Ervis Iljazaj
Kyreministri i Shqipërisë Edi Rama, që nga koha e arrestimit të Erion Veliajt çdo ditë në rrjetet e tij sociale apo dhe në institucione të tjera nuk lë ditë pa folur për të drejtat e njeriut dhe për një drejtësi represive. Madje, në mbledhjet e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste jep edhe leksione për drejtësinë dhe kritikon SPAK për një lloj drejtësie represive dhe që nuk po garanton të drejtat e njeriut, pasi e ekuzon se masat e arrestit me burg po përdoren pa asnjë lloj kriteri.
Por përtej debatit nëse kjo gjë është e vërtetë apo jo, ajo që bën përshtypje është fakti se këtë fushatë komunikimi duke kritikuar SPAK, Edi Rama e ka marrë që nga momenti i arrestimi të Veliajt.
Kryeministri ndoshta ka edhe të drejtë, por ama i sigurt është fakti se qëndrimi i tij nuk është aspak parimor dhe tërësisht inkoherent. Nëse vërtetë do të ishte i interesuar për të drejtat e njeriut, Edi Rama do të reagonte dhe do t’i mbronte ato në rastin e Sali Berishës, ose më shumë akoma në rastin e arrestimit të Ilir Metës. Për ish presidentin e Republikës së Shqipërisë, ish-Kryeminsitër dhe ish Kryetar Kuvendi, u vendos një masë arresti me burg dhe Kryeministri apo ndonjë pjesëtar tjetër i mazhorancës nuk pati as më të voglin reagim. Madje, qëndrimi i tyre pak kohë më parë ishte se nuk komentonin vendimet e drejtësisë. Ish Presidenti i Republikës u arrestua në mes të rrugës me forcë dhe përsëri askush nuk reagoi nga ana e mazharoncës.
Edhe në rastin e Sali Berishës, askush nga mazhoranca apo Kryeministri nuk reagoi apo nuk mbrojti të drejtat e njeriut që të kritikohej SPAK se po bënte një drejtësi represive. Qëndrimi i Ramës dhe i mazhorancës ka ndryshuar totalisht vetëm kur panë se drejtësia u shkoi te dera e tyre. Nga koha kur pretendonin se nuk i komentojmë vendimet e drejtësisë, tashmë Rama ka ndërmarrë një fushatë të tërë në mbrojtje të të drejtave të njeriut kundër SPAK.
E vërteta është se këto qëndrime kanë ndryshuar thjesht sepse drejtësia po heton njërëz të rëndësishëm në radhët e mazhorancës dhe ndoshta do ta bëjë edhe në të ardhmen. Prandaj qëndrimi është tërësisht inkoherent dhe jo parimor. Nëse mazhoranca do të kishte vërtetë për zemër çështjen e të drejtave të njeriut, do të reagonte edhe në rastin Berisha dhe aq me tepër në rastin Meta. Arrestimi i Erion Veliajt e ka futur realisht në vështirësi mazhorancën në qëndrimet e saj në raport me drejtësinë dhe ka bërë që ajo të ndryshojë retorikën publike totalisht.
Në fakt, e gjithë politika ka një qëndrim hipokrit dhe inkoherent në raport me SPAK. Kur ky institucion heton apo akuzon njërëz të Partisë Demokratike ajo për të është një organizatë kriminale. Kur heton apo arreston Veliajn aty gjenden prokurorë dhe gjyqtarë kurajozë. Madje, edhe merren në mbrojtje nga Partia Demokratike. Ashtu edhe për Partinë Socialiste, ku deri dje drejtësia ishte e pavarur dhe e drejtë, ndërsa sot, ajo është represive.
Thelbi i kësaj historie është fakti se për herë të parë në 34 vite në Shqipëri ne kemi një drejtësi që sulmohet nga të dyja palët. Dhe kjo tregon shumë për punët e SPAK dhe pavarësinë e tij. Asnjëherë më parë nuk ka ndodhur një fenomen i tillë, dhe kjo gjë vetëm sa rrit besueshmërinë e këtij institucioni. Sa më shumë e sulmon politika, aq më shumë do të rritet besueshmëria e tij te qyetarët shqiptarë.