Ish-Presidenti Ilir Meta ka reaguar ashpër ndaj lajmeve që e lidhin emrin e tij me hetimet për çështjen e inceneratorëve dhe përdorimin e kartave bankare të huaja. Në një deklaratë publike, ai i ka cilësuar këto informacione si “mashtrime të rënda dhe fabrikime mediatike”.
Meta ka mohuar çdo lidhje me kartat bankare të përmendura në media, duke theksuar se as ai dhe as bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, nuk kanë pasur ndonjëherë karta të tilla në emrin e tyre.
“SPAK-u po mashtron hapur dhe po përdor dizinformimin për llogari të regjimit,” shprehet Meta. Sipas tij, të gjitha lajmet që po qarkullojnë janë pjesë e një sulmi politik të organizuar për ta goditur personalisht dhe se nuk ekziston asnjë provë konkrete ndaj tij.
Ai akuzon Prokurorinë e Posaçme për mungesë besueshmërie dhe e cilëson çështjen si një “aferë mafioze dhe e telekomanduar”.
Meta, ndër të tjera, mohoi edhe akuzat për udhëtime në vende luksoze si Las Vegas apo Beverly Hills, duke thënë se zgjedh gjithmonë natyrën shqiptare për të pushuar: “Kam zgjedhur Prevallën, Çeremin, Dobërdolin, Korabin, Jezercën dhe çdo perlë natyrore të vendit tim.”