Aranit Muraçi
SHBA ka një GDP prej 30 trilionë dollarësh, me një rritje prej 7 trilion dollarësh në dekadën e fundit dhe mbetet ekonomia më e madhe e planetit. Por (siç edhe tregon tabela më poshtë), India dhe Kina regjistruan rritjen e PBB-së më të madhe, të rregulluar nga inflacioni nga 20 ekonomitë kryesore gjatë dekadës së fundit, midis 2015-2025. Analiza e të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar tregon se vende të tjera në zhvillim si Turqia dhe Indonezia gjithashtu shënuan rritje me mbi 50%.
Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, në një shënim në Facebook, vë në dukje rivalitetin SHBA-Kinë dhe thekson se ekonomitë në zhvillim po rriten ndjeshëm.
“Ekonomia e SHBA vazhdon të mbetet ekonomia më e madhe në botë. Kina dhe India kanë rritjen më të madhe midis viteve 2015-2025 sepse vepron parimi i konvergjencës që do të thotë se vendet me të ardhura për frymë më të vogla rriten më shpejt se vendet me të ardhura për frymë të larta”, thekson Arben Malaj.
Ndonëse diferenca mes ekonomive të SHBA dhe Kinës janë të mëdha me ato të Europës, Malaj thotë se vendet e zhvilluara europiane u përkasin kryesisht vendeve me popullsi relativisht të vogla.
“Vendet e zhvilluara të Evropës të analizuara si të shkëputura janë ekonomi relativisht të vogla. Por të gjitha së bashku të bazuara në thellimin dhe zgjerimin e integrimit janë një nga blloqet ekonomike më të zhvilluara dhe më të mëdha”.
Të dhënat e marra nga Fondi Monetar Ndërkombëtar nxorën në pah se Kina ka ecurinë më të mirë gjatë 10 viteve të fundit. Vendi komunist që defakto i përket sistemit ekonomik kapitalist ka regjistruar rritjen më të madhe në dekadën e fundit, nga të gjitha ekonomitë e tjera të botës.
Midis 2015-2025, PBB-ja e Kinës u rrit me 74% pas llogaritjes së inflacionit. Dhe kjo pasi ishte një ekonomi prej 11 trilion dollarësh në 2015. Në vitin 2025 GDP e Kinës shkoi në 20 trilion dollarë, shumë pranë SHBA. Rritja e shpejtë do të thotë siç tregon edhe tabela se ekonomia e SHBA është e kërcënuar për të zbritur në vendin e dytë nga vetëm një ekonomi tjetër në botë; Kina.
Ndërsa India kishte të njëjtin ndryshim relativ, ajo po rritej me një bazë shumë më të ulët prej 2.4 trilion dollarësh, por qëndron shumë larg dy superfuqive të momentit.
Rritja e Gjermanisë, ekonomisë së tretë më të madhe në planet, është tkurrur gjatë dekadës së fundit, veçanërisht gjatë viteve pas pandemisë, me një rritje prej vetëm 10 për qind, shumë poshtë mesatares së rritjes botërores që është 35 për qind. Japonia ekonomia e katërt, ka një ecuri edhe më dramatike, me një rritjen më të ulët mes 20 ekonomive më të mëdha të botës.
Thuajse të gjitha vendet e mëdha e të zhvilluara të Europës, ashtu si edhe Rusia, Australia dhe Kanadaja kanë një GDP që luhatet nga 1 deri në 4 trilion dollarë.
Zvicra ekonomia e fundit nga 20 ekonomitë më të mëdha në botë ka një GDP prej 1 trilion dollarësh. Por Zvicra ka një popullsi prej vetëm 9 milion banorësh, çka do të thotë se nga analiza e të ardhurave për frymë, është një ndër vendet më të pasura në planet.
Shqipëria sipas të dhënave të vitit 20024 ka një GDP prej 23 miliard dollarësh, ose e thënë ndryshe ndonëse popullsia e vendit tonë është 3-4 herë më e vogël se popullsia e Zvicrës, ekonomia nuk përputhet me një raport të tillë pasi ajo shqiptare është rreth 50 herë më e vogël.