Politikë

Shqipëria pa TikTok, Rama mbron vendimin: U konsultuam me 65 mijë prindër dhe mësues

Shkruar nga Liberale

Shqipëria pa TikTok, Rama mbron vendimin: U konsultuam me 65 mijë

Kryeminsitri Edi Rama, pasi e paralajmëroi më herët, theksoi sot se vendimi për mbylljen e përkohshme të aplikacionit TikTok, u mor pas konsultimit me 65 mijë prindër e mësues.

Sipas kreut të qeverisë, janë në një dialog shumë pozitiv me kompaninë, e cila së shpejti do të vijë në Shqipëri për të paraqitur masat për rritjen e sigurisë për fëmijët.

"Vendimi për mbylljen e përkohshme të TikTokut është e para një vendim i marrë në konsultimin e gjerë me 65 mijë prindër e mësues dhe e dyta, është një vendim i marrë pasi u ngritën kapacitetet e nevojshme teknike, ndërkohë që ne jemi në një dialog shumë pozitiv me kompaninë, e cila së shpejti do të vijë në Shqipëri për të na paraqitur qoftë një sërë masash për rritjen e sigurisë për fëmijët, përfshirë edhe në gjuhën shqipe, qoftë disa risi në shërbim të mësimeve e të studimeve", tha Rama në një reagim në TikTok.

Qeveria shqiptare mori vendimin dhe mbylli zyrtarisht rrjetin social “Tik Tok” në të gjithë vendin, për 12 muaj. Vendimi u njoftua këtë të enjte nga ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, e cila theksoi se brenda një jave ose pak më shumë, Agjencia e Sigurisë Kibernetike do të mbyllë platformën kineze.

Vendimi për mbylljen e “Tik Tok” u mor nga qeveria pas një konsultimi të gjerë publik në dhjetor 2024. Kjo lëvizje erdhi pas vrasjes me thikë të nxënësit 14-vjeçar Martin Cani nga një bashkëmoshatar.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH