Krye

Studenti i UET, ndihem vërtet qytetar i botës falë Erasmus+

               Publikuar në : 09:06 - 15/09/20 liberale

Edvin PARMEZA

Fakulteti i Inxhinierisë, Informacionit dhe Arkitekturës

Programi Erasmus+ Universiteti Mälardalen, Suedi

Që prej moshës 12 vjeçare, kam jetuar në kryeqytetin e vendit tonë, Tiranë. Në vitin 2018, mbarova studimet Bachelor për Informatikë Ekonomike në Universitetin Europian të Tiranës (UET). Studimet Master i vazhdova po në këtë universitet per Inxhinieri Informatikë dhe vitin e parë e mbarova aty. Gjatë këtyre viteve, Universiteti Europian i Tiranës ka ofruar mundësi për mobilitete ndërkombëtare, ku studentët fitues kanë mundësinë për të vazhduar studimet në vende të ndryshme të Evropës. Disa prej tyre përfshinin një vit të plotë dhe disa të tjera vetëm një semestër. Gjatë semestrit të dytë të vitit I master në UET, rastësisht në email pashë një lajmërim nga universiteti për një mobilitet në Finlandë, i cili përfshinte vetëm një semestër në Universitetin Lappeenranta. U interesova menjëherë pasi kisha vendosur të provoja të aplikoja për një eksperiencë të re studentore në një vend të ri. Në zyrën e mobiliteteve në UET, më sugjeruan që të aplikoja dhe për një tjetër mobilitet, i cili zhvillohej në universitetin Mälardalen në qytetin Västerås të Suedisë. Ky mobilitet përfshinte një vit të plotë studimi dhe për herë të parë, UET ofronte mundësinë e zhvillimit të vitit të dytë (fundit) Master së bashku me punimin e diplomës në universitetin pritës, që do të thotë se në fund të studimeve do të punoja dy diploma, një në universitetin në Suedi dhe një në universitetin shqiptar. Nuk u mendova dy herë dhe aplikova. Dokumentet që duhet të përgatitja për aplikimin përfshinin një CV, listën e lëndëve të semestrit I të vitit I master bashkë me notat, listën e të gjitha lëndëve në Bachelor bashkë me notat, një letër motivimi ku duhet të përshkruaja arsyet që më motivuan të aplikoj, një letër rekomandimi nga një prej profesorëve të UET, një foto të pasaportës dhe listën e lëndëve që do zhvilloja në universitetin Mälardalen (Learning Agreement).

Plotësimi i Learning Agreement ishte paksa i vështirë, pasi duhej të zgjidhja lëndë të ngjashme me lëndët në Shqipëri dhe më duhej të kërkoja shumë përpara se të shkruaja listën përfundimtare të lëndëve. Pas aplikimit, zyra e Erasmus+ në UET më lajmëroi që pas disa javësh, duhej të zhvilloja një intervistë në anglisht me koordinatorët, ku do flisja për veten, arsyet që më shtynë të aplikoj, aftësitë që më dallojnë nga të tjerët dhe kontributi që do jap unë në fund të këtij mobiliteti. Pas intervistës, u lajmërova me email që isha një nga fituesit e programit të mobilitetit ICM. Sigurisht, ishte lajmi më i mirë që mund të merrja pas aplikimit që kisha bërë. Për sa i përket kritereve, mund të them që nuk është kusht i domosdoshëm të jesh student vetëm i notës 10, për tu shpallur fitues në një program të tillë. Por, është e rëndësishme të kesh një mesatare të mirë dhe në intervistë, të jesh i aftë të flasësh rrjedhshëm, shprehesh lirshëm në lidhje me bagazhin dhe pikësynimet e tua si dhe të jesh bindës në argumentat e tua. UET na përditësoi me proçedurat që duhet të ndiqnim në vazhdim. Dokumentat përfshinin aplikimin që duhet të bënim në faqen zyrtare të universitetit Mälardalen, dokumentin që vërteton se kemi fituar mobilitetin përkatës (këtë e merrnim nga koordinatorët e Mälardalen) si dhe kërkesën për vizë studentore në faqen zyrtare të zyrës suedeze të migracionit. Pas këtyre procedurave, migracioni na njoftoi se do të shqyrtohet çështja e secilit student dhe më pas do merret vendimi për dhënien e vizave studentore. Gjithashtu, duhet të siguroheshim të rezervonim akomodimin studentor në Suedi dhe një ndër kompanitë që ofronte akomodime për studentët gjatë qëndrimit atje, ishte “Bostad Västerås”. Ekzistonin edhe mundësi të tjera për të siguruar akomodimin por Bostad ofronte çmime më të lira dhe kishte bashkëpunim me universitetin në Västerås. Akomodimi duhej siguruar sa mës pare pasi kishte shumë kërkesa dhe nga studentë të tjerë të huaj. Unë e konsideroj veten me fat pasi akomodimi im ishte pikërisht përballë shkollës dhe supermarketet, baret, restorantet ndodheshin afër. Që të gjithë kanë qenë shumë korrektë me mua dhe me studentët e tjerë në lidhje me pagesën e bursës pasi një pjesë e kemi marrë që në ditën e parë, kur u zhvillua prezantimi me shkollën dhe me programet përkatëse.

Pa asnjë dyshim, mund të them që eksperienca ime gjatë këtij viti në Suedi ka qenë shumë e bukur, në mos eksperienca më e mirë studentore. Kam patur fatin të njoh nga afër kulturën e Suedisë e jo vetëm, të njihem me studentë nga vende të ndryshme të Evropës dhe kontinenteve të tjera, të krijoj miqësi dhe të punoj me shumë prej tyre në projekte të ndryshme të shkollës. Gjithashtu, kjo përvojë më ka ndihmuar të zhvillohem profesionalisht në fushën time të studimit si dhe të shoqërizohem më shumë me student e njerëz që vijnë nga mjedise e përvoja nga më të ndryshmet, si dhe jam familjarizuar me proçeset e intervistave të punës sipas standardeve europiane. Gjithashtu, kam patur mundësinë të shkoj në disa meet-ups të ndryshëm në Västerås dhe Stockholm dhe të njihem më nga afër me kompanitë që ishin pjesë e këtyre eventeve si dhe me strukturën e punës atje. Falë kësaj përvoje, më kanë shkruar shumë rekrutues në LinkedIn për mundësi punësimi si Junior Software Engineer në të ardhmen. Pra, kjo është një mundësi që të hap dritare dhe për projekte në vazhdimësi të karrierës.

Udhëtimet ishin gjithashtu pjesë e rëndësishme e kësaj eksperience të mrekullueshme. Karta suedeze e studentit më ka mundësuar që të udhëtoj brenda dhe jashtë Suedisë me çmime shumë të lira. Një ndër udhëtimet që ia vlen të përmend ishte dhe udhëtimi me anije që bëra me disa nga studentët ndërkombëtarë në Riga, kryeqytetin e Letonisë.

Përsa i përket shqetësimeve që shumë studentë kanë në lidhje me humbjen e vitit akademik nëse zhvillon një mobilitet Erasmus+, mund të them që nuk ka asnjë arsye për tu shqetësuar. Pasi mbaron mobilitetin dhe kthehesh në Shqipëri, duhet thjesht të bësh ekuivalentimin e lëndëve që ke zhvilluar gjatë mobilitetit. Kjo përfshin dokumentin me listën e lëndeve që ke marrë gjatë mobilitetit. Ky dokument mund të shkarkohet lehtësish nga faqja zyrtare e universitetit pritës, në të cilin është zhvilluar mobiliteti. Më pas, universiteti dërgues, pra UET në rastin tonë, bën njohjen e lëndëve pasi është marrë dokumenti në fjalë. /Gazeta Liberale

 

Tags: ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back