Ish-ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim është emëruar në postin e Këshilltares së Lartë për Efiçencë dhe Përgjegjësi, në Departamentin amerikan të Shtetit (DASH).
Lajmi vjen i konfirmuar nga vetë DASH, një ditë pasi në Shqipëri shpërthyen zërat se ajo ishte shkarkuar nga posti që mbante, madje dhe sipas zërave, ishte vënë nën hetim.
Profili i ish-ambasadores Kim në uebfaqen e DASH u fshi për një ditë, duke bërë që të shpërthejnë spekulimet se ajo ishte larguar. Por mesa duket, kjo ka ndodhur për të përditësuar të dhënat e saj me postin e ri që do të mbajë.
Si këshilltare e Lartë për Efiçencë dhe Përgjegjësi, Kim do të mbajë këtë post të ri të krijuar së fundmi, mesa duket i inspiruar nga Departamenti i Efiçencës së Qeverisë, së Elon Musk.
Njoftimi i DASH për ish-ambasadoren Kim:
Yuri Kim është Këshilltare e Lartë për Efiçencë dhe Përgjegjësi për Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike. Më parë, ambasadorja Kim ishte Zëvendës Ndihmës Sekretare Kryesor i Byrosë nga viti 2023 deri në vitin 2025.
Një diplomate karriere, ambasadorja Kim ka punuar në sfidat kryesore të politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare në Europë, Azi dhe Lindjen e Mesme. Ajo ishte ambasadore e SHBA në Republikën e Shqipërisë nga viti 2020 deri në vitin 2023, e emëruar nga Presidenti Trump dhe në vazhdim nën Presidentin Biden. Para kësaj, ajo ishte drejtore e Çështjeve të Europës Jugore, përgjegjëse për Turqinë, Greqinë, Qipron dhe rajonin e Mesdheut Lindor; drejtore e Qendrës për Studimin e Sjelljes së Diplomacisë; dhe drejtore e Zyrës së Sigurisë Evropiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake, përgjegjëse për NATO-n dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Ajo ishte Shefe e Shtabit të Zëvendës Sekretarit të Shtetit dhe, më herët në karrierën e saj, Asistente Speciale e Sekretarit Colin Powell. Ajo ishte gjithashtu një anëtare e delegacion të SHBA në Bisedimet Gjashtëpalëshe për çështjen bërthamore të DPRK-së. Detyrat jashtë shtetit përfshijnë Turqinë, Irakun, Republikën e Koresë, Japoninë dhe Kinën. Yuri Kim ka një B.A. nga Universiteti i Pensilvanisë dhe një M.Phil. nga Universiteti i Kembrixhit. Ajo u rrit në ishullin Guam.