Politikë

Rama mbyll FUSHATËN: PS merr 78 mandate, 20 në Tiranë!

Shkruar nga Liberale

Rama mbyll FUSHATËN: PS merr 78 mandate, 20 në Tiranë!

PS mbylli fushatën për zgjedhjet e 11 majit në Parkun Olimpik në Tiranë. Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama ftoi shqiptarët që të votojnë për Shqipërinë në Bashkimin Europian.

Rama tha se Partia Socialiste do të marrë më shumë se 78 mandate në zgjedhjet e 11 majit. “Ne edhe aritmetikisht do të ngjitemi më lart, me e pakta 78 mandate”, tha Rama.

Kreu i qeverisë shtoi se PS e nxori Tiranën nga gërmadhat dhe e rilindi atë ndërsa tha se në kryeqytet PS do të marrë deri në 20 mandate.

“Tiranë e dashur, Shqipëri e shtrenjtë, shqiptarë dhe shqiptare pa krahinë, fe e ide, kudo që jeni, vëllezër e motra socialistë të progresit, ju këtu, shokë e shoqe të armëve nga Tirana. Partia Socialiste e Shqipërisë e nxori Tiranën nga gërmadhat dhe më pas e rilindi. Jemi në kulmin e një tjetër rrugëtimi katërvjeçar, në ngjitje, lart, drejt majës ku ndodhet Shqipëria e Europës së Bashkuar. Nuk besoj te rastësitë dhe nuk është rastësi që sot jemi këtu, më 9 maj, në Ditën e Europës, për të thënë fjalën e fundit të këtij rrugëtimi. E më pas, për të shkruar së bashku me shumicën dërrmuese të shqiptarëve në kutitë e votimit, dhe për të firmosur aty marrëveshjen tonë të madhe për Shqipërinë tonë europiane, për Shqipërinë në Bashkimin Europian”, tha Rama.

Kryeministri bëri edhe përllogaritjet se si do të fitohen mandatet.

“Po pse nuk qenka e mundshme. Ne kemi sot 74 mandate. A di kush të më thotë pse, në cilin qark ne do e humbim një mandat. Në Kukës? Nuk kanë si na e marrin se nuk e lejon aritmetika, ajo që unë kam mësuar, jo ajo 7×7 bëjnë 6 milionë. Në Shkodër, kemi 3 mandate, pse do e humbim një? Se kreu i bashkisë po e transformon Shkodrën në një vend të denjë? Çfarë kemi bërë ne bashkë me Benetin, është minimum të pretendojmë një plus.”

“Në Lezhë, kemi tre mandate, në Durrës kemi 8, dhe mund të humbim një nëse njerëzit do kuptojnë se Oerd Gjinkalla është suksesi. Tulla e 6 e kënetës është duke rënë. Mandati I 9 I Elbasanit na shpëtoi për një fije në zgjedhjet e shkuara, një plus hyn të minimum i 11 majit. Njëjtë edhe Fieri Gazi i botës nuk ka asnjë shans ta ndalojë mandatin të kthehet në shtëpinë tonë. Në Berat, Vlorë Gjirokastër nuk ka top që i lëviz mandatet tona. Tirana ha bukë veç, do të shkojmë nga 18 në 20 mandate.”

“Disa çyrykë të berberhaneve, thonë Rama i bën llogaritë me votat që blen se këtu nuk ka zgjedhje sa kohë fiton PS e Ramës. Por ju unë, të gjithë ne e dimë shumë mirë se ne nuk na mund dot askush për sa kohë do kemi me vete vizionin më modern dhe ambicien më të madhe për Shqipërinë. Vendosmërinë më të madhe për ndryshim, jemi bartësit e palëkundur të shpirtit europian të Shqipërisë. Asgjë dhe askush nuk e ndal dot ngjitjen tonë me Shqipërinë në BE.”

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH