Uniformat blu, kanë arritur të gjejnë armën tipike të përdorur nga 21-vjeçari, që plagosi të miturin dy ditë më parë (1 qershor), në një piceri në kryeqytet.
Sipas njoftimit të policisë, arma u gjet në rrugën “Riza Çuka”, në zonën e Laprakës.
“Në vijim të veprimeve hetimore të kryera me qëllimin dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur me datë 01.06.2025, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në rrugën “Riza Çuka” Laprakë, kanë gjetur dhe sekuestruar armën atipike me të cilën shtetasi A. N, 21 vjeç, dyshohet se plagosi 15-vjeçarin”, njofton policia.
Autori është arrestuar ditën e sotme, i cili u identifikua nga blutë që ditën e plagosjes së 15-vjeçarit. Ngjarja ndodhi në një piceri në zonën e “Ali Demit” në Tiranë. E gjitha ka ndodhur aksidentalisht, pasi autori ka nxjerrë armën atipike (e cila nuk konsiderohet armë zjarri e mirëfilltë, por e modifikuar), dhe ka shkrehur gabimisht, plumbi i së cilës e ka kapur të miturin në qafë.
Ndërkohë më herët u bë e ditur se 15-vjeçari kishte rreth dy javë që ishte punësuar në piceri, pasi ishte piceri e kushëririt e tij dhe kishte nisur punë për ta ndihmuar. I mituri, nuk rezulton të ketë qenë i siguruar apo brenda rregullave të ligjit të punës për shkak të moshës. Hetuesit do të kërkojnë informacion te institucionet e tjera për të sqaruar situatën ligjore të punësimit.