E nisi si mësues anglishteje në gjimnazin “Asim Vokshi” të Bajram Currit, për të prekur auditorët e Kolegjit St’ Antony në Universitetin e Oksfordit, në vitet 1997-1998. Punoi për rreth 11 vjet si drejtues i Zyrës së Marrëdhënieve me Jashtë në Universitetin “Luigj Gurakuqi” dhe pas dy dekadash rikthehet si rektori tij. Me eksperiencën e një jete në arsim, ish-rektori më jetëgjatë i UET, Prof. Dr. Tonin Gjuraj merr detyrën e re, ndoshta atë më të vështirën e jetës së tij.
Dy vite e larguan nga auditori dhe universiteti. Ishin dy vitet e shërbimit të tij si ambasador i Shqipërisë në Izrael, 2007-2009. Jo se nuk i shënjoi jetën kjo eksperiencë, por jo aq fortë sa ta lidhte pas vetes për një mandat të plotë, e as për t’i injektuar ambicien e një karriere diplomatike. Në të kundërt, mund të ishte një fitore e marrëdhënieve ndërkombëtare, e një humbje e katedrave akademike. “Dhashë dorëheqjen nga pozicioni dhe erdha në UET”, kujton profesori.
Në fakt njohja e tij me UET daton që në vitin e themelimit, në 2006, kur u emërua dekani i parë i Fakultetit të Shkencave Sociale. Një rrugëtim i gjatë 18-vjeçar i shoqëruar me shumë sfida, përgjegjësi, vendimmarrje, arritje profesionale e institucionale. “Ishte një udhëtim i jashtëzakonshëm që filloi me themelimin e universitetit dhe u zhvillua në një mënyrë që asnjëri prej nesh nuk e kishte imagjinuar”, kujtoi Gjuraj në ceremoninë e diplomimit të studentëve të bachelorit, në fjalën e fundit si rektor i UET.
Dekan, pedagog, kontribuues përmes botimeve akademike e shkencore, drejtues i shumë proceseve të rëndësishme të zgjerimit e ndërkombëtarizimit të Universitetit Europian tëTiranës. Detyrën si rektor i UET e ka mbajtur për vite me radhë gjatë periudhës 2010-2018. U tërhoq nga ky post për t’iu rikthyer sërish për një mandat të tretë e të fundit të cilin e mbylli në qershor të 2024.
Tashmë fokusin e kishte në qytetin e Shkodrës, në Universitetin “Luigj Gurakuqi”. “Është një kthim në rrënjët e mia, në vendin ku fillova karrierën time akademike”, shprehet ai. Jo një vendim nostalgjik, e as për ndonjë ambicie të shfrenuar për të qenë në postin më të lartë të këtij universiteti, që mban veçse emrin e një veprimtari të madh. Zgjedhjet e 21 qershorit e shpallën fitues. Ankimimi i kandidates tjetër për rezultatin e ngushtë u rrëzua nga Komisioni i Apelimit të Universitetit të Shkodrës, ndërsa dy ditë më parë presidenti Bajram Begaj dekretoi emërimin e tij si rektor i Universitetit “Luigj Gurakuqi”.
“E konsideroj këtë detyrë si detyrim për kontribut ndaj Shkodrës”, do të shprehej në një postim mirënjohjeje në rrjetet sociale, duke premtuar përkushtim, transparencë, seriozitet e drejtësi, për ta kthyer këtë institucion në traditën e vet më të mirë e më të denjë për qytetin. Ndoshta në atë kohë kur ai e kujton si student, e ku mes leksionesh e diskutimesh akademike, gjeti edhe dashurinë e jetës së tij.
Në një epokë transformimesh, ndryshimesh, zhvillimesh teknologjike e përshtatjesh, gjithmonë ka nevojë për identitet, për rrënjë, ka nevojë për rizbulim. Këtë kërkim të thellë e të përhershëm brenda vetes, Gjuraj e ka gjetur mes vargjeve të Thomas Stearns Eliot.
Ne s’do të rreshtim së kërkuari
Dhe fundi i gjithë kërkimeve tona
Me mbërritë është aty ku u nisëm
E me njoftë vendin për të parën herë.
I ka mbajtur gjatë gjithë jetës pranë fjalët e poetit të preferuar, e tani duket se ka ardhur koha t’i ndjekë me një përpikmëri profetike, përmes një vetëdijësimi të thellë për t’i kthyer me bujari asaj që i dha identitet.
Duke rrugëtuar pas në kohë, kujton se që në fëmijëri ka dashur mësimdhënien. Kur mbaroi studimet për Filologji Angleze u emërua si mësues në rrethin e Tropojës. Një 22-vjeçar që fliste anglisht në një klasë gjimnazistësh, nuk u gjend i huaj. Thotë se nxënësit ishin të pasionuar, e donin gjuhën dhe e ndiqnin orën e mësimit me shumë vëmendje.
Eksperienca e parë me auditorët universitarë, tashmë si pedagog, do të ishte në 1995. Sapo ishte kthyer nga studimet master në Central European University në Pragë, me dëshirën për të sjellë në auditorë shqiptarë një frymë të re dhe një këndvështrim ndryshe, për të nxitur kreativitetin e të menduarit kritik te studentët. E mban fort të ngulitur në memorie këtë moment, edhe për shkak të një arritjeje të hershme profesionale. Falë sugjerimit që bëri në Senat, për herë të parë në auditorët shqiptarë u fut lënda e Shkrimit Akademik, që sigurisht iu besua atij.
Marrja e titullit Doktor i Shkencave në Sociologji në Universitetin e Tiranës zgjeroi fushën e kërkimit dhe zhvillimit profesional. Një tjetër eksperiencë e vyer akademike ishte realizimi i studimeve post doktorale në Kolegjin St’ Anthony në Universitetin e Oxfordit, në vitet 1997-1998. Ka ndjekur më pas kurse e specializime në SHBA, Norvegji, Itali, Holandë, Gjermani etj. Për rreth 11 vite punoi si drejtues Zyrës së Marrëdhënieve me Jashtë në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, për t’iu bashkëngjitur më pas rrugëtimit të gjatë të Universitetit Europian të Tiranës.
Në fjalën e fundit si rektor nkëtë moment nkëtë moment korrik tkëtë moment 2024, Gjuraj përmendi disa nga arritjet më domethënëse të UET-it ndër vite, duke falënderuar një për një drejtuesit, kolegët e bashkëpunëtorët më të afërt.
“Ky universitet ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë një pjesë e rëndësishme e jetës sime profesionale dhe personale”, do të theksonte ai, me bindjen e plotë se rrugët akademike e universitare nuk ndërpriten kurrë. Janë të pafundme dhe të çojnë gjithkund.