“Nuk di gjë më të mirë se të ndihmosh një fëmijë”, thoshte Hermann Gmeiner, filantrop i madh dhe themelues i SOS Fshatrave të Fëmijëve, i cili lindi sot, më 23 qershor 1919, në Austri.
I lindur në një familje të madhe, që në moshë të vogël tregoi se ka një personalitet të veçantë, shumë talent dhe një dashuri të thellë për të afërmit. Nëna e tij vdiq kur ai ishte i vogël dhe motra e tij e madhe Elsa mori përsipër kujdesin e tij.
Si i ri u detyrua të shkonte në front ku u përball me tmerret e luftës, më pas si student i mjekësisë punoi në kujdesin social ku pa në mënyrën më të ashpër realitetin makth që jetonin shumë fëmijë jetimë pas Luftës së Dytë Botërore.
Pikërisht atëherë filloi të rritet brenda tij besimi se të ndihmosh një fëmijë nuk do të jetë kurrë kuptimplotë nëse ai nuk ka një çati për të qëndruar dhe një shtëpi për ta dashuruar si të tijën.
Kjo është pikërisht ideja që lindi SOS Fshatrat e Fëmijëve.
Me shumë pak para në xhep, ai arriti të themelojë Societas Socialis, d.m.th. SOS Fshatrat e Fëmijëve, më 25 prill 1949 dhe menjëherë pas kësaj hapi strukturën e parë në qytetin Imst, pasi shoqëria austriake iu përgjigj thirrjes së tij duke parë rëndësinë e vizionit të tij.
Puna e tij në Fshatrat e Fëmijëve e përthithi plotësisht, duke e detyruar të braktisë studimet për mjekësi. Gjatë rrugës ai themeloi struktura të tjera në Austri dhe gradualisht në vende të tjera evropiane.
Në vitin 1985, një vit para se të vdiste në moshën 66-vjeçare, ai kishte ndërtuar 233 fshatra SOS për fëmijë në 85 vende. Ai fitoi shumë çmime të mëdha për kontributin e tij dhe u nominua disa herë për Çmimin Nobel për Paqen.
Sot SOS Fshatrat e Fëmijëve ekzistojnë në më shumë se 135 vende të botës. Në Shqipëri u themelua në vitin 1995 dhe angazhohet të sigurojë që të gjithë fëmijët në nevojë të kenë kujdes cilësor, si e drejta e tyre themelore.
SOS Fshatrat e Fëmijëve vazhdojnë punën e tyre të frymëzuar nga Gmeiner por edhe përshtaten me kushtet moderne. Kështu, ndërkohë që fillimisht nisma ishte krijuar për fëmijët jetimë, tani ajo fokusohet tek fëmijët, prindërit e të cilëve nuk janë më në gjendje të kujdesen për ta, për arsye të ndryshme.