Nga Luiza Pinderi
Më 16 shtator Universiteti Europian i Tiranës i akordoi titullin “Doctor Honoris Causa” gjeneralit Christopher G. Cavoli, komandant Suprem i NATO-s dhe Forcave Amerikane në Europë. Një ngjarje e tillë, e vlerësimit të një prej figurave ushtarake më të larta në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes në botë mblodhi në UET drejtues politikë, ushtarakë e figura publike në vendin tonë. U vlerësua kontributi i gjeneralit në ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare si dhe u evidentuan vlerat që bashkojnë dy vendet tona, mes të cilave miqësia dhe aleanca historike.
Një miqësi e tillë do të bëhej shkëndija e këtij nderimi, të cilin UET e jep për personalitetet që lënë gjurmën e tyre në histori. Njëzet e pesë vite më parë Prof. Dr. Kristaq Xharo do të ndiqte një kolegj në Kansas në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Në grupin e parë me 18 studentë ku ai bënte pjesë, majori Cavoli do të pranonte vullnetarisht detyrën për të mbështetur shokun nga Shqipëria, që të përshtatej sa më lehtë me ambientin dhe shkollën e re. “...për gati një vit ne kaluam një kohë të shkëlqyer si kolegë, shokë, por edhe familjarisht”, kujton profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në UET.
Por a ruajt kjo miqësi e tyre në vite, ndërsa secili ndoqi karrierën në vende të ndryshme? Prof. Xharo tregon në këtë intervistë se si ia komunikoi propozimin për nderimin me titullin “Honoris Causa”, me çfarë emocionesh e priti takimin e pas 25 viteve, bisedat me gjeneralin Cavoli pas dhënies së titullit, ndërsa lë të kuptohet se mund të kemi edhe surpriza në të ardhmen.
Le ta nism nga periudha e cila do të bëhej shkak i kësaj ngjarje të madhe në UET. Rreth 25 vite më parë ju keni zhvilluar një program master në Kansas, SHBA. Në çfarë fushe ishte fokusuar studimi juaj?
Pasi fitova një bursë nga Departamenti i Mbrojtjes së SHBA, në nëntor 1997, fill pas atyre ngjarjeve aq të errëta, fillimisht shkova në San Antonio në Teksas për të arritur standardin e nevojshëm për gjuhën angleze, e më pas në (CGSC – Command and General Staff College) Kolegji i Komandave dhe Shtabeve, në Kansas, i njohur si një nga kolegjet më të famshme në botë. Ai konsiderohet si niveli më i lartë profesional për çështjet në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes në nivel strategjik. Programet e tij njehsoheshin me atë të nivelit master. Vetëm atje e kuptova se ndjekja e këtij kolegji edhe për vetë oficerët amerikanë ishte ëndërr, si nivel kyç për të kaluar në shkallët më të larta të drejtimit. Kolegji zhvillohej me moton ‘To be: The best year of your life’, që u përmend edhe në fjalën e Komandantit të NATO-s, Gjeneral Cavoli, në universitetin tonë.
Si ka qenë periudha e studimeve në Amerikë, çfarë kujtoni nga ajo kohe?
Unë ndjenja një ‘avantazh’ të lehtë kur mbërrita në Kolegj, sepse dy vjet më parë (1995) kisha ndjekur edhe Kursin në Akademinë e Shtamadhorisë në Vienë, Austri, që më kishte dhënë një përvojë tjetër të veçantë. Megjithatë Kolegji (CGSC) në Kansas ishte i një natyre tjetër, me programet dhe stafet akademike, programet e familjarizimit dhe miqësisë, turet e ndryshme profesionale dhe kulturore, etj. të cilat ishin të mirëorientuara drejt një formimi jo vetëm profesional, por për një kulturë shumë më të gjerë. Së bashku me ushtarakë nga 56 vende të tjera, ne përbënim rreth 5% të numrit të përgjithshëm të studentëve në kolegj. Ishim një ose dy të huaj që integroheshim me studentë amerikanë, të cilët vinin jo vetëm nga forcat e armatosura, por edhe strukturat e tjera të sigurisë.
Ju thatë në fjalën tuaj gjatë ceremonisë “Doctor Honoris Causa” se gjetët te gjeneral Cavoli një mentor, një shok dhe një mbështetje të paçmuar. Si lindi kjo miqësi mes jush dhe a e keni ruajtur komunikimin ndër vite?
Ndoshta për shkak të rendit alfabetik, në Kolegj u caktova në grupin e parë, së bashku më një koleg nga Argjentina. Ishim dy studentë të huaj dhe 16 studentë/oficerë amerikanë. Rendi alfabetik, Albania, më krijoi disa momente të vështira, sepse në çdo ceremoni, për të përshëndetur apo për t’u vendosur, fillonte me vendin tonë.
Për çdo student të huaj angazhohej vullnetarisht një student amerikan, që suportonte për çdo nevojë ose paqartësi që kishte për t’u familjarizuar me natyrën e kolegjit. Kjo bëhej mbi baza vullnetare, prandaj zgjedhja ishte e gjeneral Cavoli. Në atë kohë të dy kishim të njëjtën gradë, major. Kjo ndodhi në shtator të 1997-s dhe për gati një vit ne kaluam një kohë të shkëlqyer si kolegë, shokë, por edhe familjarisht. Nuk po flas për cilësitë e gjeneral Cavoli se nuk është as hapësira, koha, vendi dhe nevoja. Sot ai ndodhet në pozicionin më të lartë SACEUR (Komandant i NATO-s dhe Forcave amerikane në Europë), pikërisht në sajë të cilësive më të larta profesionale, morale, thjeshtësisë, e plotë të tjera në vazhdim. Mbështetja, miqësia dhe shoqëria me Krisin, (Christopher), kështu thirrej midis nesh dhe ne klasë, në atë kohë për mua ishte vërtet e veçantë. Kujtoj gëzimin dhe krenarinë e tij kur në Kansas m’u dha titulli ‘Qytetar Nderi’. Pas diplomimit nuk arritëm të ruanim lidhjet, ndoshta edhe për shkak të largësisë, pamundësive të komunikimit, shumë të ndryshme nga sot, por edhe të lëvizjeve në detyra të ndryshme e të shumta për të dy. Kujtojmë se gjenerali ka shërbyer e ka marrë pjesë në operacione gati në gjithë botën. Rilidhja u vendos pas 25 vitesh.
Kur u lindi ideja për ta propozuar për titullin “Doctor Honoris Causa” dhe si e priti gjeneral Cavoli këtë komunikim?
Kur ai u zgjodh nga Senati Amerikan me votë unanime si SACEUR (Komandant i NATO-s dhe Forcave amerikane në Europë), nuk arrita ta uroj. Në fillim kur dëgjova veç emrin, nuk mendova që shoku im i dikurshëm kishte arritur kaq lart. Më pas, kur pashë foton e gjeneral Cavolit u binda se fizikisht ishte i njëjti person, që më kishte ndihmuar aq shumë. Nuk më mungonte dëshira për ta uruar, por distanca kohore 25-vjeçare bënte të vetën.
Ideja për ta nderuar me këtë titull nga UET, më lindi 6 muaj më parë. U binda përfundimisht dhe i dërgova një letër, pasi kishim diskutuar edhe me stafin drejtues të UET, veçanërisht profesor Toninin e më pas me profesore Dritën. Në letër, veç të tjerave ishte dhe propozimi për ‘Doctor Honoris Causa’. Po ashtu, i bashkëlidha edhe një foto tonën të para 25 viteve. Zonja Struga, një zonjë e nderuar shqiptare, që punonte në stafin e Komandantit të NATO-s u kujdes personalisht që letra të mbërrinte te gjenerali. Sigurisht, kishim dyshimet tona përgjigjen nga ana e tij, duke pasur parasysh agjendën aq të ngjeshur, por dhe kohën ku jetojmë, kaq sfiduese për sigurinë. Ndryshe nga çfarë mendonim, gjenerali kishte mbetur ai person, mik e shok, që kisha njohur para 25 viteve. Përgjigjja pozitive ishte e menjëhershme. Stafi i tij shfaqi një angazhim të pabesueshëm për ta realizuar këtë vizitë duke na lënë edhe ne të ndjehemi mjaft të vlerësuar për këtë sfidë të kthyer në realitet.
Një takim shumë i përzemërt mes jush në UET. Mund të ndani diçka rreth ketij momenti, emocionet, fjalët e para që u thanë, por edhe pasi mbaroi ceremonia, a pati një komunikim më të gjatë mes jush?
Ishte një takim aq i përzëmërt sa ndoshta u mbush largësia kohore e 25 viteve. Unë vetë vij nga një karrierë sa akademike po aq edhe ushtarake, pasi kalova rreth 40 vjet nën uniformë. Kështu që duke njohur raportet në rangjet ushtarake isha pak hezitues. Por, gjeneral Cavoli ishte ai që e theu këtë distancë kohore dhe rangjesh ushtarake. Përqafimi ishte vëllazëror dhe me mall. Pas ceremonisë, patëm një darkë private vetëm me komandantin e NATO-s. Gjatë bisedës u kthyem në kohë, në ditën që u takuam, folëm për rrugëtimin tonë përgjatë 25 viteve deri në momentin e takimit. Pa dyshim, për mua do të mbetet një nga ngjarjet më të shënuara të kohës. Gjithçka ishte perfektë: vizita në UET, takimi me stafin, atmosfera në auditorium, komunikimi i ngrohtë e plotë momente të tjera që i dhanë gjeneral Cavolit ndjesi shumë të veçanta emocionuese, aq sa ndoshta mund të kemi edhe surpriza në të ardhmen.
Çfarë domethënie dhe rëndësie ka nderimi i një figure të tillë për universitetin në radhë të parë, por edhe për vendin tonë?
Gjeneral Cavoli, si Komandant i NATO-s dhe Forcave Amerikane në Europë, është një figurë me përmasa ndërkombëtare, por edhe një nga ushtarakët më të respektuar dhe vlerësuar sot në botë. Ndërkohë që situata e sigurisë është dilema më e madhe botërore, prezenca e gjeneralit në ambientet e UET i jep peshë të jashtëzakonshme institucionit. Respekti e vlerësimi që tregoi kryeministri Rama dhe pjesa më e madhe kabinetit rrisin gjithashtu jo vetëm peshën e ngjarjes por edhe të ambientit ku ndodhi.
Titulli ‘Doctor Honoris Causa’ nuk është vetëm një titull akademik, por një njohje dhe vlerësim për kontribute të shquara të personaliteteve që kanë bërë dhe bëjnë histori. UET ka një traditë të shkëlqyer. Shihni me kujdes ‘Hall of Fame’ të UET, një plejadë figurash që ndriçon historinë e institucionit. Dhe në këtë ‘Hall of Fame’ nderimi i Gjeneral Cavoli me titullin ‘Doctor Honoris Causa’ është si të thuash qershia mbi tortë, duke parë kohën kaq sfiduese të sigurisë në të cilën jetojmë, ku roli i tij është absolutisht i pakrahasueshëm. Mesazhet që komandanti i NATO-s dha nga Aula Magna janë të përmasave ndërkombëtare dhe e tillë është edhe jehona e vizitës së tij. UET u bë pjesë e historisë.
Ju gjithashtu keni një karrierë të gjatë në fushën e ushtrisë dhe mbani titullin kolonel. Fillimisht, pse zgjodhët këtë drejtim dhe pse u larguat më vonë prej saj, për t’iu përkushtuar karrierës akademike?
Pyetje shume e bukur. Zgjedhja e karrierës ushtarake ndodhi kur isha 14 vjeç dhe në atë kohë nuk e dija nëse ishte vendimi i duhur. Në atë moshë, nën uniformë ndoqa shkollën e famshme ‘Skëndërbej’e më vonë të gjitha nivelet e tjera, në vend dhe në Perëndim. Shërbeva në detyra të ndryshme në Forcat e Armatosura deri në gradën e lartë kolonel. Duke qenë se kriteret e sistemit janë ‘up or out’ erdhi koha që ta mbyll me këtë gradë. Tashmë jam i bindur që bëra zgjedhjen e duhur...Periudhën 40-vjecare nën uniformë e kujtoj si kohën kur e vura veten në shërbim të atdheut, ndoshta pozicioni më i mirë që mund të përkushtohesh deri në sakrificë sublime për vendin tënd.
Largimi ishte një procedurë normale për një ushtarak, ndërsa përkushtimi në fushën akademike ishte vazhdim i asaj kurrikule të nisur që kur isha në uniformë. Nuk e ndjej aspak si mbyllja e një cikli dhe hapja e një tjetri, por thjesht vazhdimësi. Profili aktual në: Marrëdhënie Ndërkombëtare, Siguri, Strategji, Studime të luftës dhe paqes, fuqia kombëtare e të tjera, më tërheqin sot që jam lektor, po aq sa edhe kur isha ushtarak. Qartas sot siguria sa është mbrojtje po aq është edhe siguri ekonomike, energjetike, ambientale, shëndetësore, fizike, politike e të tjera. Pra ndjej që ndodhem përsëri në fushën time dhe UET e shoh si një mjedis e laborator të shkëlqyer për të kontribuar.