Medicus

Dita Botërore e Shëndetit në FORUMET UET/ Drejtori i spitalit “Koço Gliozheni”: Në Shqipëri mungon kultura shëndetësore

Shkruar nga Liberale

Dita Botërore e Shëndetit në FORUMET UET/ Drejtori i spitalit

Treqind mijë nëna vdesin çdo vit gjatë lindjes. Dy milionë foshnja vdesin në muajt e parë dhe 2 milionë foshnja të tjera lindin të vdekura. Janë këto shifrat e publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Për të sensibilizuar qeveritë dhe komunitetet, në 77-vjetorin e themelimit të saj, OBSH ka nisur një fushatë një vjeçare nën moton “Fillime të shëndetshme, e ardhme premtuese”.

Në Ditën Botërore të Shëndetit (7 prill), Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike në Universitetin Europian të Tiranës, nën kujdesin e pedagogut Dokt. Kristi Çela, organizoi Forumin e XI-të, dedikuar kujdesit shëndetësor të nënave dhe të porsalindurve në vendin tonë. Studentët e programeve të mjekësisë zhvilluan një bashkëbisedim me drejtorin e Spitalit Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Koço Gliozheni”, dr. Genci Hyska, dhe kryemaminë e këtij spitali, Vjollca Mulliqi Qatipi.

Dita Botërore e Shëndetit në FORUMET UET/ Drejtori i spitalit

Dekania e këtij fakulteti, prof. asoc. dr. Vlotisa Gjergji, e quajti krenari bashkëpunimin e krijuar prej kohësh me tregun e punës dhe institucionet mjekësore në vend. ”Jemi të nderuar që pedagogët tanë, jo vetëm japin mësim, por edhe kontribuojnë me punën e përditshme në përmirësimin e kujdesit shëndetësor.”

Në nisje të prezantimit, dr. Genci Hyska vlerësoi punën e mirë të zhvilluar me Universitetin Europian të Tiranës, përmes praktikave mësimore apo programeve të doktoraturës, gjë që nuk e sheh në institucionet e tjera të arsimit të lartë. “Shpresoj që kjo traditë të fuqizohet më shumë në vazhdim”, nënvizoi ai.
Drejtori i spitalit “Koço Gliozheni” tha se gjendja e spitaleve universitare dhe materniteteve në vendin tonë nuk është ajo e dikurshme, ndërsa theksoi se janë bërë përmirësime të kushteve të kujdesit shëndetësor duke mos pasur asnjë mungesë të elementëve që janë thelbësore për shëndetin e popullatës.

“Na mungonte Fekondimi in Vitro (IVF) dhe po e aplikojmë prej një viti. Duke u bazuar edhe në autonominë spitalore, jemi edhe ne gati që ta dalim në tregun e punës, ashtu siç funksionon në të gjithë botën, sepse nuk vazhdohet me politika të centralizuara”, theksoi ai më tej.

Me një eksperiencë 30-vjeçare në spitale, dhe prej 24 vitesh si Anestezist Reanimator, doktori këshilloi të rinjtë në auditorë që të mos stepen së kërkuari, pasi edhe pse një punë e lodhshme, mbetet e bukur dhe një zanat i kërkuar në të gjithë botën, por edhe me shumë mundësi në Shqipëri. “Tregu i punës edhe këtu ka ndryshuar dhe unë këtë e shoh te kërkesat për të ikur jashtë. Nuk kam asnjë kërkesë nga infermierët për transferim jashtë vendit.”

Duke sjellë  më raste konkrete nga puna e tij, mjeku kërkoi nga çdo vajzë apo nënë e re, që për çdo paqartësi apo pikëpyetje, të konsultohet me mjekë dhe jo të frikësohet duke lexuar materiale të rastësishme në internet. I pyetur për lindjet me prerje cezariane, mjeku tha se ato janë shtuar, por është një trend global, arsyet e të cilit janë të ndryshme, nga ato shëndetësore te ato sociale.

“Arsyet shëndetësore kanë të bëjnë me rritjen e patologjive, ndoshta edhe ekzaminimet e vona, apo elasticiteti i vajzave të reja”, theksoi dr. Hyska. Sipas tij, rritja e kostos financiare për këto ndërhyrje mund ndikojë në uljen e preferencave të nënave të reja. Sa i përket lindjeve të parakohshme, mjeku tha se mosha e shtatzënisë në këtë spital ka arritur deri në 26 javë dhe falë një marrëveshjeje me qeverinë italiane do të ndërtohet një reanimacion neonatal modern i standardeve europiane, ku do të futet ushqyerja parainterale për të ulur moshën e shtatzënisë së trajtueshme.

“Kultura shëndetësore lë njëçik për të dëshiruar në popullsinë shqiptare dhe jo të gjithë të kuptojnë. Lindja është një proces traumatik, edhe viziv, e jo të gjithë mund ta përballojnë”, sqaroi mjeku. Ai theksoi se jashtë vendit ofrohen kurse psikologjike për çiftin e ri, ndërsa në vendin tonë shumë vonë është futur leja e lindjes për babanë. “Të paktë janë ata individë që kuptojnë çfarë ndodh me gruan, pa folur pastaj për mentalitetin.”

Dita Botërore e Shëndetit në FORUMET UET/ Drejtori i spitalit

Me një eksperiencë të gjatë gati 40-vjeçare si mami, e tashmë si kryemami në Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Koço Gliozheni”, Vjollca Mulliqi Qatipi, shpjegoi për studentët rëndësinë e përkushtimit dhe kujdesit që duhet të ketë një profesionist i ri. Ajo tregoi të gjithë hapat nga puna e përditshme e një mamie, duke shkuar te detajet teknike apo mjetet e domosdoshme që duhet të ketë një dhomë spitali për nënat e reja.
“U kënaqa kur më ftuat pasi kjo pjesë është shumë e bukur, edhe kur e provon si nënë e re, por edhe si infermiere. Një mami duhet të jetë e kualifikuar pasi do të sjellë një nënë dhe një beb shëndetplotë.”

Mamia tha se të gjitha nënat shtatzëna i kanë sytë drejt personelit të kujdesit shëndetësore, prandaj ai duhet të jetë jo vetëm profesional, por edhe human, e t’i qëndrojë afër gjatë gjithë kohës, nga momenti që ajo vjen në spital deri kur shkon në shtëpi me bebin e saj.
Ajo këshilloi mamitë e reja që t’iu përmbahen të gjitha hapave të përshkruara në protokolle, të cilat kanë të bëjnë me shëndetin e nënës dhe foshnjës, ndërsa theksoi se kënaqësia familjarëve është treguesi i cilësisë së kujdesit shëndetësore.

Përmes mendimeve dhe opinioneve të grave të porsalindura, si dhe rekomandimeve të OBSH-së, kryemamia Qatipi sqaroi çfarë duhet të kenë në vëmendje këta profesionistë dhe çfarë duhet të shmangin gjatë punës me një grua shtatzënë që iu besohet atyre.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH