Polis

Një aplikacion web që do të analizojë lajmet për integrimin e Shqipërisë në BE/ Shpallet fituesi i konkursit në UET

Shkruar nga Liberale

Një aplikacion web që do të analizojë lajmet për

Pas dy muajve intensive pune, mentorimi e workshop-esh, është përmbyllur me sukses konkursi “Inovacion në Gazetari”me krijimin e një aplikacioni web që do të analizojë tekstet e lajmeve online. Ky konkurs erdhi në kuadër të projektit “Data Journalism dhe Integrimi në BE” që po zhvillon Fakulteti i Shkencave Humane dhe Edukimit të Arteve Liberale, nën drejtimin e dekanes, Prof. Asoc. Dr. Belina Budini.

Artificial Intelligence Media- Digital Union është aplikacioni web fitues i konkursit “Inovacion në gazetari”, të iniciuar dy muaj më parë nga dy departamentet e Universitetit Europian të Tiranës: Departamenti i Shkencave Humane dhe Komunikimit dhe Departamenti i Informatikës dhe Teknologjisë. AIM-Digital Union u përzgjodh nga pedagogët si projekti më i vlefshëm, që përmbush kërkesat e lançuara në fillim të konkursit, për të analizuar tekstet e lajmeve në internet që kanë të bëjnë me çështjen e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Projekti u punua nga shtatë studentë të programeve të ndryshme të studimit: Paulina Velçani, Ergi Prifti, Melisa Mema, Sibora Këllezi, Ensild Hallanjaku, Enkelana Shoku dhe Mateo Jasharllari. Në prezantimin e projektit të tyre, përmes demonstrimeve, studentët shpjeguan se duke futur linkun e një lajmi në website gjenerohet një përshkrim analizues i tekstit të lajmit.

Një aplikacion web që do të analizojë lajmet për

Në garë ishin edhe dy projekte të tjera: Projekti 5Gen, i cili zuri vendin e dytë, i përgatitur nga studentët Elfat Memaj, Keris Babliku, Migena Këri, Daniel Hudhra, Flavio Skoti; Projekti Media Eyes në vendin e tretë u ideua dhe realizua nga studentja Sara Xhafa. Grupet fituese morën secili nga një çmim simbolik financiar, ndërsa për të gjithë konkurrentët u dhanë certifikata pjesëmarrjeje.

Dekania e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, prof. asoc. dr. Belina Budini vlerësoi punën e grupeve pjesëmarrëse duke u shprehur se kishin kaluar të gjitha pritshmëritë përmes këtij angazhimi serioz përtej detyrimeve akademike.

“I keni kaluar pritshëmritë tona sepse kjo ka edhe një dorë sipërmarrjeje dhe kërkon një angazhim ekstrakurrikular që nuk e keni te pjesa e studimeve akademike të mirëfillta apo te drejtpërdrejta, por i jeni përgjigjur thirrjes sonë për të ndërtuar një produkt që ka edhe impakt, edhe përmbajtje akademike njëkohësisht, pasi është web ose aplikacion mobile. Nga ana tjetër na shërben ne për të bërë analizë teksti. Ne do ta vendosim në shërbim të studimeve tona dhe të projekteve kërkimore në universitet”, theksoi Budini.

E veçanta e këtij konkursi, përveç produktit që është inovacion për mjedisin mediatik shqiptar, ishte ndërdisiplinariteti duke bashkuar kështu studentët nga programe të ndryshme studimi, nga IT, Komunikimi, Gazetaria, Grafik Dizajn etj.

Një aplikacion web që do të analizojë lajmet për

Dekania Budini tha se shpreson që ky konkurs të bëhet nxitje për studentët e tjerë, që të zhvillojnë projekte të ngjashme, ndërsa sugjeroi studentët e këtij kompeticioni të zhvillojnë më tej produktet, pse jo të përdoren në një treg më të gjerë.

“Janë prona juaj intelektuale dhe mund t’i përdorni më vonë për përfitimet tuaja. Ky është një lloj ekspozitori për të na treguar si e keni ndërtuar aplikacionin, si mund të vendoset në përdorim nga ana akademike dhe nga studentë të tjerë për punë kërkimore, apo projekte të tjera aplikative.”

Gjatë gjithë punës dymujore studentët kanë qenë nën mentorimin e vazhdueshmë të pedagogëgëve të departamenteve përkatëse, si: Dokt. Anxhela Ferhataj, Dokt. Dritan Idrizi, Dokt. Erisela Marko, Dokt. Marisa Dhoska. Për ta janë realizuar gjithashtu workshop-e me pjesëmarrjen e pedagogëve të tjerë.

Pjesë e skuadrës dhe gjithë procesit të punës ka qenë Mirjeta Pasha, matematiciene pranë Tufts University, Massachusetts Institute of Technology (MIT) dhe Virginia Tech University.

Konkursi “Inovacion në Gazetari” erdhi në kuadër të projektit “Data Journalism dhe Integrimi në BE” që po zhvillon Fakulteti i Shkencave Humane dhe Edukimit të Arteve Liberale, nën drejtimin e dekanes, Prof. Asoc. Dr. Belina Budini. Në fakt, “Gazetaria e të dhënave digjitale” është profili më i ri i studimeve master në UET, si pjesë e programit Komunikim dhe Media Digjitale. Njëkohësisht është një risi, pasi UET është i pari universitet në Shqipëri që sjell këtë profil mjaft të kërkuar dhe të zhvilluar në Evropë e më gjerë.

Ky profil nisi si projekt i WEBJOU i Ermasus+, financuar nga BE, dhe aktualisht vjen me mbështetjen e projektit READ financuar nga AADF, ku në bashkëpunim me akademikë të diasporës, ofrohen njohuri ndërdisiplinare në fushën e mediave dhe të teknologjisë së informacionit në funksion të përgatitjes së studentëve.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH