
Partia Socialiste ka prezantuar pasditen e sotme kandidatët për deputetë të qarkut të Tiranës në zgjedhjet e 11 majit. Prezantimi u bë nga drejtuesja politike e Partisë Socialiste e këtij qarku Ogerta Manastirliu, e cila theksoi se Tirana do të jetë lokomotiva e fitores së PS më 11 maj. Në fjalën e tij kryeministri Edi Rama vlerësoi skuadrën e kandidatëve socialistë dhe tha se u ka dhënë qytetarëve të qarkut një ofertë dhe mundësi zgjedhjeje të plotë për ti përfaqësuar sipas tij denjësisht në Kuvend.
“Jam shumë krenar për këtë skuadër sepse besoj që i kemi dhënë të gjithë qarkut të Tiranës një ofertë të plotë. U kemi dhënë të gjitha moshave një mundësi zgjedhjeje të plotë, i kemi dhënë vajzave dhe grave një buqetë ku mund të zgjedhin pa dyshim. U kemi dhënë të rinjve mundësinë të bëjnë zgjedhjen e tyre duke u ndjerë pjesë e kësaj skuadre dhe të gjithë profesionistëve që duke votuar për PS-në të kenë mundësi të zgjedhin pa pasur asnjë dyshim se do të përfaqësohen denjësisht në kuvend”.
Rama theksoi se PS është një parti e re, por me një eksperiencë që u jep siguri qytetarëve.
“Ajo që është më e rëndësishmja është që ne kemi ndërtuar partinë më të re që është sot në të gjithë atë fletë të madhe votimi për Tiranën. Një parti të re, ama një shalqi me provë që ka brenda vetes eksperiencën e të gjitha këtyre viteve qeverisje, duke i dhënë qytetarëve të Tiranës mundësinë që të shohin përpara përmes së resë, por edhe të ndjehen të sigurt që rruga jonë përpara është e garantuar përmes eksperiencës. Të dyja këto bashkë janë jo të lehta por të dyja këto bashkë gjenden vetëm në ofertën e alternativën e PS. Te të gjithë të tjerët janë ose të kalbur ose pa eksperiencë. Hedhja e votës kudo tjetër përveç se te PS, aty ku është numri 5, është ta çosh votën kot”