Universitet

Presidenti i UET, Selami Xhepa: Studentët e huaj, sfida jonë e re për ndërkombëtarizimin e plotë

Shkruar nga Liberale

Presidenti i UET, Selami Xhepa: Studentët e huaj, sfida jonë e re

Nga Erasmus Plus, te licencimi i programeve në gjuhën angleze, akreditimi nga Agjencia Britanike e Sigurimit të Cilësisë, te rritja e numrit të studentëve të huaj dhe rekrutimi i pedagogëve nga universitetet prestigjioze. Presidenti Selami Xhepa tregon sfidat e reja në procesin e ndërkombëtarizimit dhe atë çfarë UET ofron për të huajt

“Një eksperiencë që pasuron jetën studentore dhe atë shoqërore”. Të tillë e cilëson Prof. Asoc. Dr. Selami Xhepa ardhjen e studentëve në huaj në Universitetin Europian të Tiranës, numri i të cilëve është rritur nga viti në vit. Jo vetëm përmes shkëmbimeve Erasmus Plus, ku studentët e huaj vijnë për të studiuar për një ose dy semestra në UET, por studentë që vijnë për të përmbyllur ciklin bachelor e master, me plane për të punuar dhe jetuar në Shqipëri.

Presidenti i UET, Selami Xhepa thotë se ardhja e këtyre studentëve është një hap i rëndësishëm i procesit të ndërkombëtarizimit të universitetit, ndërsa pranon me keqardhje se arsimi i lartë ka qenë përgjithësisht i mbyllur përgjatë këtyre viteve të tranzicionit. Kjo është sipas tij edhe arsyeja pse numri i studentëve të huaj që zgjedhin vendin tonë vijon të mbetet i ulët, ndërsa thekson se kjo nuk i ka ndalur përpjekjet e Universitetit Europian të Tiranës për të qenë i hapur ndaj studentëve të huaj, bashkëpunimeve e shkëmbimeve ndërkombëtare.

“Programet e Erasmus, shkëmbimet që kemi pasur që nga fillimet tona, kanë qenë një lloj përshtatjeje dhe përgatitjeje për t’u përballur me konkurrencën ndërkombëtare. Hapi i radhës tashmë është ndërkombëtarizimi në konceptin e plotë, që nënkupton tërheqjen e studentëve nga jashtë, të cilët vijnë për të kryer një program të plotë studimor dhe marrin një diplomë nga një universitet shqiptar”, nënvizon Xhepa.

Thotë se kjo është një praktikë e re për tregun e edukimit, i cili si çdo fushë tjetër e zhvillimit shoqëror duhet të përballet me ndryshimet dhe risitë në tregun global. Jo vetëm përfshirja në projektet Erasmus Plus dhe shkëmbimet mes studentëve, stafeve akademike dhe administrative, por UET ka ndërmarrë hapa të tjerë në ndërkombëtarizim.

“Kemi filluar gjatë dy- tre viteve të fundit me licencimin e programeve në gjuhë të huaj dhe kemi marrë akreditimin nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë (QAA), që është agjencia më prestigjioze”, thekson presidenti i UET.

Universiteti Europian i Tiranës ka qenë pioner në fushën e ndërkombëtarizimit dhe i pari universitet në Shqipëri që ka marrë akreditimin nga një agjenci ndërkombëtare, duke i bërë të vlefshme programet dhe diplomat në tregun ndërkombëtar.

Aktualisht ky universitet ofron disa programe në gjuhën angleze, në ciklet bachelor dhe master: Financë; Informatikë Biznesi; Inxhinieria Informatike; Master në Shkencat Politike, për Integrim dhe Qeverisje (PoSIG), i cili ofrohet në bashkëpunim me universitetin e Salzburgut, Austri dhe që siguron diplomë dyfishe.

Presidenti Xhepa thotë se një tjetër nismë që ka ndërmarrë UET është rekrutimi i stafit ndërkombëtar për shkak se programet e reja dhe zhvillimet, në veçanti ato teknologjike, kërkojnë një staf shumë më të specializuar në ato disiplina që janë në avangardë të shkencës dhe  teknologjisë.

“Ne po targetojmë pedagogë shqiptarë që janë aktualisht në universitetet prestigjioze, qoftë në Europë dhe vendet e tjera, të cilët mund të vijnë dhe t’i angazhojmë në  trajtën e mësimdhënies nëpër module të veçanta, por edhe ekspertë ndërkombëtare”.

Sipas statistikave, kërkesat e studentëve të huaj për të studiuar në vendin tonë vijnë nga shumë vende të Ballkanit, Azisë dhe Lindjes së Largët apo vende të Europës Lindore, të cilëve iu duket atraktive Shqipëria, sigurojnë një diplomë ndërkombëtare dhe mbi të gjitha i mbyllin studimet me kosto më të ulët sesa në universitetet e tjera.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH