Intervistoi: Albana Cenaj
Në një botë gjithnjë e më të lidhur me teknologjinë, fëmijët janë të ekspozuar ndaj rreziqeve të ndryshme online. Dhuna online ndaj fëmijëve është një problem i rëndësishëm që po përballet me sfida të shumta në Shqipëri.
Në intervistën për Liberale.al, punonjësi social Klaudio Pulaha, aktulisht menaxher pranë Linjës Kombëtare të Telefonit për Fëmijë në Shqipëri ndan eksperiencën dhe njohuritë e tij mbi këtë fenomen.
Pulaha zbuloi format më të zakonshme të dhunës online, masat ligjore dhe institucionale për mbrojtjen e fëmijëve dhe rëndësinë e bashkëpunimit midis aktorëve të ndryshëm në përpjekjet për të edukuar fëmijët rreth sigurisë në internet.
1. Cilat janë format më të zakonshme të dhunës online ndaj fëmijëve në Shqipëri, dhe sa të ndërgjegjshëm janë fëmijët dhe prindërit për rreziqet që lidhen me përdorimin e internetit?
Format më të zakonshme të dhunës online ndaj fëmijëve në Shqipëri përfshijnë një gamë të gjerë incidentesh që pasqyrojnë sfidat me të cilat përballen fëmijët dhe të rinjtë në përdorimin e platformave të rrjeteve sociale. Gjatë periudhës janar-tetor 2024, ALO 116 111 ka trajtuar 1,306 raste të ndryshme, prej të cilave 81 janë lidhur drejtpërdrejt me çështje të sigurisë në internet. Këto raste kanë përfshirë postime apo mesazhe denigruese, kërcënuese dhe ofenduese, të cilat përbëjnë 61% të të gjitha raportimeve dhe përfaqësojnë shqetësimin kryesor. Përveç kësaj, 29% e rasteve janë lidhur me vjedhjen e fotove dhe videove për keqpërdorim, ndërsa 10% përfshijnë incidente të pornografisë hakmarrëse.
Sa i përket platformave që shqetësojnë më shumë fëmijët dhe të rinjtë, TikTok është raportuar si më problematik, duke mbuluar 63% të incidenteve. Instagrami zë vendin e dytë me 23%, ndërsa Facebook dhe Telegram ndajnë nga 4% të rasteve të raportuara. Ky informacion tregon qartë rrezikun e lartë që këto platforma përfaqësojnë për fëmijët dhe të rinjtë, sidomos në rastet e dhunës dhe keqpërdorimeve online.
Një aspekt shqetësues është se vajzat janë më të rrezikuara krahasuar me djemtë, përfaqësuar nga 65% e viktimave, ndërsa djemtë përbëjnë 35% të rasteve. Këto statistika nënvizojnë nevojën për një qasje të fokusuar në grupe më të ndjeshme, si vajzat, që duket se përballen me më shumë kërcënime online.
Në lidhje me ndërgjegjësimin, të dhënat tregojnë se një pjesë e fëmijëve janë të vetëdijshëm për rreziqet e internetit dhe kërkojnë ndihmë përmes linjave të tilla si ALO 116 111. Megjithatë, sfidë mbetet përfshirja e prindërve dhe kujdestarëve në këtë proces, pasi edukimi dhe informimi i tyre është thelbësor për të mbrojtur fëmijët nga kërcënimet që hasen në internet. Përmes ndërhyrjeve të saj, ALO 116 111 ka arritur të mbyllë dhe zgjidhë 92% të rasteve të raportuara, duke dëshmuar rëndësinë e mbështetjes së specializuar për të ndihmuar fëmijët dhe familjet e tyre. Kjo situatë nënvizon nevojën për fushata më të gjera ndërgjegjësuese dhe përmirësimin e mekanizmave mbrojtës kundër dhunës online.
2. Cilat masa ligjore dhe institucionale janë aktualisht në fuqi në Shqipëri për të parandaluar dhe trajtuar rastet e dhunës online ndaj fëmijëve, dhe a janë ato efektive?
