Universitet

Ministri Balla, studentëve të UET: Po dilni nga ky universitet si qytetarë të përgjegjshëm, gati për të kontribuar

Shkruar nga Liberale

Ministri Balla, studentëve të UET: Po dilni nga ky universitet si

Fjalimi i plotë i ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, z. Taulant Balla, në ceremoninë e diplomimit Master 2024, UET

Kam qenë dëshmitar i momenteve të para të themelimit të këtij universiteti për shkak të njohjes me disa prej themeluesve dhe më vjen mirë që pas kaq shumë vitesh, ky universitet e ka merituar emrin Universiteti Europian i Tiranës. Mendoj se kjo do të përmbushet plotësisht me realizimin sa më shpejt të kampusitbtë ri të këtij universiteti.

Për ju djem e vajza që sot diplomoheni, dua t’ju uroj së pari sepse edhe unë shumë vite më parë e kam provuar këtë ndjesi. Është një ditë e jashtëzakonshme dhe një ditë për të festuar suksesin. Mos harroni se është dita e parë e një pikënisjeje, e një projekti të ri në jetën tuaj.

Diplomat që po merrni sot janë dëshmi e përpjekjeve tuaja, e përkushtimit dhe sakrificave dhe mbi të gjitha e sakrificave të prindërve tuaj të dashur.

Është e lehtë të mendosh se ky është fundi i një udhëtimi, por në të vërtetë ky është vetëm fillimi. Po dilni nga dyert e këtij universiteti shumë të nderuar si profesionistë të përgatitur dhe të pajisur me dijet dhe aftësitë e nevojshme për të përballuar sfidat e jetës, por ajo që është më e rëndësishme, ju po dilni nga dyert e këtij universiteti si qytetarë të përgjegjshëm, të përgatitur për të kontribuar në përparimin e Shqipërisë sonë të dashur.

Shpeshherë, diploma shoqërohet me pritshmëri të mëdha për të ardhmen. Kjo është një arritje e madhe, por tani, përpara jush, qëndron bota reale, e cila, përkundër mundësive që ofron, është gjithashtu e mbushur me sfida të shumta.

Çelësi për të përballuar këto sfida nuk qëndron vetëm në njohuritë që profesorët e profesoreshat e nderuara ju kanë dhënë gjatë studimeve tuaja, por edhe në mënyrën se si i përdorni ato për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për veten tuaj dhe për Shqipërinë tonë.

Duke qëndruar para jush sot, dua të kujtoj disa fjalë të mençura që i mbaj në vëmendje: “Matja e suksesit nuk bëhet në momente të qeta e të lehta, por në momentet e vështira, në ato momente kur jeta ju sjell sfida të papritura".

Suksesi juaj i vërtetë do të përcaktohet jo nga ato që do të arrini në kohë të mira, por nga mënyra si do të reagoni kur përballeni me pengesa.

Ju jeni brezi që ka fatin e madh që të hyjë dhe të japë kontributin e vet për Shqipërinë, në kapitullin e fundit pararendës të procesit përfundimtar në anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE. Mendoj se do të jeni brezi i cili do të ketë fatin e madh të kontribuojë për Shqipërinë si një anëtare me të drejta të plota në BE.

Shqipëria sot është një demokraci shumë e re, është një vend i cili nuk ka qenë kurrë kaq i respektuar në arenën ndërkombëtare në këto 112 vite, por natyrshëm që ka sfida të mëdha.

Unë jam i sigurt që në këto sfida që ka vendi ynë, në pozicione kyçe, në administratën publike, në sipërmarrjen private, do të ketë edhe djem e vajza që marrin sot këtë diplomë të përgatitjes suaj profesionale.

Nëse ka një gjë që unë kam mësuar në rrugëtimin tim të gjatë politik ështëbse nuk ka rrugë të shkurtra drejt suksesit.

Ka një shprehje të vjetër latine: Kush nxiton edhe gabon. Merreni ngadalë dhe jam i sigurt që nuk do të gaboni. Mendoj se jeta është e gjitha një mësim dhe kjo do të vazhdojë gjatë gjithë jetës.

Në fund, dua t'ju përgëzoj sinqerisht për këtë arritje të rëndësishme, t’i përgëzoj drejtuesit, themeluesit, stafin akademik të këtij universiteti, me shumë peshë në sistemin universitar shqiptar.

Ju keni treguar qëndrueshmëri, përkushtim dhe aftësi, dhe tani jeni të përgatitur për të bërë ndryshimin në botë.

Kam besim të plotë se shumë prej jush do të luajnë një rol të rëndësishëm në përparimin e Shqipërisë dhe në ndërtimin e një të ardhmeje më të ndritur për veten dhe shoqërinë.

Faleminderit për vëmendjen tuaj, dhe urime edhe një herë për të gjithë ju!

 

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH