Në vitin 2002, Shqipëria, bashkë me Turqinë, ishte një nga dy vendet e para në Europë për popullsinë më të re në moshë. Pas dy dekadash, profili demografik i vendit tonë ka ndryshuar rrënjësisht. Emigracioni nga njëra anë dhe rënia drastike e lindshmërisë nga ana tjetër shihen si dy ndër faktorët kryesore që janë ndikuar në këtë ndryshim.
Popullsia e Shqipërisë është reduktuar thuajse çdo vit. Ajo është plakur me 7 vite, nga viti 2011 deri në 2023. Të dhënat e Censit 2023 treguan se, nga 103 mijë persona që jetonin vetëm, 62,5% e tyre ishin 60 vjeç e lart (64,375 persona). Popullsia në moshë pensioni arriti në 473 mijë persona, sipas Censit 2023, duke pësuar një rritje prej 49% nga Censi 2011. Rritjen më të fortë në popullsinë e përgjithshme e kishin 90-vjeçarët, ndërsa grupi i popullsisë 85–89 vjeç arriti në 26,443 persona në Censin 2023, nga 14,738 që kishte në 2011, me një rritje prej 79%. Grup-mosha 80–84 vjeç ishte grup-mosha e dytë me rritjen më të madhe, 75%, ndërmjet Censit 2011 dhe 2023. Prej vitit 2002 të dhënat tregojnë se Shqipërisë i janë larguar çdo vit 40-50 mijë shtetas, treçereku i të cilëve në moshë aktive për punë. Largimi i vazhdueshëm i të rinjve në emigracion ka vënë në vështirësi për fuqi punëtore shumë biznese në mbarë vendin, që për nga nevoja e krijuar po tërheqin fuqi punëtore nga jashtë, kryesisht nga vendet e botës së tretë.
Z. Mateo Spaho, dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit, në Universitetin Europian të Tiranës, për “Liberale.al” mbi realitetin e ri demografik thekson se një i tillë duhet pranuar si dhe analizon faktorët që kanë sjellë ndryshimin bashkë me politikat që duhen ndjekur dhe adresuar në ekonomi, me qëllim për t’i bërë ballë plakjes së popullsisë.
“Plakja e popullsisë tregon se shqiptarët po lindin më pak fëmijë dhe për këtë duhet të hyjnë në fuqi politika pro familjes që janë një seri masash si kredi të buta për çiftet e reja në blerjen e shtëpisë së parë, pagesa e tatimit mbi të ardhurat personale në bazë familjare e jo vetjake, me shumë kopshte dhe çerdhe në qytetet shqiptare dhe pranë ndërmarrjeve etj. Nga krahu tjetër duhet të themi se modelet dhe stili i jetesës sot nuk inkurajon lindjen e fëmijës së tretë ku deri 30 vite më parë ishte natyrale të mendohej. Në të njëjtën kohë nuk duhet të harrojmë se edhe mosha mesatare e jetëgjatësisë është rritur. Në vitin 2023, ajo tejkaloi 79 vite. Sot Shqipëria është në vendin e 46-të nga 190 shtete për jetëgjatësi. Është e njëjta jetëgjatësi që kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për këtë duhet te jemi relativisht të kënaqur por nga krahu tjetër kjo nënkupton rritjen e moshës së pensionit ose një pakësim relativ të pensionit publik. Këto probleme janë zbutur në Europën Perëndimore nga emigrantët dhe në fakt edhe në Shqipëri kjo është tendenca. Jo rastësisht, në vend punojnë rreth 14 mijë të huaj, dhe ky numër do të rritet”, shprehet në analizën e tij z. Spaho.
Një studim për emigracionin e të rinjve në vendet e Ballkanit Perëndimor i kryer nga “Westminster Foundation for Democracy” tregon se çdo largim i të rinjve aktiv për punë është një kosto e humbur për ekonominë e vendit tonë, si në aspektin arsimor ashtu edhe në atë të punësimit.
Në vitin 2023, 1.1 milionë njerëz morën nënshtetësinë e vendit të BE- së ku jetonin, sipas të dhënave më të fundit të Eurostat, Instituti Europian i Statistikave dhe shqiptarët ishin të tretët në botë (44.400) si përfitues pas sirianëve dhe marokenëve. Studimi mbi (kostot e emigrimit të të rinjve në vendet e Ballkanit Perëndimor) nga “The Westminster Foundation for Democracy” tregon se, ekonomia e vendit tonë përballet me humbje vjetore rreth 800 milionë euro si rrjedhojë e nivelit të lartë të emigracionit, sidomos të moshave të reja.
Dekani i Fakultetit Ekonomik në UET, z.Spaho thekson se pavarësisht largimit masiv të të rinjve, tërheqja e fuqisë së huaj punëtore nga jashtë vendit tregon edhe anë pozitive të ekonomisë.
“Të bëhesh destinacion për emigrantët e huaj është arritje në dy aspekte sepse tregon qe vendi gjithnjë e më shumë perceptohet si i përshtatshëm për të jetuar e për të punuar (deri 10-15 vite me pare nuk ishte kështu) e duke marre parasysh se një pjesë e mirë e të huajve sot bëjnë punë që shqiptarët nuk duan të bëjnë më, tregon se të rinjtë e vendit tonë nuk kanë më halle që lidhen me mbijetesën e tyre por kanë luksin të kërkojnë më shumë standarde dhe cilësi”, - nënvizon Spaho.
Në Shqipëri, sipas të dhënave të INSTAT nga Censi 2023, raporti i varësisë së të moshuarve ndaj forcës së punës ishte 30,4%, shumë më e lartë se në vitin 2011, kur treguesi ishte 16,4%, dhe në vitin 2002, vetëm 12,3%. Kjo do të thotë se aktualisht në vendin tonë ka rreth 3.2 shqiptarë në moshë pune për çdo të moshuar mbi 65 vjeç, nga 8.1 që ishin në vitin 2002. Zbrazja e vendit nga të rinjtë e ka rritur shumë shpejt varësinë ndaj të moshuarve. Si krahasim në BE, në vitin 2022 varësia e të moshuarve ishte 23,8%, ndërsa në vitin 2024, 33,9%.
Në 22 vite, raporti i varësisë së të moshuarve u rrit me 10,1% në BE, ndërsa në Shqipëri me 18 pikë. Tani, pas Shqipërisë, janë së paku edhe 16 vende që kanë raporte varësie më të ulët të të moshuarve ndaj forcës së punës. Rreth raportit të varësisë së të moshuarve në shkallë kombëtare të dhënat e fundit zyrtare tregojnë në të paktën 42 bashki ky raport është më i lartë se 30%.
Popullsia në moshë aktive për punë është reduktuar me 18% ndërmjet Censit 2011 dhe 2023. Të dhënat tregojnë se gati një e katërta e saj është e përqendruar në Tiranë, çka tregon një problematikë tjetër të mprehtë që kërkon politika të posaçme.