Krye

UET MEDIA LAB, laboratori i ri për formimin profesional të studentëve

               Publikuar në : 08:57 - 16/09/20 liberale

Formimi profesional i studentit nuk mund te jetë asnjëherë i plotë, nëse mbetet vetëm në kuadrin teorik dhe nuk kalon në rrafshin praktik e profesional. Për këtë arsye, ky vit i ri akademik në UET vjen me një risi për studentët e programit të Komunikimit, të cilët tashmë do të kenë në dispozicion laboratorin më të ri në UET, Media Lab, ku mund të njohin dhe zhvillohen më tepër në këtë aspekt të aftësimit të tyre profesional.

Ky projekt, i mbështetur nga Departamenti i Shkencave Humane dhe Komunikimit në bashkëpunim me Gazetën Liberale, u lançua ditën e martë në ambientet e UET-së, nën praninë e gazetarit Marin Mema, drejtorit të Gazetës Liberale Ervis Iljazaj, Kryeredaktorit të kësaj gazete Arion Sulo, studentëve dhe ish-studentëve të UET-së. Edhe pse zyrtarizmi i këtij laboratori u zhvillua në formën e një bashkëbisedimi për të diskutuar dhe njohur rëndësinë e formimit praktik nën diktimin e profesionistëve të medias dhe eksperiencës së kaluar nga studentët, në fakt themelet e këtij projekti janë hedhur disa muaj më parë.

Studentët e Komunikimin me profile në Marrëdhënie Publike, Gazetari, Multimedia, Grafikë-Dizajn ose Marketing erdhën gjatë muajit korrik me një cikël shkrimesh mbi eksperiencën universitare dhe qëndrimet profesionale, të cilat u publikuan në variantin print dhe online të Gazetës Liberale.

Tashmë ky projekt i institucionalizuar, nën një emër, një ambient dhe një perspektivë të qartë, do të vazhdojë me projekte të reja të sjella nga vetë studentët, të cilat do të diskutohen, përzgjidhen, realizohen dhe konkretizohen në Media Lab, me produkte të prekshme dhe të aksesueshme për një publik më të gjerë.

Shefja e Departamentit të Shkencave Humane dhe Komunikimit, Belina Budini u shpreh e kënaqur për konkretizimin e këtij projekti, teksa shtoi se studentët do të kenë dy ambiente brenda universitetit për të bashkëvepruar dhe realizuar idetë dhe projektet e tyre.

“Jam shumë e kënaqur, që bashkë edhe me koordinatoren e këtij projekti, që e kemi iniciuar dhe i kemi dhënë një formë të mirë laboratorike kësaj sipërmarrjeje, kësaj iniciative, duke e quajtur UET Media LAB. Na ka ndihmuar shumë zyra e aktiviteteve, që kanë qenë gjithmonë gati dhe kanë bashkëpunuar me studentët, edhe përpara se të kishte këtë prezantim, etiketë dhe ambient si ky, që ju mund ta shfrytëzoni dhe një studio tjetër, që është studio e produksionit, regjistrimit, xhirimeve. Kjo zyrë do të jetë në dispozicion të studentëve, për t’u mbledhur, për të krijuar atë ndjesinë  komunitetit dhe për të funksionuar në bashkëveprim me njëri-tjetrin. Ne kemi shfrytëzuar infrastrukturën tonë, për t’ua vënë në dispozicion studentëve”, tha Budini.

Media Lab, praktika që formon gazetarët dhe profesionistët e medias

Media Lab synon të sjellë praktikën e munguar në shumë nga institucionet tona arsimore dhe t’ju japë një mundësi studentëve për të qenë të familjarizuar me median, mënyrën sesi funksionojnë dhe punojnë. Përveçse një laborator ku krijohet dhe marrin jetë projekte, do të shërbejë edhe si një lloj intershipi për studentët e Komunikimit.

Për këtë arsye, gazetari Marin Mema, teksa rrëfeu rrugëtimin e vet profesional, dhe kalimin në disa sektorë të gazetarisë, si sport, sociale dhe politikë, për të mbërritur tashmë si drejtues i një prej emisioneve më origjinale dhe më të ndjekura në vendin tonë, çmoi dhe vuri theksin te kjo mundësi e re që krijohet për studentët. Sipas tij, një studentë i Komunikimit dhe gazetarisë ka nevojë që të ushtrojë dorën dhe të praktikohet gjatë studimit, për të qenë të nesërmen një gazetar i mirë.

“Ajo që unë e quaj fakt tek ju, që ne nuk e kishim është se ne nuk kishim ndonjë mundësi të madhe për ta ushtruar dorën, të paktën që kur kemi qenë në universitet. Ne nuk bëmë kurrë praktikë. Dhe të ushtrosh dorën fillimisht, është një gjë shumë  e mirë. Askush mos kujtoj se gjërat janë menjëherë perfekte. Edhe unë po t’ju kthehem gjërave të mia në fillim, nuk do ti shkruaja kurrë. Unë edhe tani vazhdoj rregullisht të shikoj dokumentarë, emisione, sepse është një gjë që perfeksionohet me kohën. Sot për fat gjërat janë shumë të mundshme. Ndryshe në kohën tonë nuk kishte këto mundësi, qoftë për internetin, qoftë për Youtube, për të parë diçka ndryshe, për të lexuar më shumë.  Sot janë mundësitë shumë të mëdha”, u shpreh Mema, teksa veçoi gazetarinë sociale si një fushë për një gazetari më cilësore, kreative dhe të vlefshme për vetë gazetarët.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Gazetës Liberale e vunë theksin tek bashkëpunimi i studentëve me gazetën, si një mundësi e mirë për ta, për të shkruar dhe nisur si duhet rrugëtimin profesional në fushën e medias.

Drejtori i Gazetës Liberale, Ervis Iljazaj, gjatë fjalës së tij, u ndal kryesisht tek rëndësia e gazetës print, si një mjet për të mësuar gazetarinë, pasi ajo funksionon si një redaksi e vërtetë, kur piqet mendimi për çështjet dhe zhvillimet, si dhe konfirmohet vërtetësia e tyre.

“Meqë po flasim për bashkëpunimin me Gazetën Liberale, dua t’ju them se gazeta print sidomos, është një hap i mirë për ta mësuar gazetarinë. Sepse është akoma reflektive, si të thuash, mblidhet newsroom-i në darkë, diskutohet çfarë duhet shkruar e çfarë jo, apo mbi vërtetësinë lajmit. Ndërkohë, gjatë ditës të gjitha platformat e tjera, online e digjitale, janë në një nxitim për të kapur lajmin e parë. E duke qenë se janë në një nxitim, bëjnë edhe gabime. Në këtë kuptim, gazeta print mbetet akoma reflektive, pra gazetarët ulen, diskutojnë, bëjnë gjënë e duhur. Janë një instrument i rëndësishëm, dhe për mua i domosdoshëm për informacionin në tërësi dhe rëndësinë që ka ai për politikën e demokracinë. Në këtë aspekt, është një mundësi e mirë që ju të praktikoheni sidomos në gazetën print, sepse piqet mendimi dhe mënyra e të shkruarit”, tha Iljazaj.

Kryeredaktori i Gazetës Liberale, Arjon Sulo foli me studentët për rëndësinë e këtij profesioni, duke e cilësuar të vështirë dhe të bukur njëkohësisht, që nuk zhvlerësohet nga zhvillimet e teknologjisë apo dalja e mediave dhe formave të reja të të bërit gazetari.

“Gazetaria është një nga profesionet më të vështira dhe më të bukura. Madje edhe me studime renditet në një ndër 3-4 profesionet më të vështira dhe më të bukura. Të gjitha fazat e zhvillimit të gazetarisë, nuk e zhbëjnë dot lajmin. Pra, dallga teknologjike, dallga e rrjeteve sociale, e radiove, televizioneve, nuk e zhbëjnë dot lajmin. Lajmi do të mbetet lajm dhe gazetari do të mbetet gazetar. Është një nga profesionet më të bukura, sepse ti ke mundësi të eksplorosh pa qenë në një nivel me ata njerëz që ti shkruan, pra ti mund të mbulosh kryeministrinë dhe ti je i barabartë me kryeministrin, pa qenë kryeministër, madje mund ta kalosh atë, pse jo edhe ta rrëzosh atë. Kaq mjafton për të kuptuar sesa i rëndësishëm është si profesion. Si profesion, gazetaria futet në çdo profesion tjetër. Është trampolinë për çdo profesion. Nuk mund të gjesh në Shqipëri persona me më shumë lidhje pas politikanëve, se gazetarët”, tha Sulo.

Ata gjithashtu, shprehën mbështetjen dhe ndihmën e tyre, për të qenë afër studentëve dhe për t’i ndihmuar në zhvillimin e tyre profesional./Gazeta Liberale

Tags: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back