Ekonomi

SHIFRA E DITËS:  Përfitojnë mbi 500 mijë shqiptarë, detajet e marrëveshjes historike për pensionet me Italinë

Shkruar nga Liberale

SHIFRA E DITËS:  Përfitojnë mbi 500 mijë

Senati italian miratoi sot marrëveshjen historike për pensionet. Me 129 vota pro dhe asnjë kundër marrëveshja për pensionet me Shqipërinë e cila u arrit vitin e kaluar, nga kryeministrat Rama dhe Meloni,  mori formë zyrtare pas ratifikimit në parlamentin italian. Shqipëria nga ana e saj e kishte kaluar më herët në Kuvend dhe ishte në pritje të vendimit të palës italiane.

Nga kjo marrëveshje përfitojnë si shtetasit shqiptarë që jetojnë në Itali, ashtu edhe shtetasit italianë që jetojnë në Shqipëri. Përfituesit më të mëdhenj janë shqiptarët, për nga numri i madh. Shumë shqiptarë emigruan në fillim të ’90 në Itali dhe pas marrëveshjes, ata mund të mos hasin pengesë që të kthehen, ta shijojnë pensionin në vendlindje, ose të mbyllin e fundit në Shqipëri.

Në total, llogaritet se kjo marrëveshje do t’ju vijë në ndihmë rreth 500 mijë qytetarëve shqiptarëve të cilët jetojnë dhe punojnë në shtetin fqinj por dhe rreth 4 mijë italianëve që kanë leje qëndrimi në Shqipëri.

Bazuar në marrëveshje, shtetasit shqiptarë që jetojnë në Itali apo italianët që janë në Shqipëri, përfitojnë nga Sigurimi i Përgjithshëm i Detyrueshëm për pension invaliditeti, pleqërie dhe familjar të punonjësve të punësuar, trajtimin e posaçëm të punonjësve të vetëpunësuar si artizanë, tregtarë, fermerë dhe sigurimin për përfitimin për sëmundjet, ku përfshihen edhe tuberkulozi dhe barrë lindja, sigurimin e papunësisë.

Shqipëria deri në vitin 2024 kishte firmosur marrëveshje me 16 shtete në fushën e sigurimeve shoqërore si me Hungarinë, Kanadanë, Turqinë, Belgjikën, Luksemburgun, Maqedoninë e Veriut, Republikën Çeke, Gjermaninë, Austrinë, Kroacinë, Austrinë, Kosovën, Malin e Zi, Zvicrën, Rumaninë dhe Bullgarinë.

Senati ka miratuar projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë për sigurimet shoqërore, por edhe më dy vende të tjera kandidate për në BE ose potenciale, si Maqedoninë e Veriut dhe Moldavia.

Marrëveshja me Italinë është më e rëndësishmja nga të gjitha të tjerat, për vetëm numrin e lartë të përfituesve. Italia është vendi i dytë pas Greqisë, që numëron qindra mijëra shqiptarë të përfshirë në tregun e saj të punës. Ajo është pjesë e marrëveshjeve që afrojnë Shqipërinë me Bashkimin Eruopian. Një marrëveshje e ngjashme me Greqinë do të ishte e mjaftueshme, për të arritur objektivin që i nevojitet vendin tonë për standardin e kërkuar nga BE.    

Me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, personat që janë në prag pensioni duhet të aplikojnë pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore respektiv (shqiptarët në Itali dhe italianët në Shqipëri) duke bërë të mundur marrjen e dy pensioneve, sipas viteve të punës që ka derdhur kontributet.

Sipas marrëveshjes, edhe shqiptarët që kanë dalë në pension përpara 2024, mund të aplikojnë për të përfituar nga kjo marrëveshje. Marrëveshja garanton që asnjë qytetar të mos humbasë asnjë ditë kontribute, pavarësisht prej vendit ku ka punuar, duke mundësuar krijimin e kushteve ligjore për përfitimin e pensionit në të dy vendet.

Marrëveshja garanton që asnjë qytetar të mos humbasë asnjë ditë kontribute, pavarësisht prej vendit ku ka punuar, duke mundësuar krijimin e kushteve ligjore për përfitimin e pensionit në të dy vendet.

Për të fituar pension në Itali duhen minimalisht 20 vite punë, ndërsa në Shqipëri duhen minimalisht 15 vite. Me këtë marrëveshje të gjithë ata që nuk plotësojnë kushtin minimal të viteve të punës, kanë mundësi të përfitojnë sepse vitet e punës bashkohen. Ata që kanë 10 vite punë në Shqipëri, e më pas emigruan dhe bënë edhe 10 vite punë në Itali, do përfitojnë pension, duke marrë dy pensione: i pari nga Italia për aq vite punë që kanë atje dhe i dyti nga Shqipëria për vitet e punës që kanë bërë këtu. Pra secili shtet, do paguajë sipas viteve të punës respektive.

Sipas një raporti të vitit 2024, rritja e moshës mesatare të popullsisë (në vitin 2023 ishte 48.4 vjeç), rënia e fertilitetit (1.24 fëmijë për grua) dhe plakja e popullsisë (21.5 vjet jetëgjatësi në 65 vjeç) vënë në rrezik stabilitetin e sistemit të pensioneve , i cili bazohet në parimin e pagesës.

Krahas faktorëve demografikë, presioni inflacioniste, i cili rrit shpenzimet për pensionet për shkak të rregullimeve të përfitimeve në përputhje me rritjen e kostos së jetesës, e ekspozon sistemin edhe ndaj rrezikut për të mos qenë më i qëndrueshëm.

Përfitimet e sigurimeve shoqërore të paguara në vitin 2023 kaluan 16 milionë e 770 mijë me një shumë mesatare mujore prej 1370 euro (rreth 1750 euro për meshkujt dhe rreth 1070 euro për femrat). Gratë përbëjnë 52% të pensionistëve, por përfitimet mesatare mujore të tyre ishin më të ulëta se ato të meshkujve.

Në vitin 2023, kishte 1.5 milionë përfitues të rinj pensionesh në Itali (56% përfitime nga sigurimet shoqërore dhe 44% përfitime sociale).

Instituti i Sigurimeve në Itali njoftoi vitin e kaluar se pensionet jashtë vendit mund të paguhen vetëm me kredi në llogari ose me para në dorë. Italia tha se nuk do të paguajë më pensionet jashtë vendit me çeqe. Kjo zgjedhje synon të parandalojë pagesat e panevojshme dhe humbjen e çeqeve gjatë udhëtimit për shkak të probleme postare.

Vendimi ka të bëjë me mbi 300 mijë italianë të cilët banojnë jashtë vendit, si në vendet europiane ashtu edhe ato joevropiane dhe që marrin pensione me vlerë 1.6 miliardë euro. Pas ndërhyrjes së qeverisë portugeze për të frenuar transfertat e pensionistëve italianë, dëshira për të lëvizur e për të përfituar nga një normë e reduktuar tatimore ka zhvendosur interesin drejt vendeve të tjera si Spanja dhe Ishujt Kanarie. Megjithatë, regjime preferenciale ofrohen edhe nga vendet fqinje si Malta, Greqia, Shqipëria, Tunizia dhe Sllovakia.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH