Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka denoncuar manipulimet, sipas tij të procesit zgjedhor më 11 maj, duke e quajtur atë një farsë të orkestruar nga qeveria. Kreu i PD ka kërkuar krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të reja. Sali Berisha tha se në Elbasan është zbatuar praktika e njohur si “treni bullgar”.
Sali Berisha: Krimineli në krye të bashkisë është mentori i kriminelëve të tjera për të realizuar ‘trenin bullgar’ në mënyrën më antiligjore, më antikushtetuese.
Pra kjo është fytyra e vërtetë e Edi Ramës, fytyra e vërtetë e këtyre zgjedhjeve, të cilat kurrë nuk do njihen Ata që mendojnë se mund të imponojnë qytetarëve shqiptarë në këtë mënyrë vullnetin e tyre dhe mund të qëndrojnë mbi karrige, gabojnë shumë shumë rëndë.
Ka vetëm një zgjidhje, zgjidhja është emergjente, krijimi i një qeverie teknike, zhvillimi i zgjedhjeve të reja, shqiptarët votojnë të lirë. Ky është qëndrimi ynë. Ne kemi me qindra dokumente të pafundme të shkatërrimit, të shndërrimit të procesit zgjedhor në farsë elektorale.
Pra kjo është farsa e vërtetë elektorale dhe ne duam që shqiptarët të votojnë dhe të mos vuajnë farsën elektorale dhe pasojat e saj. Ne do qëndrojmë me të gjithë potencialin tonë, fuqinë tonë, që shqiptarët të votojnë si qytetarë të lirë të një vendi dhe jo të përjetojnë farsa të turpshme elektorale që janë të njëjta me ato të Zimbabveve 30 vite më parë. Besoj se e keni të qartë, e shihni vetë. Gjithçka janë rezultate të paracaktuara. Unë mund t’u them ju se do shihni kuti votimi në të cilat 200 fletë njëra pas tjetrës kanë të njëjtën palosje. Ose është ‘treni bullgar’ që është e njëjta gjë pastaj.