Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetari i PS-së, ka zhvilluar një takim në pasditen e djeshme në shtabin e socialist në Njësinë 2 në Tiranë.
Shefi i qeverisë shqiptare ka rrëfyer momentet kur ai kërkonte të garonte në PS, për të marrë drejtimin e kësaj force politike. Rama ka thënë se vetëm Ben Blushi e mbështeti kur shpalli dëshirën për të garuar, ndërkohë që pjesa tjetër u distancuan.
“Ja ku jam unë shembulli. Betejën e parë për partinë, më lanë rrugëve. Më linin tek shkallët, këtu te Njësia 2, me atë kryetarin e organizatës. Merr Musa Ulqinin pyete. Unë vajta te organizata. I thashë Musait: “Musa, ka kjo partia juaj zyra organizatash. Po, ka më tha. I thashë nesër unë dua të anëtarësohem në PS.” Sa kisha fituar zgjedhjet e 2003. Vete aty unë, më morën, më regjistruan. S’dinin këta të shkretët se çfarë po i vinte, se këta e kishin këtu vjen njëherë rri tre vite, rritesh, masanej shohim. S’kishte atëherë “Deputeti që duam”.
Edhe dal te dera, i thashë unë shpall sot kandidaturën për kryetar të PS. Pas një muaj ishte Kongresi. O nëne, o nëne. Gjithë ajo kërkesë, se bëheshin zgjedhjet lokale, thuaj Ramës të vij. U bë një vakum rreth e rrotull. Vetëm Ben Blushi ishte që i rezistoi vakumit. Musai e mbante veten, po prapë me një farsoletë fshinte pak mollëzat”, u shpreh Rama.