Në Shqipëri, kuadri ligjor dhe institucional për parandalimin dhe trajtimin e dhunës online ndaj fëmijëve është zhvilluar për të adresuar këtë problem gjithnjë e më shqetësues, por efektiviteti i tij mbetet i kufizuar për shkak të sfidave në implementim dhe zbatim. Ligje dhe mekanizma specifikë janë vendosur për të mbrojtur fëmijët në hapësirën dixhitale, megjithatë zbatimi i tyre në praktikë has shpesh pengesa.
Masa Ligjore: Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë përfshin dispozita të posaçme kundër krimeve si shpërndarja e materialeve pornografike që përfshijnë fëmijë, bullizmi online, kërcënimet dhe shantazhi në hapësirën dixhitale. Po ashtu, ai trajton abuzimin me të dhënat personale dhe privatësinë e fëmijëve.
Ligji Nr. 18/2017 “Për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës” vendos detyrime për institucionet shtetërore që të ndërmarrin masa parandaluese dhe mbrojtëse në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve, duke përfshirë edhe sigurinë në internet.
Ligji Nr. 9918/2008 “Për Komunikimet Elektronike” përcakton përgjegjësitë e operatorëve për mbrojtjen e përdoruesve nga materialet e dëmshme dhe të paligjshme. Ndërkohë, Ligji për të Dhënat Personale garanton mbrojtjen e të dhënave të fëmijëve kundër keqpërdorimit në internet.
Strategjia Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve (2021–2026) përfshin prioritetin për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna online, përmes ndërgjegjësimit dhe edukimit mbi sigurinë dixhitale.
Masa Institucionale: Platforma ISIGURT.AL ofron një kanal për raportimin e rasteve të dhunës online dhe promovon edukimin mbi përdorimin e sigurt të internetit.
Linja Kombëtare e Telefonit për Fëmijë në Shqipëri – ALO 116 111 ofron mbështetje psikologjike dhe këshillim për fëmijët që përballen me dhunën online.
Policia e Shtetit, përmes Njësisë së Krimeve Kibernetike, ka përgjegjësinë e hetimit të rasteve.
Shërbimet sociale dhe institucionet arsimore luajnë një rol në mbështetjen e fëmijëve viktima të dhunës online. Megjithatë, kapacitetet e kufizuara dhe mungesa e një bashkëpunimi të qëndrueshëm ndër-institucional mbeten sfida të dukshme.Pavarësisht përpjekjeve për të ndërtuar një kuadër ligjor dhe institucional të fortë për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna online, ende hasen disa sfida që mund të zgjidhen me angazhim të përbashkët dhe përmirësim të vazhdueshëm. Për të përmirësuar mbrojtjen e fëmijëve në një mjedis gjithnjë e më dixhital, është e rëndësishme të përmirësohen disa ligje me prioritet. Disa nga këto përfshijnë:
Ligjin për Mbrojtjen dhe të Drejtat e Fëmijëve (MSHMS), i cili ka nevojë për përmirësime për të siguruar mbrojtje më të plotë dhe efikase për fëmijët.
Ligjin për Arsimin Parauniversitar (MA), që duhet të rishikohet për t'u përgjigjur më mirë nevojave të fëmijëve në sistemin arsimor.
Kodin Penal (MD – Kuvendi - Komisioni i Ligjeve), i cili mund të përmirësohet për të pasqyruar më qartë rreziqet dhe pasojat e dhunës online ndaj fëmijëve.
Ligjin për Komunikimin Elektronik dhe Postar (AKEP), që ka nevojë për përditësim për t'u përshtatur me zhvillimet e reja teknologjike dhe rreziqet që lidhen me to.
Gjithashtu, për të garantuar një siguri të shtuar për fëmijët në internet, është e nevojshme hartimi dhe miratimi i Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve në Hapësirën Dixhitale. Ekspertët më të mirë të CRCA janë duke punuar për ta hartuar këtë ligj sa më të përshtatshëm dhe efektiv në mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet që vijnë nga përdorimi i teknologjisë dhe internetit.
