Drejtuesja politike e Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Elisa Spiropali, ka zbuluar objektivat elektorale të PS-së për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Në një intervistë për emisionin “Kjo Javë” në News24, ajo deklaroi se synimi i socialistëve në Tiranë është të sigurojnë 20 mandate, një më shumë se në zgjedhjet e vitit 2021.
“Objektivi ynë minimal është 19 mandate, por po punojmë për të arritur 20 mandate në Qarkun e Tiranës,” u shpreh Spiropali, duke theksuar se lista e PS-së është më përfaqësuese dhe konkurruese krahasuar me atë të opozitës.
Sa i përket rezultatit në rang kombëtar, Spiropali nuk dha një shifër konkrete, por u shpreh e bindur se PS do të marrë më shumë mandate se në zgjedhjet e kaluara. “Edhe në sondazhet më skeptike, nuk ka dyshime që PS do të marrë një shumicë edhe më të madhe se në zgjedhjet e kaluara,” tha ajo.
Spiropali gjithashtu iu drejtua të rinjve, veçanërisht atyre që votojnë për herë të parë, duke i inkurajuar të përdorin votën e tyre për të ndihmuar Shqipërinë të arrijë objektivin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.
“Është një mundësi historike që votën e parë ta hedhin për Shqipërinë 2030 në BE. Ishte ëndrra dhe pamundësia jonë, ne nuk i kishim këto mundësi që kanë të rinjtë sot,” u shpreh ajo.
Partia Socialiste synon të ruajë dhe të zgjerojë shumicën e saj parlamentare në zgjedhjet e 11 majit, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së të rinjve dhe votës së diasporës në këtë proces.