Shqipëria figuron ndër vendet me numrin më të lartë të emigracionit në botë për nga numri i popullsisë. Në raport me popullsinë, gjatë dy dekadave të fundit shqiptarët kryesojnë listat e emigracionit në vendet e Bashkimit Europian.
Varfëria dhe më pas liria për të lëvizur e kanë nxitur një pjesë të popullsisë së Ballkanit të emigrojë, por në Shqipëri kjo tendencë është shumë më e lartë, pas viteve ’90, ndonëse vendi ynë nuk ka pasur konflikte lufte, si pjesa më e madhe e shteteve fqinjë. Edhe pas 30 viteve nga rënia e komunizmit, shqiptarët largohen njësoj me ritmet e vendeve të përfshira në luftë si Siria dhe Ukraina.
Siç tregojnë të dhënat, në vitin 2024 numrin më të lartë të emigrantëve e mban Ukraina, një vend i përfshirë prej tre vitesh në luftë. Dukshëm siç tregohet në tabelë thuajse të gjitha qeveritë kanë dështuar për të parandaluar fluksin e emigrantëve.
Shqipëria në vitin 2020 ishte e para në botë për numrin e popullsisë (6.6 aplikime për 1,000 banorë, dhe e dyta pas nesh është janë gjeorgjianët, me 4.6 aplikime për 1000 banorë, të ndjekur nga sirianët, me 4.4 aplikime).
Në total nga viti 2001, rreth 300 mijë persona kanë kërkuar azil në vendet e BE-së, duke kulmuar në 2015-n, me rreth 69 mijë persona, sipas të dhënave të mëparshme të Eurostat.
Europa mbetet një nga destinacionet më të preferuara dhe shqiptarëve lëvizja e lirë u ka mundësuar lehtësisht që të kërkojnë punë në një vend më të zhvilluar çka ka ndikuar në shpopullimin dramatik të vendit gjatë dekadës së fundit.
Krahasuar me pjesën tjetër të botës në vitin 2022, flukset e migracionit arritën nivele të paprecedentë në botë me rreth 6 milionë emigrantë të rinj të përhershëm (pa llogaritur 4.7 milionë refugjatë ukrainas). Kjo u nxit nga një sërë faktorësh, përfshirë një efekt rikuperues pas pandemisë COVID-19, mungesat në rritje të fuqisë punëtore që u nxitën nga rimëkëmbja e fortë ekonomike dhe fillimi i ndryshimeve demografike në vendet e OECD-së, dhe një sërë situatash specifike.
Me 6.5 milionë emigrantë të rinj të përhershëm në zonën e OECD, 2023 vendosi një rekord të ri historik. Pjesa më e madhe e rritjes së vitit 2023 ishte nxitur nga migrimi familjar (+16%), por migrimi humanitar (+20%) ishte gjithashtu në rritje.
Pas një rritjeje të paprecedentë në vitin 2022, migrimi i përkohshëm për motive punësimi në vendet e OECD gjithashtu vazhdoi të rritet. Më shumë se 2.4 milionë leje pune dhe autorizime u dhanë në vendet e OECD (përjashtuar Poloninë) që përfaqësojnë një rritje prej 16% nga viti në vit (28% mbi nivelet para COVID).
Numri i azilkërkuesve të rinj në vendet e OECD theu gjithashtu një rekord të ri në vitin 2023, me 2.7 milionë aplikime të reja të regjistruara në vendet e OECD (+30%). Rritja u nxit kryesisht nga Shtetet e Bashkuara. Në total, vendet e OECD-së i dhanë mbrojtje ndërkombëtare 676.000 refugjatëve në vitin 2023 (+15%) – niveli më i lartë që nga viti 2017. Kjo përfshin 160 000 refugjatë të rinj të zhvendosur (+23%), numri më i lartë që nga viti 2016.