3. Si mund të përmirësohet bashkëpunimi midis shkollave, prindërve dhe organizatave të shoqërisë civile për të edukuar fëmijët rreth sigurisë online dhe për të reduktuar rastet e dhunës online?
Në Shqipëri, dhuna online ndaj fëmijëve mbetet një problematikë e ndërlikuar, duke përfshirë forma të ndryshme si bullizmi kibernetik, keqpërdorimi i imazheve, përhapja e materialeve denigruese dhe pornografisë hakmarrëse. Edhe pse ndërgjegjësimi për rreziqet e internetit është rritur, sfidat që lidhen me parandalimin dhe adresimin e kësaj problematike janë të shumta dhe kërkojnë një qasje të integruar nga të gjithë aktorët e përfshirë.
Nga perspektiva institucionale, koordinimi ndërmjet institucioneve që merren me mbrojtjen e fëmijëve mbetet i pamjaftueshëm. Mungesa e protokolleve të përbashkëta për raportimin dhe ndjekjen e rasteve të dhunës online dhe boshllëqet në komunikimin ndërmjet policisë, gjykatave dhe institucioneve sociale krijojnë vonesa dhe pengesa në trajtimin e rasteve. Përmirësimi i këtij koordinimi kërkon krijimin e mekanizmave të përbashkët, si dhe një platformë të unifikuar për ndarjen e informacionit. Po ashtu, duhet investuar në trajnime të vazhdueshme për stafet e përfshira, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe psikologët, për t’i aftësuar ata në identifikimin dhe trajtimin efektiv të rasteve të dhunës online.
Familjet, nga ana tjetër, kanë një rol thelbësor në mbrojtjen e fëmijëve, por shpesh hasen me mungesën e edukimit dhe ndërgjegjësimit për sfidat e sigurisë online. Prindërit shpesh nuk vendosin kufizime të përshtatshme për përdorimin e rrjeteve sociale ose nuk komunikojnë mjaftueshëm me fëmijët e tyre për këto rreziqe. Është e nevojshme të organizohen fushata ndërgjegjësuese dhe trajnime për prindërit, duke u siguruar që ata të kenë mjete praktike dhe informacione të qarta për të mbrojtur fëmijët e tyre. Për më tepër, duhet inkurajuar një kulturë komunikimi të hapur brenda familjeve, ku fëmijët të ndihen të sigurt për të raportuar çdo shqetësim që hasin online.
Shkollat gjithashtu mund të luajnë një rol kyç në këtë drejtim. Aktualisht, mungesa e edukimit për përdorimin e sigurt të internetit si pjesë e kurrikulës dhe boshllëqet në mbështetjen për nxënësit që përballen me dhunë online janë disa nga sfidat kryesore. Është e domosdoshme që shkollat të integrojnë edukimin për sigurinë online në kurrikulën mësimore dhe të ofrojnë programe këshilluese për nxënësit. Përfshirja e prindërve në seminare dhe trajnime të organizuara nga shkollat është një tjetër hap i rëndësishëm për të krijuar një qasje të përbashkët ndaj kësaj problematike.
Një rol të rëndësishëm ka edhe media, e cila mund të ndikojë pozitivisht në ndërgjegjësimin e shoqërisë përmes publikimit të artikujve dhe programeve edukative për sigurinë online. Megjithatë, për të pasur ndikim pozitiv, mediat duhet të respektojnë privatësinë e fëmijëve dhe të raportojnë në mënyrë etike dhe të përgjegjshme rastet e dhunës online. Edukimi i gazetarëve mbi rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve dhe organizimi i fushatave ndërgjegjësuese janë hapa që duhen ndërmarrë në këtë drejtim.
Kombinimi i këtyre qasjeve – përmirësimi i bashkëpunimit ndërinstitucional, fuqizimi i familjeve dhe prindërve, përfshirja aktive e shkollave dhe përgjegjësia e mediave – mund të krijojë një sistem më të fortë dhe të efektshëm për parandalimin dhe adresimin e dhunës online ndaj fëmijëve. Vetëm përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe të integruar mund të sigurojmë një mjedis më të sigurt për fëmijët në Shqipëri./Liberale.al/