Ekonomi

SHIFRA E DITËS: 57 për qind e shpenzimeve për shkencën në Europë i mbulon biznesi, në Shqipëri zero!

Shkruar nga Liberale

SHIFRA E DITËS: 57 për qind e shpenzimeve për shkencën

Aranit Muraçi

Shqipëria mbetet e fundit në Europë, për sa u përket fondeve për inovacion, kërkim dhe zhvillim, sipas të dhënave të vitit 2022. Edhe pse për vendin tonë mungojnë të dhënat e vitit të fundit nga Komisioni Europian, referuar shpenzimeve të parashikuara në buxhetin e shtetit për vitet 2023 dhe 2024, ndonëse ka një rritje të lehtë si në çdo sektor tjetër, nuk është parashikuar asnjë ndryshim i rëndësishëm për të përmbysur raportin negativ që ka ndërtuar Shqipëria gjatë dekadave të fundit me shkencën. Shpenzimet për inovacion dhe kërkim zhvillim në Shqipëri në vitin 2022 ishin 0.005 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ose përbënin shpenzimet më të ulëta të një vendi Europian në raport me ekonominë.

Nëse i referohemi analizës së investimit, inovacionit në Shqipëri i mungon financimi nga biznesi, që në BE përbën më shumë se gjysmën e totalit të shpenzimeve. Kjo për arsyen e kulturës së dobët të sipërmarrjes në vendin tonë, mungesës së garës në një treg ku shumica e sipërmarrësve suksesin e konsiderojnë të garantuar nga lidhjet politike dhe privilegjet e mundshme, sesa nga konkurrenca.  

SHIFRA E DITËS: 57 për qind e shpenzimeve për shkencën

Në vitin 2023, sipas raportit të Komisionit Europian që i referohet të dhënave zyrtare të Eurostat (Instituti Europian i Statistikave) shpenzimet e BE-së për kërkim dhe zhvillim në raport me PBB-në shkuan në 2.22%, shifër kjo më e lartë se një vit më parë kur shpenzimet ishin 2.21%.

Në vitin 2023, BE-ja shpenzoi në total 381 miliardë euro për kërkimin dhe zhvillimin; Shpenzimet si përqindje e PBB-së qëndruan në 2.22% në 2023, krahasuar me 2.08% në 2013.

Ndërmjet viteve 2013 dhe 2023, pjesa më e madhe e shpenzimeve për kërkim dhe zhvillim është kryer në sektorin e sipërmarrjeve të biznesit, duke u rritur nga 1.33% e PBB-së në vitin 2013 në 1.47% deri në vitin 2023 në këtë sektor, ose duke pësuar një rritje të përgjithshme prej 10.53%.

SHIFRA E DITËS: 57 për qind e shpenzimeve për shkencën

Në analizën e të dhënave, të publikuar nga Komisioni Europian, mungonte Shqipëria. Ndërsa vendet e rajonit, si Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja, sikurse ato anëtare të BE-së si Bullgaria, Rumania, Malta dhe Qipro ishin ndër vendet me shpenzimet më të ulëta në shkencë.   

Ndër vendet e BE-së, intensiteti më i lartë i Kërkim-Zhvillimit “K&Zh” në vitin 2023 u regjistrua në Suedi (3,57%) e ndjekur nga Belgjika (3,32%) dhe Austria (3,29%). Përqindjet më të larta të radhës u regjistruan në Gjermani (3.11%) dhe në Finlandë (3.09%). Ishin 5 vende që raportuan shpenzime për R&D që ishin nën 1% të PBB-së së tyre në 2023; secila prej tyre ishin vende që ishin anëtarësuar në BE në 2004 ose kohët e fundit, me intensitetin më të ulët të R&D të regjistruar në Rumani (0.52%), Maltë (0.61%), Qipro (0.68) dhe Bullgari (0.79).

Një analizë e shpenzimeve për Kërkim dhe Zhvillim, sipas burimit të fondeve, rezulton se më shumë se gjysma (57.7%) e shpenzimeve totale brenda BE-së në vitin 2021 ishte financuar nga ndërmarrjet e biznesit, ndërsa pothuajse një e treta (30.3%) financohej nga qeveria dhe 9.7% e tjera nga pjesa tjetër e botës (fondet e huaja). Financimi nga sektori i arsimit të lartë ishte relativisht i vogël në vitin 2021, 1.2% e totalit.  Zhvillimet kryesore gjatë periudhës 2011-2021 ishin rënia e përqindjes së financimit të sektorit qeveritar nga 33.6% në 2011 në 29.3 në 2019. Sektori i sipërmarrjeve të biznesit arriti kulmin në 59.2 në vitin 2018 dhe më pas u ul me 1.5 pikë përqindje gjatë periudhës 2018-2021. Për sektorin e arsimit të lartë fillimisht pati një rënie të vogël dhe më pas pesha e tij u rrit me 0.3 pikë përqindje në 2021 krahasuar me 2011, ndërsa sektori privat jofitimprurës nuk ndryshoi shumë dhe pjesa tjetër e botës u rrit me 1.7 pikë përqindje në dekadën 2011-2021.

SHIFRA E DITËS: 57 për qind e shpenzimeve për shkencën

Në vitin 2021, financimi nga biznesi përbënte më shumë se tre të pestat e totalit të shpenzimeve për Kërkim dhe Zhvillim në Belgjikë (64.4%), Gjermani (62.8%), Maltë (61.3%) dhe Suedi (60.7%). Një pjesë e konsiderueshme e shpenzimeve për Kërkim dhe Zhvillim në vende si në Luksemburg (47.0%), Greqi (44.5%), Sllovaki (37.9%), Spanjë (37.5%), Poloni (37.4%), Estoni (37.0%), Qipro (36.7%) dhe Kroaci (35.9%) u financua nga sektori i qeverisë. Ka pasur gjithashtu dallime të konsiderueshme në rëndësinë relative të financimit të Kërkimit dhe Zhvillimit nga pjesa tjetër e botës. Përqindje relativisht të larta në vitin 2021 janë raportuar në Bullgari (40.1%), Lituani (31.3%), Çeki (30.6%), Letoni (30.4%), Slloveni (26.4%) dhe Irlandë (26.3%). Sektori i arsimit të lartë luajti një rol relativisht të vogël në financimin e shpenzimeve për Kërkim dhe Zhvillim në shumicën e vendeve, duke tejkaluar 3,0% vendet jugore të Kroacisë (4,8%), Spanjës (4,0%), Qipros (3,4%) dhe Portugalisë (3,3%), si dhe në Poloni (3,1%), dhe duke qenë modest në pjesën tjetër të vendeve. Po kështu, roli i sektorit privat jofitimprurës ishte përgjithësisht i vogël, duke kaluar 3,0% vetëm në Danimarkë (6,3%, të dhënat 2019) dhe në Suedi (3,3%), ndërsa ishte shumë modest në pjesën tjetër të Europës.

Në Japoni (78.1%), Kinë (78%) dhe Korenë e Jugut (76.1%), Kërkimi dhe Zhvillimi i financuar nga biznesi përbënte një pjesë më të madhe të shpenzimeve totale për “R&D” sesa në BE. Në ekonomitë aziatike, pjesa e kërkimit dhe zhvillimit të financuar nga biznesi ishte mbi tre të katërtat e totalit të K&ZH-së në vitin 2021. Në Shtetet e Bashkuara (68.9%), pjesa e R&D të financuar nga biznesi ishte më e ulët se në këto vende, por mbetet më e lartë se mesatarja e BE-së.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH