Kryeministri Edi Rama ditën e sotme ka zhvilluar një takim me kandidatët e qarkut të Durrësit për Partinë Socialiste, në zgjedhjet e 11 majit. Rama tha se këto zgjedhje janë të rëndësishme për vendin dhe gjeopolitikën dhe i krahasoi me atë që ndodhi me Shqipërinë në vitin 1992, tranzicionin, nisjen e pluralizmit dhe zgjedhjet e para demokratike që u zhvilluan.
Rama: Unë jam jashtëzakonisht krenar që sot na është pranuar dhe jemi dakordësuar me Komisionin Evropain që të mbyllim negociatat brenda vitit 2027. Do të jetë një rekord i hatashëm i gjithë procesit të integrimit. Jo thjesht për meritën tonë, merita jonë është që jemi gjetur në vendin dhe kohën e duhur të përgatitur…ata (BE) janë gati tani ta hedhin këtë hap dhe ne na gjetën të përgatitur. Mund të kishte ndodhur që kjo të ishte zhvilluar brenda një mandati dhe mos kishte zgjedhje ne mes. Ka qëlluar që në mes është 11 maji dhe 11 maji është bërë jashtëzakonisht i rëndësishëm sepse do të luajë një rol kyç në shpejtësinë me të cilën do të zhvillohen negociatat. Ne nuk e dimë se çfarë ndodh nesër. Siç ndryshoi qasja e BE pozitivisht mund të ndryshojë sërish. Dera është e hapur dhe ne duhet të shpejtojmë që të futemi pa u mbyllur sërish.
Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se negociatat janë një punë shumë intensive dhe është një punë kolosale që merren të paktën 1 mijë persona të ndarë në 40 grupe, sipas fushave që mbulon organizimi i shtetit.
Rama: Nuk duhet të humbasë asnjë minutë. 2027 është shumë afër. Ne duam nga popilli shqiptar jo një mbështetje për PS, por një mbështetje për futjen e Shqipërisë në BE. Ata i ndjekin proceset në çdo vend dhe patjetër e ndjekin procesin politik. Ata e dinë shumë mirë se kush dhe si mund ta kryejë këtë proces. Në momentin që vota e 11 majit thotë shumë qartë dhe fuqishëm “vazhdojmë se nuk kemi asnjë minutë për të humbur”…kjo parti është sot siç ishte PD në ’92, në kohën dhe vendin e duhur, e vetmja forcë që mund ta çojë para këtë proces. Urimi dhe shpresa ime është që më 12-13 maj ne do bëjmë numërimin e votave, ndërsa ata që punojnë për negociata s’do kenë asnjë shqetësim. Çështja do jetë sa i thellë do jetë rezultati, jo kush fitoi.