Prej më shumë se dy javësh, në farmacitë e kryeqytetit mungon Miflonide 200 mcg, një prej ilaçeve kryesore për pacientët që vuajnë nga astma bronkiale. Ky medikament është jetik për shumë persona që e përdorin çdo ditë për të mbajtur nën kontroll frymëmarrjen dhe për të shmangur përkeqësimet e rënda të sëmundjes së tyre. Miflonide 200 është një inhalator që përmban budesonid, një substancë kortikosteroide që vepron duke ulur inflamacionin në rrugët e frymëmarrjes dhe ndihmon në parandalimin e krizave të astmës.
Nga investigimet e kryera nga "Liberale.al", në disa prej farmacive të kryeqytetit, konstatuam se mungesa e këtij ilaçi është e përgjithshme. Farmacistët shprehen se furnizimet janë ndërprerë prej javësh dhe nuk kanë informacion se kur pritet të rikthehet në treg. Në disa raste, pacientët detyrohen të kërkojnë alternativa të tjera, të cilat jo gjithmonë japin të njëjtin efekt ose janë të papërshtatshme për ta.
Në Shqipëri, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, afërsisht 5 deri në 7 për qind e popullsisë vuan nga astma bronkiale, që përkthehet në mbi 140,000 deri në 196,000 persona të prekur. Shumë prej tyre kanë nevojë për trajtim të përditshëm me ilaçe si Miflonide, ndaj mungesa e tij po sjell shqetësime të mëdha në komunitetin e të sëmurëve kronikë.
Ky ilaç është 100% i rimbursueshëm nga shteti për ata që kanë recetë dhe kartelë shëndetësore aktive, çka e bën atë më të arritshëm për pacientët që kanë nevojë për trajtim të vazhdueshëm. Por në rastet kur blihet me para në dorë, çmimi i një pompe Miflonide 200 varion nga 1,000 deri në 1,500 lekë, një shpenzim që shumë pacientë, sidomos ata me të ardhura të ulëta, e kanë të vështirë ta përballojnë.
Mungesa e këtij ilaçi rrezikon seriozisht shëndetin e pacientëve, duke i ekspozuar ata ndaj rritjes së krizave të astmës, shtimit të vizitave në shërbimet e urgjencës dhe, në shumë raste, nevojës për shtrime në spital. Për një sëmundje që kërkon kujdes dhe monitorim të vazhdueshëm, mungesa e një trajtimi bazë si Miflonide është një alarm që kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet shëndetësore për të garantuar furnizimin normal të farmacive dhe vijimin e trajtimit për pacientët në nevojë. /Liberale.al/