Virozat janë rikthyer me luhatjet e shpeshta dhe ndryshimin e temperaturave.
Dhimbje veshi dhe temperaturë të lartë që zgjat dy deri në tre ditë, sidomos tek grupmoshat 0-10 vjeç.
Mjekja pediatre, Sonila Brataj thotë se komplikacionet janë të ndryshme përfshi edhe problemet me laringitet për shkak edhe të sezonit të alergjive.
“Kushtet atmosferike, ndryshimet e temperaturave ka bërë që të kemi një rikthim të një temperature shumë të lartë për tre apo katër ditë. Ajo që ka qenë problem shumë i madh kanë qenë problemet e veshit, bajame të qelbëzuara dhe laringitet duke qenë se jemi në sezonin e alergjive. Çerdhet dhe kopshtet janë më të riskuarat ku dhe kanë bërë shpesh edhe rikthime të virozave”, tha Brataj.
Mjekja Brataj thotë se vijon të qarkullojë edhe lija e dhenve siç njihet në gjuhën popullore, por pa komplikacione të rënda.
“Kemi raste, por më pak se në muajt e kaluar. I themi prindërve që nëse ka komplikime sikurse temperaturë të zgjatur, nëse puçrrat infektohen apo nëse kanë kollë duhet të drejtohen tek mjeku“, apelon ajo.
Kjo periudhë përkon gjithashtu me sezonin e alergjisë, që ndryshe nga viti i kaluar ka nisur që nga fundi i janarit, me paraqitjen e pacientëve të parë.