secilin universitet?

Që në fillim të procesit të renditjes u tha qartë nga kompania CHE dhe institucionet akredituese shqiptare se vlerësimi do të fokusohej në cilësinë e programeve të studimit dhe mundësive që dispononin universitetet për t’i realizuar ato me cilësinë e dëshiruar. Vlerësimi mundësonte klasifikim e këtyre programeve në tre grupe të mëdha: a) shumë të mirë, b) të mirë dhe c) të dobët. Renditja e programeve të Universitetit Europian të Tiranës u klasifikua në shumicën e tyre si shumë e mirë, në të tre fakultetet: juridik, ekonomik dhe ai i shkencave sociale. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH