Në vazhdën e bashkëpunimit të tyre, UET dhe Universiteti i Shkodrës nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit në projekte të ndryshme pjesë e së cilave është edhe mbështetja institucionale e ndërsjelltë për mbrojtjet e doktoratave dhe titujve akademike
Universiteti Europian i Tiranës dhe Universiteti i Shkodrës nënshkruan sot një Marrëveshje Bashkëpunimi e cila daton më herët me bashkëpunimin në disa projekte të Erasmus +.
Marrëveshja e finalizuar fokusohet në mbështetjen institucionale të ndërsjelltë për mbrojtjet e doktoratave dhe titujve akademike, në zhvillimin dhe përmirësimin e praktikave profesionale të ciklit të I dhe II të studimeve, si dhe në projektet e përbashkëta vendore, rajonale e ndërkombëtare.
Po ashtu edhe nw shkëmbimin e përvojave akademike, me qëllim arritjen e standardeve bashkëkohore në fushat e ndryshme universitare, kryesisht në Inxhinieri dhe Arkitekturë.
Një tjetër pikë e rëndësishme e marrëveshjes është angazhimi institucional për lejimin e shkëmbimeve të stafit dhe studentëve, si dhe shkëmbimin e literaturës shkencore dhe platformave online.
Organizimi i përbashkët i aktiviteteve në fusha të ndryshme shkencore, ekonomike dhe kulturore, nëpërmjet simpoziumeve, konferencave e debateve, por edhe kontributi në ngritjen e komisioneve/grupeve të përbashkëta të punës, për të vlerësuar standardet dhe kriteret e kërkuara për programet e studimit, për mbrojtjet e doktoratave, për gradat dhe titujt akademikë.
Mbështetja për zhvillimin dhe përmirësimin e praktikave profesionale në ciklin e parë dhe të dytë të studimeve, si edhe shkëmbimi i literaturës shkencore dhe i përvojës lidhur me menaxhimin institucional.
Kjo marrëveshje bashkëpunimi u nënshkrua nga dy rektorët e universiteteve, të cilët e vlerësuan si një mundësi të re për studentët dhe pedagogët, në kuadër të përgatitjes së tyre nëpëmjet bashkëveprimit dhe pjesëmarrjes së përbashkët në projekte ndërkomëbtare apo organizime të ndryshme, por edhe nëpërmjet shkëmbimeve mes institucioneve.
Më këtë Memorandum Bashkëpunimi, palët nënshkruese, Rektori i UET, Prof. Dr. Tonin Gjuraj së bashku me Rektoren e USH, Prof. Dr. Suzana Golemi shprehin gatishmërinë për bashkëpunim dhe njohje të ndërsjelltë, duke synuar ngritjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të njohurive profesionale dhe akademike të kapaciteteve të stafit dhe studentëve, si dhe përmirësimin e proceseve akademike.
Në fakt, ky vit akademik, shumë lehtë mund të quhet edhe viti i marrëveshjeve në Universitetin Europian të Tiranës, pasi muaj pas muaj bashkëpunimet janë shtuar, duke ngritur shumë ura komunikimi e duke larguar barrierat mes institucioneve, qofshin ato publike apo private. Vështirësitë dhe problematikat e krijuara nga pandemia e Covid-19, nuk e gjunjëzuan këtë fushë të jetës dhe zhvillimit njerëzor, madje shërbyen që të gjithë të kuptojnë më shumë se kurrë nevojën e të qenit bashkë, fuqinë e ndërlidhjes dhe bashkimit, për të kapërcyer këtë periudhë me shumë të panjohura dhe njëkohësisht me shumë sfida.
E para marrëveshje është nënshkruar në 22 dhjetor, mes UET dhe Universitetit të Tiranës, e cila njëkohësisht përcaktoi kuadrin rregullator dhe fushat e bashkëpunimit mes dy institucioneve.
Gjatë këtyre muajve të 2021-it, nën të njëjtën linjë, kanë vijuar nënshkrimet e marrëveshjeve të bashkëpunimit me Universitetin e Sporteve të Tiranës, me Universitetin e Mjekësisë së Tiranës, si dhe Universitetin Bujqësor të Tiranës, Universitetin “Eqerem Çabej” të Gjirokastrës, etj.
Të vetëdijshëm për vlerat që ofrohen prej secilit, drejtuesit e këtyre institucioneve kanë pranuar njëzëri domosdoshmërinë e inicimit të këtij bashkëpunimi, si një praktikë tashmë e njohur ndërkombëtarisht, por që më në fund po bëhet realitet edhe në vendin tone, me qëllim rritjen e cilësisë akdemmike dhe kërkimit shkencor, si dhe përgatitjen e specialistëve në fusha të ndryshme të kërkimit, në përputhje me prioritetet e zhvillimit të vendit.