Politikë

Protesta për ujësjellësin e Tragjasit, Rama qetëson banorët: Projekt i bazuar, nuk ka rrezik për mjedisin

Shkruar nga Liberale
Protesta për ujësjellësin e Tragjasit, Rama qetëson

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me projektin e ujësjellësit në Tragjas të Vlorës, i cili ka shkaktuar shqetësime mes banorëve të zonës, të cilët shprehen se po u merret uji i fshatit.

Gjatë bashkëbisedimit të tij me qytetarët në rrjetet sociale Rama tha se ky projekt është bazuar në analiza hidrologjike dhe se ai synon të përmirësojë infrastrukturën e ujësjellësit për banorët e zonës, duke i ofruar një sistem më të qëndrueshëm dhe efikas.

“Ky është një diskutim që ka në thelb një pikëpyetje të madhe për mua. Si mund të besoni se një qeveri do të marrë ujin nga disa për t’ua dhënë disa të tjerëve?” ka shpjeguar Rama, duke kundërshtuar akuzat se projekti do të çojë në humbjen e ujit për banorët e Tragjasit.

Ai theksoi se ka burime të tjera që mund të kenë përhapur informacione të pasakta, duke krijuar një konfuzion të panevojshëm në komunitet.

“Projekti i ujësjellësit në Tragjas është bazuar në një studim të thelluar hidrologjik. Nuk ka asnjë kërcënim për banorët e zonës. Kam kërkuar nga drejtori që të ofrojë një shpjegim të plotë dhe të qartë për të gjithë. Ky investim është një mundësi e shkëlqyer për zhvillimin e zonës. Duke i dëgjuar ekspertët dhe duke besuar në vullnetin e mirë për transformimin e tërë qarkut të Vlorës, ky projekt do të realizohet dhe të gjithë do të lirohen nga çdo lloj frike dhe pasigurie.

Një ujësjellës për ujë të pijshëm, si mundet që ai të shkaktojë dëme të tilla? Projektet nuk mund të bllokohen, investimet nuk mund të ndalohen. Policia nuk është shfaqur aty rastësisht, pasi është bërë shumë kohë që po punohet për të sqaruar situatën. Nëse dikush përpiqet të pengojë këtë investim me dhunë, ai do të dëmtojë një projekt që, mbi të gjitha, është në interes të vetë zonës”, u shpreh Rama.

Sipas tij, projekti është zhvilluar në bazë të studimeve shkencore dhe matjeve të vazhdueshme për prurjet e ujit, duke siguruar që përdorimi i ujit nga ujësjellësi nuk do të dëmtojë mjedisin. Rama ka bërë të ditur se prurja minimale e ujit nga burimi është 700 litra në sekondë, dhe përdorimi për projektin do të jetë shumë më i vogël se kjo shifër, duke lënë një pjesë të konsiderueshme të ujit të pashfrytëzuar.

“Ky është një projekt që i shërben jo vetëm Tragjasit, por të gjithë zonës dhe qarkut të Vlorës. E gjithë kjo ka ardhur si rezultat i punës së ekspertëve dhe analiza shkencore që mbështesin qëndrueshmërinë e burimit të ujit,” tha Rama. Ai gjithashtu ka kërkuar që projekti të mos bllokohet nga opozita apo grupet që kanë interes të ngatërrojnë procesin, duke theksuar se përpjekjet për sqarimin e banorëve kanë filluar muaj më parë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH