Politikë

“2025 viti i mandatit të katërt”, Rama: Shqipëria shkëlqeu në turizëm falë punës së PS, do jemi këtu edhe disa vite

Shkruar nga Liberale

“2025 viti i mandatit të katërt”, Rama: Shqipëria

Shqipëria është renditur destinacioni me rritjen më të madhe të numrit të turistëve për vitin 2024. Kreu i qeverisë, Edi Rama publikoi tabelën e UN Tourism, e cila rendit Shqipërinë të parën. Ndërsa në rubrikën “Sy m’sy” i është përgjigjur komenteve të qytetarëve, të cilët shprehen skeptikë për rritjen e numrit të turistëve.

Një qytetar komenton se Shqipëria nuk mundet t’ia kalojë Greqisë për turizëm. Rama i kërkon që të gëzohen për sukseset e vendit, sidomos në fushën e turizmit, pasi janë fakte. Më tej, Rama thekson se kjo rritje e turizmit ka ardhur falë punës së qeverisë socialiste dhe premton se do të vijojnë të jenë në krye të qeverisë derisa vendi të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Qytetari: Ne po ia kalojmë Greqisë për turizëm? Kush i nxjerr këto marrëzira? Vetëm në portin e Pireut po të shkosh dhe të shikosh se sa turistë lëvizin nëpër ishuj, ne as që do t’i kemi për gjithë jetën tonë.

Rama: Këtu flitet për rritje krahasimisht me vitet e mëparshme, jo për numra absolut. Për numra absolut ne as krahasohemi as kemi pse krahasohemi sepse është absurditet. Franca ka 100 milionë, Turqia ka 55 milionë, Greqia ka 33 milionë. Këtu flitet cili vend është zhvilluar më shumë në vitin që lamë pas, është rritur më shumë në përqindje në raport me vetveten. Pavarësisht se ti mund të mos e duash këtë qeverinë time të poshtër, ti duhet të gëzohesh për Shqipërinë. Pse mos gëzohesh. Qeveritë shkojnë e vijnë edhe pse kjo e PS do jetë edhe disa vite këtu derisa të fusim Shqipërinë në BE. Tek e fundit Shqipëria mbetet përjetë. Kur shkëlqen në këtë drejtim të turizmit, s’ke pse ia kursen vetes një buzëqeshje. Ti e di vetë!

2025 është viti i mandatit të ri qeverisës që do e marrim më 11 maj. Mos kini frikë të gëzoheni për Shqipërinë kur ajo bën sukses dhe këtë muhabetin që “vetëm ne kishim mbetur pa u zhvilluar”, mos e bëni kështu se është shumë qesharake kjo mënyrë të arsyetuari. Fakti që po ndodh kështu sot lidhet me punët që janë bërë në këto vite për të përmbysur imazhin skandaloz të Shqipërisë, për të pastruar llumin, plehrat, për të rilindur qytetet, për të mbështetur investimet në turizëm, bujqësi, biznesin e vogël dhe me radhë. A do rritej kështu turizmi nëse aeroporti do ishte më i shtrenjti në Evropë, nëse Tirana do ishte ajo e 10 viteve më parë që gërhiste dhe e zgjuam nga gjumi? Nëse Vlora, Korça, Berati, Lezha e me radhë do ishin ato të 10 viteve më parë ku nuk bëje dot një fotografi. 10 vite më parë të gjithë na shihnin nga lart poshtë dhe rrudhnin buzët kur dëgjonin Shqipëri. Ka një fakt, suksesi i Shqipërisë turistike sot është vizioni, programi, puna këmbëngulëse e kësaj qeverise dhe e askujt tjetër. Era e 11 majit sa llafe do marrë me vete. Ja erdhi.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH