Economicus

UET organizon për herë të parë Olimpiadën e Ekonomiksit, finalistët përfaqësojnë Shqipërinë në raundin ndërkombëtar

Shkruar nga Liberale

UET organizon për herë të parë Olimpiadën e

Universiteti Europian i Tiranës, në partneritet me Economic Fundamentals Initiative dhe UET Center, ka zhvilluar për herë të parë Olimpiadën e Ekonomiksit në Shqipëri. Finalja e kësaj gare u zhvillua më 4 maj, ku morën pjesë 50 nxënës nga gjimnaze të ndryshme të Shqipërisë të cilët u testuan për njohuritë e tyre në fushën e ekonomisë.

Pesë finalistët e shpallur të këtij kompeticioni, të cilëve iu dhurua nga një tablet, do të vazhdojnë rrugëtimin e tyre në raundin ndërkombëtar të Olimpiadës së Ekonomiksit. Gara do të zhvillohet në Athinë gjatë muajit shtator, me pjesëmarrjen e fituesve nga vendet e rajonit, Europës Lindore dhe më gjerë.

I themeluar në vitin 2016 nga Instituti i Edukimit Ekonomik (INEV), qëllimi i Olimpiadës së Ekonomiksit është të frymëzojë interesin për të mësuarit ekonomik tek adoleshentët. Pas përhapjes së menjëhershme në Republikën Çeke, ky kompeticion kaloi kufijtë kombëtarë për t’u përqafuar nga organizata dhe vende të tjera. Sot ai është konkursi më i madh në botë me pjesëmarrjen e 22 vendeve nga katër kontinete.

Një prej partnerëve të këtij kompeticioni është edhe organizata Economic Fundamentals Initiative, e fokusuar në promovimin e edukimit ekonomik dhe financiar, kryesisht te nxësnësit e shkollave të mesme dhe studentët. Ajo synon ta bëjë ekonominë lehtësisht të kuptueshme dhe të aksesueshme, duke theksuar rëndësinë e ekonomisë në vendimet e përditshme.

UET Center, partneri i EFI-t në Shqipëri, është një organizatë e shoqërisë civile e krijuar në vitin 2009 si nismë e një grupi studiuesish dhe pedagogësh në Universitetin Europian të Tiranës, për të kontribuar në progresin dhe demokratizimin e shoqërisë shqiptare nëpërmjet projekteve kërkimore të orientuara drejt politikave, ngritjes së kapaciteteve dhe programeve të përbashkëta.

Pas projekteve të ndryshme, Qendra UET, Universiteti Europian i Tiranës, Economic Fundamentals Initiative, me sponsorizimin e Fondacionit Amerikano-Shqiptar i Zhvillimit, sollën në Shqipëri Olimpiadën e Ekonomiksit. Gara kaloi në disa raunde gjatë të cilave nxënësit patën akses në burimet mësimore të EFI-t, përfshirë materialet e përkthyera të “Common Sense Economics” dhe përmbajtjen e bibliotekës multimediale.

Provimi i parë u zhvillua online nëpër shkollat e mesme, prej të cilëve u përzgjodhën 50 studentë për fazën finale. Pas përgatitjes së tyre, ata u testuan në raundin final që u zhvillua më 4 maj. Gjatë kësaj faze të rinjtë iu nënshtruan një testi me shkrim duke përdorur CleanScore, një platformë e mbështetur nga Fondacioni Amerikano-Shqiptar i Zhvillimit, i cili shërbeu gjithashtu si sponsor për raundin kombëtar.

Prej tyre u zgjodhën dhjetë gjysmëfinalistë, të cilët përfituan një set librash. Më pas ata kaluan në një test me gojë përballë një komisioni dhe prej tyre u zgjodhën pesë më të mirët, për të cilët u dha nga një tablet. Fituesit do të përfaqësojnë Shqipërinë në nivelin Ndërkombëtar të Olimpiadës së Ekonomiksit në Athinë, Greqi, gjatë muajit shtator.

Ky kompeticion ka si qëllim të përmirësojë të kuptuarit për konceptet kryesore ekonomike dhe aplikimet e tyre në botën reale. Ai nxit të menduarit kritik, aftësitë analitike dhe aftësitë për zgjidhjen e problemeve thelbësore për suksesin e ardhshëm. Përtej zgjerimit të rrjetit, njohjes me të rinj nga e gjithe bota, Olimpiada e Ekonomiksit kultivon një interes të përjetshëm për ekonominë, një fushë që formëson shoqëritë dhe ndikon në politikat globale.

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH