Shtyhet sërish seanca paraprake në GJKKO për Sali Berishën.
Burime për mediet bëjnë me dije se seanca paraprake për Berishën lidhur me dosjen e aferës “Partizani” është shtyrë për datën 13 mars. Mësohet se në seancën që u mbajt sot nuk u mor asnjë vendim.
Këtë të enjte ishte planifikuar që gjykata të vendoset nëse do të pranonte kërkesën e SPAK, për ta gjykuar çështjen. Por vendimi nuk u mor dhe seanca u shty për më 13 mars.
Kujtojmë se Sali Berisha është marrë i pandehur për korrupsion pasiv pasi akuzohet se ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, për t’i përshtatur sipas nevojave të pesë familjeve pronare në kompleksin sportiv Partizani, ku përfitues ishte edhe dhëndrri i tij, Jamarbër Malltezi.
Malltezi akuzohet për korrupsioni pasiv, kryer në bashkëpunim me Sali Berishën pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin, privatizuan kompleksin Partizani që i solli familjes miliona euro përfitime. Malltezi akuzohet dhe për pastrim parash.