Politikë

PD kërkon përjashtimin e Ilir Rusmalit nga shqyrtimi i ankesave për zgjedhjet: Nuk garanton paanshmëri

Shkruar nga Liberale.al

PD kërkon përjashtimin e Ilir Rusmalit nga shqyrtimi i ankesave

Partia Demokratike ka bërë të ditur se do të kërkojë përjashtimin e Ilir Rusmalit nga shqyrtimi i të gjitha kërkesave që ka paraqitur kjo forcë politike në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), lidhur me pavlefshmërinë e zgjedhjeve të 11 majit në disa qarqe të vendit.

PD akuzon Rusmalin, të cilin e cilëson si "njeriun e Edi Ramës në KAS", për sjellje të njëanshme dhe për mungesë etike gjatë shqyrtimit të ankesës për qarkun Dibër. Gjatë seancës së sotme, përfaqësuesi ligjor i PD-së, Marash Logu, kërkoi zyrtarisht përjashtimin e Rusmalit, duke e akuzuar për konflikt interesi dhe sjellje të papërshtatshme.

Përplasja verbale mes Logut dhe Rusmalit u shënua në sallën e KAS, kur ky i fundit iu drejtua përfaqësuesit të PD-së me fjalët: “Ti je djalë i ri dhe gabon vazhdimisht. Fodullin mos e bëj në institucion.” Logu reagoi duke kërkuar falje publike dhe ruajtje të etikës institucionale.

Ndërkohë, në seancën e së enjtes, PD kundërshtoi zyrtarisht rezultatin e zgjedhjeve në qarkun Dibër, duke paraqitur prova që sipas saj dëshmojnë përdorimin e administratës dhe burimeve shtetërore në funksion të blerjes së votës. Logu kërkoi që KAS të administrojë të dhënat e pajisjeve PAY si dhe informacionin nga DHL për shpërndarjen e votës së diasporës.

Kërkesa për përjashtimin e Rusmalit pritet të dorëzohet zyrtarisht në KAS në ditët në vijim.

Liberale Newsroom

A duhet ta ftojë PS-ja PD-në në një bashkëpunim më të hapur në qeverisje, për të arritur objektivin e përbashkët të anëtarësimit në BE?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH