Economicus

ECONOMICUS 32/ Nga Ermela Kripa: Digjitalizimi, procesi që ridizajnoi mënyrën se si shoqëria funksionon

Shkruar nga Liberale

ECONOMICUS 32/ Nga Ermela Kripa: Digjitalizimi, procesi që ridizajnoi

* Nga Prof. Asoc. Dr. Ermela Kripa

Digjitalizimi mund të konsiderohet sot si procesi më gjithëpërfshirës i ndryshimit, që bota ka parë që nga Revolucioni i parë industrial.

Ky transformim që hodhi themelet e atij që sot quhet revolucioni i katërt industrial, është bërë pjesë e pandarë e gjithë aspekteve të jetës ekonomike e sociale.

Me pak fjalë, ai mund të përcaktohet si procesi që ridizajnoi mënyrën se si shoqëria funksionon.

Në këtë  epokë të çmendur të  transformimeve teknologjike, digjitalizimi ndikon në çdo aspekt të jetës sonë : nga shëndetësia, në arsim e biznes. 

Në një shoqëri të  karakterizuar nga dinamizmi i vrullshëm, digjitalizimi i çdo aspekti,  përfaqësinë mekanizmin kryesor për të ruajtur dhe rritur konkurrencën,  për të ulur kostot dhe transparencën në kohë reale.

Mjafton të kesh vetëm një telefon smart të lidhur me internet, dhe  në pak kohë mund të kryesh gjithçka që do, duke shmangur burokracitë dhe kursyer kohën. Mund të bësh blerje, pagesa banke,  mund të jesh virtualisht në një auditor universiteti, mund të kryesh një vizitë tek mjeku, ose mund të punosh nga shtëpia.

Të dhënat tregojnë se në 3 mujorin e fundit të vitit 2023, rreth 5.3 miliardë njerëz ishin përdorues të internetit, ose  ndryshe 65.7 për qind e popullsisë së gjithë botës.

Sipas një studimi të bërë nga OSCE në vitin 2019, një pjesë e konsiderueshme e bizneseve në botë po shkon drejt digjitalizimit, me gjithë kjo fushë përbën ende një potencial të jashtëzakonshëm për tu shfrytëzuar nga individët dhe kompanitë.

Revolucioni digjital dhe zhvillimet e çmendura teknologjike të kohës kanë shpalosur përpara nesh mënyra të reja të të bërit biznes në të gjithë sektorët dhe industritë e prodhimit.

 Digjitalizimi dhe mundësitë që ai ofron, të shfrytëzuara ashtu siç duhet , po kthehen shumë shpejt në një ndihmë të madhe për të përmirësuar performancën, evidencën dhe inovacionin në biznese.

Pavarësisht rreziqeve, përfitimet e këtij procesi janë të jashtëzakonshme.

Në këtë kohë ndryshimesh kaq të mëdha teknologjike, Shqipëria nuk mund të ngelet thjesht një spektatore.  Është koha që ajo të zërë vendin e saj dhe të pozicionohet fuqishëm në këtë revolucion duke nisur nga ndryshimet e faktorëve të jashtëm, bizneset në vend duhet ta kthejnë në domosdoshmëri implementimin e strategjive dhe zgjedhjeve , për të qenë koherent me transformimin e pashmangshëm digjital. Nuk do të jetë e largët koha që ky proces edhe në Shqipëri do të prekë e do të ndikojë në çdo aspekt të bizneseve: që nga zhvillimi I produkteve , menaxhimi riskut apo burimeve njerëzore. Në të kundërt, nëse nuk menaxhohet siç duhet mund të kthehet në një “armë” të shkatërrimit në masë.  

Natyrisht që vështirësitë dhe sfidat e digjitalizimit janë pashmangshme por në të njëjtën kohë përfitimet prej tij janë të konsiderueshme dhe të domosdoshme për një vend në zhvillim si Shqipëria.

Marketingu digjital në Shqipëri

Fillimet e marketingut digjital i gjejmë që në vitet 90-të.  Po çfarë kuptojmë në të vërtetë me marketing digjital?

Me fjalë të thjeshta, marketigu digjital mund të përkufizohet si përdorimi i medias elektronike për të promovuar mallrat dhe shërbimet në treg dhe që  përmes strategjive të ndryshme ka për qëllim të promovojë bizneset, të ndërtojë preferencat, dhe të rrisë shitjet.  Bizneset sot përdorin kanalet digjitale, si motorët e kërkimit median sociale dhe faqet e tyre të internetit për të qenë në kontakt të vazhdueshëm me konsumatorët.

 Avantazhi kryesor i marketingut digjital është se audienca e dëshiruar mund të arrihet me më pak kosto dhe mund të matet lehtësisht.  Të tjera avantazhe mund të përmendim “brand loyalty” apo shitje më të mëdha online.

Në 15 vitet e fundit digjitalizimi ka revolucionarizuar gjithë  botën e marketingut. Në Shqipëri shenjat pozitive të kësaj industrie u vunë re gjatë vitit 2021, vit që përkoi me shpërthim e pandemisë globale. Deri në atë kohë konsumatorët nuk e përdorimin kaq  shumë komunikimin dhe blerjet online. Në momentin që u përballën me izolimin, dhe dritarja e vetme e komunikimit me tregun u bë interneti, marketingu digjital njohu një rritje të jashtëzakonshme. Në botë njerëzit mund të kryenin pjesën më të madhe të shërbimeve që u nevojiteshin vetëm përmes përdorimit të internetit. Por dhe Shqipëria nuk mbeti pas. E detyruar nga rrethanat e pandemisë, shumë shërbime nisën të ofroheshin online si nevojë e sfidave të asaj periudhe.

Përdorimi i mediave sociale dhe sjelljet e konsumatorëve

Zhvillimet teknologjike të viteve të fundit kanë luajtur një rol thelbësor duke rritur ndërgjegjësimin e konsumatorëve.  Një pjesë e madhe e tyre, janë plotësisht të bindur për efektivitetin e rrjeteve sociale në blerjet online. Meqenëse sjelljet e konsumatorëve kanë ndryshuar shumë vit pas viti, kompanitë për tu përshtatur me sfidat dhe kërkesat e kohës  po mundohen të ndjekin strategji për të “tërhequr” konsumatorët në epokën digjitale. Përdorimi i mediave sociale po ndryshon në mënyrë të vazhdueshme mindset-in duke përdorur avantazhet e shoppingut online. Përmes marketingut digjital kompanitë kanë krijuar të gjitha facilitetet që konsumatorët duan duke arritur kështu dhe objektivat e tyre të rritjes së përfitimeve.

Nga një studim i botuar në numrin e fundit të revistës “Economicus” u gjet se për të zgjedhur produktin që ata dëshirojnë, konsumatorët  i kushtojnë shumë rëndësi cilësisë dhe shërbimit të ofruar. Kjo është thelbësore për aq kohë sa marketingu i një kompanie influencohet shumë nga feedback-u i konsumatorëve, të rinj apo të vjetër qofshin ata. Po ashtu, nga intervistat e zhvilluara, u pa se Instagrami ishte platforma sociale më e përdorur e blerjeve online në Shqipëri ndërsa besnikëria e tyre ndaj një kompanie  lidhej ngushtë me faktin se nuk donin të zhgënjenin nga cilësia e produktit të reklamuar nëpër rrjete sociale. Ndër arsyet kryesore, se përse përdornin median sociale për blerjet e tyre online, të intervistuarit ju përgjigjen se përmes një klikimi të thjesht mund të merrnin informacione për ofertat , mund të kursenin kohën fizike, mund të shkëmbenin mendime me blerësit e tjerë mbi cilësinë e produkteve dhe mund të blinin në një mënyrë shumë të lehtë. Pra, marketingu digjital është thelbësor në procesin e përzgjedhjes dhe blerjes së një produkti.

Por, pavarësisht impaktit pozitiv që media sociale ka në sjelljen e konsumatorëve, konsumatorët në Shqipëri nuk duhet ta shohin atë si rrezik, pavarësisht se nevojiten përmirësime të mëtejshme.  Duke qenë se lufta për të mbijetuar në treg është e “pamëshirshme”, shumë kompani që zhvillojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri duhet të punojnë fort për të përmirësuar strategjitë e marketingut që të dërgojnë informacionin e duhur, në mënyrën e duhur tek konsumatorët.  Rekomandohet gjithashtu që kompanitë të ta shfrytëzojnë avantazhin e përdorimit të mediave sociale për tu diferencuar nga të tjerët.

* Research Report i publikuar në revistën shkencore të fakultetit ekonomik UET, nr 32.

Autorja Ermela Kripës, Dekane e Fakultetit të Ekonomise, Biznesit dhe Zhvillimit në UET 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH