
Përshtati dhe përgatiti për Liberale.al, Laert MIRAKU
Është zhvilluar një çelik me gjilpëra nanoskopike që shpojnë membranën qelizore të baktereve, duke i vrarë ato: funksionon në një mënyrë "mekanike" pa antibiotikë.
Një grup shkencëtarësh nga Georgia Tech kanë shpikur një çelik inox antibakterial që nuk ka nevojë të trajtohet me agjentë kimikë apo antibiotikë: i mbuluar me gjilpëra të gjata nanoskopike, metali fjalë për fjalë "shpon" membranën qelizore të baktereve, duke i vrarë ato. Detajet e studimit janë publikuar në revistën e nanoteknologjisë Small .
BAKTERET
Për ta bërë çelikun rezistent ndaj baktereve, studiuesit fillimisht e modifikuan atë duke e mbuluar me nanostruktura të ngjashme me gjilpërat e gjata, të cilat shpojnë membranën qelizore të baktereve; ata më pas depozituan jone bakri në sipërfaqe për të përmirësuar vetitë e tij antibakteriale.
EFIKASITET I LARTË
Vrasja e baktereve Gram-pozitive (të cilat kanë një membranë qelizore më të depërtueshme) është më e lehtë sesa vrasja e baktereve Gram-negative, të cilat kanë një membranë qelizore të trashë dhe me shumë shtresa. "Nëse ky lloj bakteri mbetet në sipërfaqe, ai përhapet me shpejtësi," shpjegon Anuja Tripathi, koordinatore e studimit.
Çeliku i modifikuar rezultoi efektiv në të dyja rastet, duke reduktuar praninë e E. Coli (një bakter gram-negativ) me 97% dhe atë të stafilokokut (Gram-pozitiv) me 99%.
NË SPITAL, NË RESTORANT, NË SHTËPI
Përdorimi minimal i bakrit e bën metamaterialin të prodhohet me kosto të ulët në një shkallë të gjerë: çeliku antibakterial mund të përdoret veçanërisht në fushën mjeko-kirurgjikale (për gërshërë, pincë ose tavolina operative) dhe në fusha spitalore (nga dorezat e dyerve deri te parmakët e shkallëve), por edhe në industrinë ushqimore (enë dhe kontejnerë), në kuzhinat e restoranteve dhe pse jo edhe në shtëpitë tona.
Hapi tjetër është testimi i efektivitetit të metamaterialit me baktere të tjera. "Megjithatë", nënvizon Tripathi, "meqenëse ai arriti të eliminojë një bakter të tillë rezistent si E. Coli, ka të ngjarë që çeliku të jetë efektiv edhe kundër baktereve të tjera të ngjashme."