Në Shkup ka nisur dita e dytë e samitit ku liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian po diskutojnë zbatimin e planit të rritjes për rajonin.
Ky samit, ka për qëllim të forcojë bashkëpunimin ekonomik mes vendeve të rajonit dhe të nxisë iniciativa të përbashkëta brenda kuadrit të tregut të përbashkët rajonal.
Para nisjes së Samitit, kreu i qeverisë shqptare, Edi Rama, në një prononcim për gazetarët u shpreh se Shqipëria është më afër se kurrë realizimit të një aspirate shumë shekullore, atë të anëtarësimit në BE.
Rama: Vazhdojmë me pikat e tjera sipas kalendarit. Kurrë nuk kemi qenë më afër realizimit të një aspirate shumë-shekullore dhe nga ana tjetër më vjen mirë që ka një atmosferë të përgjithshme pozitive në këtë drejtim. Jemi shumë afër, nuk kemi qenë asnjë herë më afër dhe besoj shumë që ne do t’i përmbushim detyrimet tona siç dhe kemi paraparë afatet me KE dhe plani i përbashkët do të realizohet plotësisht.
Komisionarja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, u shpreh optimiste se vendi ynë mund të arrijë të hapë të gjithë grup kapitujt me Bashkimin Evropian brenda këtij viti.
Marta Kos: Askush nuk do të kujdeset për të ardhmen tonë më shumë se ne. Duhet të përforcojmë konkurencën tonë, të mbrojmë demokracinë dhe të marrim sigurinë në duart tonë. Gjithashtu duhet të merren hapat e fundit në unifikimin e Evropës që do të thotë zgjerim, përforcim dhe bashkim në vlerat dhe parimet e përbashkëta. Kur jemi solidarë jemi më të fuqishëm, nëse punojmë siç duhet në procesin e bashkimit mund ta bashkojmë Evropën dhe Evropa nuk mund të bashkohet pa Ballkanin Perëndimor. Ka konsensus për zgjerim në të ardhmen, keni rastin që duhet ta shfrytëzoni. Shqipëria ka hapur tre kapituj në 6 muajt e fundit. Nëse vazhdojmë kështu do të mund të hapim të gjithë kapitujt këtë vit dhe mezi pres ta festoj hapjen e kapitullit të fundit.