Politikë

Spiropali vizitë zyrtare në Poloni: Brenda vitit 2025 çelim 23 kapituj të tjerë të negociatave

Shkruar nga Liberale
Spiropali vizitë zyrtare në Poloni: Brenda vitit 2025 çelim 23

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, e shoqëruar nga deputetët Mimi Kodheli, Anduel Tahiraj, Milva Ekonomi dhe Eralda Bano, në datat 5 e 6 mars, po zhvillon një vizitë zyrtare në Poloni, ku zhvilloi një takim me kryetarin e parlamentit, Szymon Hołownia.

Gjatë një deklarate të përbashkët për mediet me kryetarin e parlamentit të Polonisë, Szymon Hołownia, Spiropali u shpreh se, në takim u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Polonisë, si një vend që përherë ka mbështetur proceset më të rëndësishme të Shqipërisë, transformimin e saj, demokratizimin dhe anëtarësimin në NATO dhe në BE.

“Konfirmuam që dialogu politik mbetet një shtyllë kryesore e marrëdhënieve dypalëshe. Shqipëria është e angazhuar të vazhdojë dialogun e hapur midis vendeve tona në të gjitha nivelet dhe ndan të njëjtin mendim se parlamentet luajnë një rol të rëndësishëm në forcimin e dialogut dy palësh”, tha Spiropali.

Kryetarja e Kuvendit, inkurajoi shkëmbimet e mëtejshëm midis grupeve parlamentare, komisioneve, grupeve të miqësisë dhe deputetëve për të nxitur dialogun dhe bashkëpunimin si dhe shkëmbimin e përvojave në përgjithësi.

“Shqipëria ka përcaktuar anëtarësimin në BE deri në vitin 2030 dhe përfundimin e negociatave deri në vitin 2027 si një objektiv kombëtar strategjik”, tha Spiropali.

Spiropali shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Polonisë ndaj procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, veçanërisht gjatë Presidencës polake të BE-së, si dhe shprehu besimin që kjo mbështetje do të vazhdojë deri sa Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së.

“Polonia është bërë shumë shpejt një shtyllë e fortë e BE-së dhe ne jemi mëse të lumtur të kemi një mik të tillë në tryezat vendimmarrëse të BE-së”, tha Spiropali.

Kryetarja e Kuvendit theksoi se, “Shqipëria mbetet e angazhuar fort ndaj integrimit në BE siç dhe pohohet në progres raportin e Komisionit Evropian për vitin 2024”.

Spiropali vlerësoi veçanërisht rolin e Polonisë për të çuar përpara progresin e Shqipërisë me konferencat qeveritare gjatë presidencës polake.

“Gjatë vitit 2025 synojmë të hapim, shpresojmë, 23 kapituj të tjerë të negociatave, pjesë e grup-kapitujve 2, 3, 4 dhe të mbyllim kapitujt 1 dhe 2. Të mbajmë dy konferenca ndërqeveritare në mars dhe qershor, gjatë Presidencës polake. Ky është një plan ambicioz por totalisht i realizueshëm”, tha Spiropali.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH