Ekonomi

Shqipëria më pak produktive! Importi i energjisë për 2024 rritet me 39 %, eksporti bie me 18%

Shkruar nga Liberale

Shqipëria më pak produktive! Importi i energjisë për 2024

Edhe në prodhimin e energjisë, Shqipëria ka shtuar importet dhe ka ulur ndjeshëm eksportet. Nevoja për konsumin vendas, në mungesë të prodhimit, sigurohet nga jashtë.

Importi bruto i energjisë elektrike për vitin 2024 shënoi një rritje me 38,9 %, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT (Instituti i Statistikave) kurse eksporti bruto i energjisë elektrike shënoi një rënie me 17,8 %.

Gjatë vitit 2024, energjia elektrike në dispozicion u rrit me 3,7 %. Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike, në vitin 2024, arriti vlerën 7.837 GWh nga 8.796 GWh energji të prodhuar në vitin 2023, duke shënuar një rënie të prodhimit me 10,9 %.

Ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 52,1 %, nga hidrocentralet private dhe koncensionare në masën 41,4 % dhe nga të tjerë prodhues në masën 6,5 % të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.

Shqipëria më pak produktive! Importi i energjisë për 2024

Importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje) arriti vlerën 2.669 GWh nga 1.922 GWh që ishte një vit më parë, duke shënuar kështu një rritje me 38,9 %. Eksporti bruto i energjisë elektrike (energji në dhënie) arriti vlerën 2.335 GWh nga 2.842 GWh duke shënuar një rënie me 17,8 %.

Hidrocentralet publike, në vitin 2024, prodhuan 4.085 GWh nga 5.123 GWh të prodhuar në vitin 2023,duke shënuar kështu një rënie të prodhimit me 20,3 %.

Hidrocentralet private dhe koncensionare, prodhuan 3.245 GWh nga 3.582 GWh të prodhuar një vit më parë, duke shënuar një rënie të prodhimit të energjisë elektrike me 9,4 %.

Të tjerë prodhues, prodhuan 507 GWh nga 90 GWh të prodhuar në vitin 2023, duke shënuar një rritje të prodhimit të energjisë elektrike me 5,6 herë. Shkëmbimi i energjisë elektrike (diferenca mes eksportit dhe importit bruto të energjisë), në vitin 2024, ka arritur vlerën negative prej 334 GWh.

Humbjet në rrjet kanë arritur vlerën 1.614 GWh në vitin 2024 nga 1.655 GWh në vitin 2023, duke
shënuar një rënie me 2,4 %. Pesha që zënë humbjet në rrjet në totalin e energjisë elektrike në dispozicion gjatë vitit 2024 është 19,8 % nga 21,0 % që ishte në vitin 2023, duke shënuar një ulje me 1,2 %.

Gjatë vitit 2024, humbjet në transmetim janë ulur me 8,6 % dhe humbjet në shpërndarje janë ulur me 1,5 %, krahasuar me vitin 2023.

Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët, në vitin 2024, arriti vlerën 6.556 GWh nga 6.221 GWh që ishte në vitin 2023.

Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët familjarë u rrit me 9,4 %, duke arritur vlerën 3.409 GWh në vitin 2024 nga 3.117 GWh që ishte në vitin 2023, ndërsa përdorimi nga konsumatorët jo familjarë u rrit me 1,4 % duke arritur vlerën 3.147 GWh në vitin 2024, nga 3.104 GWh që ishte një vit më parë.

Në vitin 2024 kemi një rënie të prodhimit neto vendas në tremujorin e parë dhe të dytë dhe një rritje të prodhimit neto vendas në tremujorin e tretë dhe të katërt, krahasuar me vitin 2023.

Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2024, importet bruto të energjisë elektrike (energji në marrje) u rritën me 32,4 % dhe eksportet bruto të energjisë elektrike (energji në dhënie) u ulën me 17,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët u rrit me 6,6 %. Përdorimi nga konsumatorët familjarë u rrit me 10,7 %, përdorimi nga konsumatorët jo familjarë u rrit me 2,3 %.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH