Huda Kattan, influencuesja dhe sipërmarrësja e njohur irakiano-amerikane, ka rifituar kontrollin e plotë të kompanisë së saj të kozmetikës Huda Beauty, pasi bleu pjesën e mbetur të aksioneve të mbajtura nga firma private e kapitalit TSG Consumer Partners.
Ky zhvillim i rëndësishëm u njoftua zyrtarisht sot, të martën, më 3 qershor, nga vetë kompania, duke shënuar një moment historik për themeluesen, e cila rikthehet në krye të markës që ndërtoi nga e para.
Huda Kattan e themeloi Huda Beauty në vitin 2013 me një kredi modeste prej vetëm 6,000 dollarësh, duke debutuar në treg me një produkt të vetëm qerpikët artificialë të cilët arriti t’i lançonte me sukses në rrjetin prestigjioz Sephora. Me stilin e saj të guximshëm të grimit dhe qasjen autentike ndaj bukurisë, Kattan shpejt ndërtoi një komunitet global të adhuruesve dhe ngriti Huda Beauty në rang ndërkombëtar.
Në vitin 2017, kompania mori një investim të rëndësishëm nga TSG Consumer Partners, duke shitur një pjesë të pakicës së aksioneve me një vlerësim marramendës prej 1.2 miliardë dollarësh. Tani, pas gati tetë vitesh bashkëpunim, Huda Kattan ka rikthyer në duart e saj 100% të pronësisë së markës që mban emrin e saj.
“Rifitimi i pronësisë së plotë të Huda Beauty është një moment shumë i rëndësishëm për mua,” tha Kattan në një deklaratë për shtyp.
“Ndërsa hyjmë në këtë kapitull të ri, jam më e përkushtuar se kurrë për të shtyrë kufijtë, për t’i qëndruar besnike rrënjëve tona dhe për të mbështetur komunitetin tonë të jashtëzakonshëm në çdo hap të rrugës.”