Ekonomi

Çmimet e ndërtimit priten të bien

Shkruar nga Liberale
Çmimet e ndërtimit priten të bien

Pas disa muajsh rënie, treguesi i besimit në ekonomi u rrit me 0.9 pikë gjatë muajit shkurt, por sektorët kyç mbetën pesimistë. Banka e Shqipërisë tregon se besimi për ndërtimin dhe shërbimet, sektorët me kontributin më të madh në PBB, vijoi rënien.

Besimi tek sektori i ndërtimit ka rënë për muajin e tretë radhazi, përballë një kërkese më të ulët. Ndërtuesit presin rënie të çmimeve dhe punësimit.

Edhe për shërbimet pati një rënie të besimit në ekonomi, me 1.4 p.p, për shkak të kërkesës më të ulët dhe parashikimit për reduktim të punësimit. Bizneset kanë ruajtur të njëjtin vlerësim për ecurinë e çmimeve në të ardhmen.

Besimi tek bizneset e tregtisë pati rritjen më të fortë, 3.2 p.p, ndikuar nga një ecuri pozitive e biznesit dhe pritjet optimiste për punësimin. Tregtarët presin rënie të çmimeve.

Besimi për industrinë u rrit me 1.1 pikë përqindje, pas katër muajsh rënie të vazhdueshme. Rritja u ndikua nga një rritje e kërkesës dhe pritjet pozitive për rritje të eksporteve. Industria pret rritje të çmimeve.

Për konsumatorët, treguesi i besimit u rrit me 2.2 p.p, me rritjen e pritshmërive për blerje në shuma të mëdha dhe përmirësim të situatës financiare. Pritjet e konsumatorëve për çmimet dhe nivelin e punësimit në të ardhmen kanë rënë në muajin shkurt./Gazeta SI/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH