Preç Zogaj
Me rikthimin e bujshëm në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Tramp po e trondit status-quonë ndërkombëtare të miqësive, armiqësive, aleancave, blloqeve, shkëmbimeve, kufijve. Aq sa për të bërë analogji në aspektin e pasojave të kësaj furtune, shumë media europiane kanë cituar këto kohë një shprehje që i atribuohet Leninit, që thotë: “Ka qindvjeçarë në të cilët nuk ndodh asgjë dhe ka javë në të cilat ndodhin qindvjeçarë”.
Sensacionalë në raport me çfarë Amerika e ka mësuar botën, së paku gjatë një shekulli, aktet dhe veprimet e Presidentit janë paralajmëruar në fushatën e tij elektorale. Edhe pse nuk kanë qenë kurdoherë kaq eksplicite, siç është përshembull ideja e zhvendosjes së popullit palestinez nga Gaza në shtete të tjera, duke iu qasur kësisoj me një filozofi të ashtuquajtur imobiliare një historie të gjatë dramash, gjaku e përpjekjesh të popullit palestinez për mëvetësi dhe të drejta kombëtare.
Apo përmbysja e narrativës së agresionit ushtarak rus kundër Ukrainës, që relativizon përgjegjësitë e agresorit dhe nuk nguron t’i hedhë faje viktimës. Si në përrallën e ujkut me qëngjin. Gjë që e shokon dijen për faktet dhe shkon përtej konçensioneve të natyrshme verbale në funksion të uljes në bisedime me Rusinë për një marrëveshje të paqes.
Duke qenë superfuqi, SHBA-ve u shkon protagonizmi. Jo vetëm u shkon, por u kërkohet nga miqtë dhe aleatët e tyre. Asnjë vend europian nuk e ka vënë ndonjëherë në diskutim këtë. Vetë SHBA e ka manifestuar lidershipin dhe protagonizmin e saj në bashkëpunim të ngushtë me aleatët e NATO-s dhe vendet demokratike të botës. Aleanca e gjerë e këtyre vendeve në mbështetje të Ukrainës kundër agresionit të paprovokuar rus u realizua nën lidershipin e Presidentit Biden. Kjo mbështetje dhe qëndresa heroike ukrainase nuk e kanë lejuar Putinin të krijojë një Bjellorusi tjetër satelite të Moskës.
Askush nuk e do luftën. Më pak se askush vendi që goditet natë ditë me gjithfarë lloj armësh të arsenalit rus dhe numëron çdo mëngjes viktimat: fëmijë, pleq, burra, gra. Paqja ka kohë që kërkohet e shërbehet. Para se të vinte Tramp në pushtet. Një paqe e themeluar mbi të drejtën e Ukrainës për të ekzistuar si shtet i pavarur, i sigurtë, në regjimin që zgjedhin me vullnetin e tyre qytetarët ukrainas.
Tramp ngjalli shpresë duke e shpallur ndalimin e luftës në Ukrainë si përparësi të presidencës së tij. Ai ka mjaft avantazhe për të arritur një marrëveshje të paqes me Rusinë. Mbi të gjitha marrëdhëniet e mira me Putinin. Nuk ka njeri me dy para mend që nuk e vlerëson përpjekjen e tij. Por për shkak të keqkordinimit, pikëpyetjeve që ngre unilateralizmi në ndërmarrje të tilla madhore, apo kush dreqi e merr vesh, lëvizjet e tij kanë krijuar shqetësime e dyshime. Qoftë në Kiev si palë e sulmuar, qoftë në vendet e BE-së si palë të përfshira në mbështetjen e fuqishme të Ukrainës.
Sinteza e këtyre shqetësimeve ishte shfaqja e djeshme në zyrën ovale ku mikpritësit Tramp dhe Vals u përfshinë me të ftuarin e tyre Zelenski në një shkëmbim nervoz batutash që nuk është parë ndonjëherë.
Çfarë do të bëhet?
Si do të vijojnë marrëdhëniet SHBA-Ukrainë? A do të vazhdojë SHBA të mbështesë Ukrainën? A do të konsiderohen opsionet dhe prania e Kievit zyrtar në bisedimet e supozura të paqes me Rusinë, nëse këto bisedime janë akoma në agjendë?
Më tej: Cilat do të jenë marrëdhëniet e SHBA me Europën për të cilën Tramp nuk është rezervuar të flasë keq sikur BE është një strukturë që ka lindur për t’ja futur SHBA-ve, e tjerë e tjerë?
A mund të ndodhë që Amerika trampiste të gravidojë drejt aleancave strategjike me fuqitë autokratike apo njëpartiake si Rusia dhe Kina në vizionin fantomatik të një Jalte të re, apo një bote trepolare, së cilës do t’i nënvendoseshin zonat vasale të interesit anembanë botës?
Cili do të jetë fati i demokracisë në rendin illiberal dhe realpolitikës që promovon trampizmi?
A mund të ndodhë që, ndërsa nuk kishte pse investohej për të bërë Rusinë një vend demokratik, SHBA të bëhet vetë një autokraci miliarderësh?
Janë një mori pyetjesh të kësaj natyre, të paimagjinueshme deri para një viti. Përgjigjet po marrin formë në përpjekjet e vendeve europiane për të ruajtur me patjetër marrëdhëniet e ngushta stategjike me SHBA-në. Dhe për forcimin e kohezionit mes tyre në funksion të fuqizimit të kapaciteteve mbrojtëse dhe rritjes si pol i madh zhvillimi ku banon një popullsi më e madhe se e SHBA-ve dhe Rusisë të marra së bashku.
Pavarësisht profecive apokaliptike, mund të thuhet: së pari, një Jaltë të dytë nuk mund të ketë. Nuk ka asnjë analogji me Jaltën e vërtetë të shkurtit të vitit 1945 mes Ruzveltit, Stalinit dhe Çërçillit, si liderë të fuqive fituese të Luftës së Dytë Botërore. Nuk ka kurrfarë konteksti dhe nuk e mendon kush as në Uashington e as në Moskë ma merr mendja.
Së dyti, ndryshe nga Rusia që ka ardhur nga një histori qindravjeçare skllavërie, siç thotë shkrimtari i madh rus, Vasili Grosman, SHBA është themeluar si një vend demokratik dhe është bërë superfuqia e botës pikësëpari falë demokracisë. Si e tillë, ajo nuk mund të dalë nga fati i vet. Iliberalizmi si trend i një periudhe mund t’i shartohet demokracisë me risitë e veta, por nuk mund ta tjetërsojë atë. Në SHBA ka zgjedhje, ka drejtësi të pavarur, ka liri shypi. Vetë Tramp dhe qeveria e tij promovojnë lirinë e shtypit, madje kjo ishte tema kryesore e fjalës së zëvendës-presidentit Vance në Konferencën e Mynihut para disa ditësh.
Së treti, marrëdhëniet e SHBA me Europën vështirë se mund të hyjnë në në një krizë të pakthyeshme. SHBA dhe Europa janë si krahë të një trupi. Europa është e fortë me SHBA dhe SHBA është e fortë me Europën. Të dyja do të humbnin shumë pa njëra-tjetrën. Europa ka pranuar se është e gatshme të bisedojë për balancimin e tarifave që Tramp i reklamon si të padrejta. Europa është angazhuar zyrtarisht të blejë më shumë energji, në veçanti gaz të lëngshëm dhe armë nga SHBA-të. Liderit europianë, Presidenti i Francës, Makron, kryeministri britanik, Starmer, presidenti polak Duda, e tjerë, s’janë rezervuar t’i shkojnë në zyrë dhe t’i luten presidentit Tramp të mbajë miqësinë e ngushtë me kontinentit e vjetër. Nga ana tjetër, duke theksuar se” gjëja më e mirë do të ishte që Amerika të vazhdonte t’i konsiderojë europianët si partnerë”, kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, Merz, një europianist i thekur, ka paralëjmëruar se mund të “verefikohen skenarë shumë negativë për ne”. Por duhet pritur sa të marrë detyrën dhe të impenjohet në veshjen e kancelarit për një Gjermani dhe Europë më të fortë.
Kërcënimet e Tramp, ç’është e vërteta, e kanë shkundur Europën që ishte mësuar keq me shkëmbime të favorshme për vete dhe e kishte fjetur mendjen se mbrojtjen na e garanton SHBA. Përtej fjalëve, skenave dhe skenografive që njihen si talenti i Presidentit, i vetmi “rend i ri” që shohim të marrë formë në këtë periudhë është marrja e përgjegjësive nga Europa për fatin e saj.
Për të vazhduar me analogjitë, këto ditë po evokohet teatri japonez Kabuki, ku aktorët veshin maska mizorësh, por gjaku i vërtetë nuk rrjedh, është e gjitha inskenim, skenografi. “Ndaj duhet të fillojmë t’i dëshifrojmë ritualet e këtij zotnisë, Donald Tramp”, sugjeron me optimizëm gazeta “Corriere della Sera”.
Në të voglën tonë, nga Shqipëria, që është e madhe për ne, duam të jetë kështu: një inskenim, një skenografi për të detyruar Europën të shpenzojë më shumë për mbrojtjen dhe të blejë më shumë në SHBA. Nuk duam të shohim një përplasje SHBA-Europë, nuk duam të vihemi në dilemën me kë të jemi.